Njoftim për shtyp mbi situatën e ditës së sotme në Gërdec
Komunikatë e Ministrisë së Mbrojtjes dhe Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura mbi situatën më Gërdec, ora 18.00
Operacioni për eleminimin e pasojave të shkatuar nga shpërthimi në Gërdec, më datën 15.03.08, nga ana e Forcave të Armatosura, filloi rreth orës 05.00 të ditës se sotme.
Në operacion u angazhuan 500 trupa xheniere të specializuar për identifikimin dhe pastrimin e zonës nga predhat e pa plasura, 300 trupa mbështetëse të operacionit dhe 200 trupa të Policisë Ushtarake, për ruajtjen dhe sigurinë e zonës. Pra, gjithsej në operacion vazhdojnë të jene të angazhuara rreth 1000 trupa, 149 mjete transporti e speciale, si dhe tre helikopterë.
Në orën 07.00 ka filluar operacioni masiv për pastrimin e të gjithë zonës: Maminas, Stacioni i trenit, Marqinet dhe Manzë.
Në epiqendrën e shpërthimit, me qëllim kërkimin e viktimave dhe kufizimin e zonës së infektuar, kanë vepruar trupat e Batalionit të Operacioneve Speciale dhe të EOD-së (Specialistë të asgjësimit të municioneve ). Këto trupa kanë gjetur 4 ( katër ) viktima të pa identifikuara dhe kanë vazhduar kërkimin në masivet e betonit, të cilat ndodhen në vendin e shpërthimit. Numri i viktimave deri tani është 9 vete.
Në bazë të gjendjes në terren dhe të përllogaritjeve nga specialistët, zona e infektuar ka një sipërfaqe rreth 1000ha. Sot, trupat xheniere kanë kontrolluar rreth 300 ha dhe kanë identifikuar e izoluar gjithsej 280 predha të pa plasura.
Sic kemi bërë të ditur më parë, SUQU (Spitali Ushtarak), ju ka dhënë ndihmë mjekësore 169 personave, nga të cilët 106 janë larguar pas marrjes së saj. Vazhdojnë të jenë nën kujdesin mjekësor 57 vetë, nga të cilët 4 ndodhen në reanimacion.
Në orën 02 45 të datës 16.03.2008, janë transportuar për në Greqi 5 vetë. Rreth orës 1500 u nisen për në Itali 3 vetë që kanë qenë të shtruar në Spitalin Ushtarak, si dhe 6 të sëmure të tjerë, të cilët kanë qenë shtruar në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, për t’ju nënshtruar një trajtimi më të specializuar. Gjendja e përgjithshme e të sëmurëve në Spitalin Qëndror të Ushtrisë është nën kontroll.
Rreth orës 08 00 janë larguar për në drejtim të shtëpive të tyre ( Qytetin e Vorës) 41 vetë, të cilët ishin akomoduar në Akademinë e Nënoficerëve, në Tiranë.