Berisha: Gjëja më e rëndësishme për bizneset janë shancet e barabarta para ligjit
Kryeministri Sali Berisha u shpreh të dielën, gjatë vizitës në panairin "Pranvera 2006" të organizuar nga Expo-Prima, se "gjëja më e rëndësishme për biznesmenët dhe bizneset janë shanset e barabarta para ligjit". Kryeministri Berisha, vizitoi pavionet e panairit, bashkëbisedoi me shumë biznesmenë që kishin paraqitur produktet në këtë panair, si dhe u interesua për mbarëvajtjen e bizneseve të tyre. Në një prononcim për mediat, gjatë kësaj vizite, Kryeministri Berisha u shpreh:
"Ka një entuziazëm tregu të paparë dhe entuziazmi i tregut është energjia e tregut, energjia që jep forcë për hapësira të reja, për nivele të reja. Qeveria mbetet shumë e vendosur në premtimet e saj dhe mund t'u them në thellimin e tyre. Siç është bërë e ditur dje, do nisë ulja progresive e çmimit të energjisë për bizneset. Imagjinoni, qeveria e mëparshme ka vendosur absurditetin, dyfishin e çmimit të familjarëve për bizneset. Askund në botë nuk njihet një raport i tillë.
Së dyti, paketa fiskale e re do të nisë me ulje të ndjeshme të taksave. Së treti, ju e dini premtimin që bëra për emigrantët; 3 vjet pa taksa. Ekspertët po e studiojnë me shumë vëmendje këtë premtim dhe ka mundësi që t'i bëhen disa përmirësime shumë të ndjeshme. Këto janë 3 nga hapat më të rëndësishme. Këto kanë shumë rëndësi, por gjëja më e rëndësishme për biznesmenët dhe bizneset janë shancet e barabarta para ligjit dhe unë mendoj se me këtë luftë që po i bëhet krimit të organizuar, që po i bëhet korrupsionit, që po i bëhet evazionit fiskal, kontrabandës, përfitues madhorë janë sigurisht qytetarët, por në radhë të parë biznesmenët shqiptar, të cilët mund ta ushtrojnë veprimtarinë e tyre në kushte shumë më lehtësuese sesa më parë. Unë edhe një herë shfrytëzoj rastin të përgëzoj organizatorët e këtij panairi të shkëlqyer, të përgëzoj kompanitë e panumërta që kanë marrë pjesë nga shumë vende të ndryshme, duke dëshmuar besimin e tyre tek tregu shqiptar, interesin e tyre, vlersimin e tyre për dinamizmin e këtij tregu. Ky është një treg dinamik, një treg me plot energji".