Kryeministri Berisha pret përfaqësues të kompanisë britanike Aggreko
Kryeministri Berisha priti sot përfaqësues të kompanisë Aggreko të kryesuar nga Drejtori i Përgjithshëm, Bill Carrick dhe përfaqësues të partnerëve të saj shqiptarë, të kompanisë Amadeus Group.
Përfaqësuesit e kompanisë Aggreko i prezantuan Kryeministrit Berisha një projekt për furnizimin me energji elektrike në raste emergjencash dhe nevoje.
Aggreko është një kompani britanike, me një aktivitet 45 vjeçar në furnizimin me energji nëpërmjet sistemit të qiradhënies së pajisjeve të tipit gjenerator. Projekti i kompanisë Aggreko bazohet në dhënien me qira të grupeve të gjeneratorëve të lëvizshëm, energjia e të cilëve shpërndahet në rrjet sipas kërkesave.
Kjo kompani e ka shtrirë aktivitetin e saj në vende të ndryshme të botës dhe në rajon.
Kryeministri i falënderoi përfaqësuesit e kompanisë dhe i siguroi ata se në kuadër të masave që po merr qeveria shqiptare për zgjidhjen e situatës së furnizimit me energji, ky projekt do të vlerësohet së bashku me projektet e kompanive të tjera të paraqitura deri tani.