Kryeministri Berisha pret në takim zotin Wim Van Eekelen, ish ministër i Mbrojtjes i Holandës dhe ish Sekretar i Përgjithshëm i Bashkimit Evropiano – Perëndimor

Kryeministri Berisha priti sot në takim zotin Wim Van Eekelen, ish ministër i Mbrojtjes i Holandës dhe ish Sekretar i Përgjithshëm i Bashkimit Evropiano – Perëndimor, i cili shoqërohej nga Ambasadori i Mbretërisë së Vendeve të Ulëta në Shqipëri Henk Van Del Dool.
Kryeministri i uroi mirëseardhjen zotit Van Eekelen, i cili nga ana e tij e falënderoi për mikpritjen. Zoti Van Eekelen nënvizoi ndryshimet e jashtëzakonshme dhe hapat e mëdha përpara që ka bërë Shqipëria. Ai e uroi Kryeministrin për anëtarësimin në NATO, duke theksuar se integrimi në strukturat euro – atlantike e ka bërë Evropën shumë më të qëndrueshme sesa dy dekada më parë.
Lidhur me interesin e zotit Van Eekelen për procesin e integrimit në BE, Kryeministri theksoi se pas ngërçit dy vjeçar që krijoi, opozita i është rikthyer institucioneve dhe tashmë, veprimtaria parlamentare është normalizuar dhe Parlamenti ka miratuar një seri ligjesh me 3/5, si dhe po ndërmerr reforma të rëndësishme si ajo zgjedhore dhe ajo parlamentare, të cilat janë kushte të përcaktuara nga BE për çështjen e integrimit. Kryeministri Berisha ritheksoi se integrimi evropian duhet të jetë një proces i bazuar në meritë dhe qeveria ka angazhimin e plotë për të bërë të gjitha hapat e nevojshëm në këtë drejtim.
Në takim u bisedua për ndikimin e krizës ekonomike mbi ekonominë shqiptare dhe të vendeve të rajonit. Kryeministri Berisha, ndërsa nënvizoi faktin se Shqipëria e përballoi krizën ekonomike dhe shmangu recesionin, u shpreh se është me rëndësi që masat anti – krizë të mos ndikojnë në frenimin e zhvillimit dhe të investimeve në Shqipëri dhe vendet e rajonit.
Në kuadër të zhvillimeve në rajon, Kryeministri vlerësoi marrëveshjen midis Kosovës dhe Serbisë si një hap shumë i rëndësishëm në drejtim të stabilitetit dhe se, ruajtja e kufijve ekzistues është themelore për paqen në Ballkan. Nga ana tjetër, ai shprehu nevojën për arritjen sa më të shpejtë të një marrëveshjeje midis Greqisë dhe Maqedonisë, si dhe vlerësoi vendimin e BE për dhënien e statusit të vendit kandidat Serbisë, si një shembull i qartë i forcës stabilizuese që procesi i integrimit ka mbi vendet e rajonit.
15/03/2012