E Diel, 1 Nëntor 2026

Përshëndetja e Kryeministrit të Shqipërisë, zotit Sali Berisha në prag të ndërrimit të viteve

Të dashur qytetarë dhe qytetare shqiptare,

Të dashur bashkëkombëse dhe bashkëkombës të mi kudo që jeni sot,

Çasti, kur akrepat e orës do shënojnë ndërrimin e viteve, po afron.

Unë dua që me këtë rast të bashkoj urimin tim me ato qindra e qindra urime të ngrohta që ju merrni nga familjarë, të afërmit, miqtë, shoqet, shokët tuaj, me letra, thirrje telefonike, SMS, kartolina dhe me  gjithë zemër t’ju uroj ju Gëzuar Vitin e Ri 2008!

Ju uroj shëndet, mbarësi, lumturi, gëzime për secilin prej jush, kudo që ndodheni, në vatrat tuaja familjare, në lokale tok me miqtë apo të afërm, brenda apo jashtë vendit, me detyrë apo udhëtim, në spitale apo në vuajtje dënimesh.

Për pak kohë, do t’i themi lamtumirë vitit 2007. Besoj se kemi arsye të besojmë se ndahemi në tërësi nga një mik i mirë, sepse këtë vit shqiptarët u ndjenë më të lirë, më të sigurt, më të begatë dhe më të respektuar se asnjëherë më parë. Ky ishte viti në të cilin ato u shpërblyen me rroga dhe pensione më të larta se ndonjëherë, viti në të cilin ekonomia shqiptare u rrit ndjeshëm, papunësia u ul në nivelet më të ulëta se më parë, viti në të cilin shpenzimet në infrastrukturë u rritën tre herë, Shqipërinë e vizituan miliona turistë nga mbarë bota.

Viti 2007 ishte vërtet një mik i mirë për çdo shqiptar, sepse objektivat tona madhore kombëtare, pavarësia e Kosovës, integrimi i Shqipërisë në NA dhe BE janë më afër se kurrë. Ky ishte viti në të cilin Shqipërinë e begenisën dhe e nderuan Presidenti Xhorxh Bush dhe nga Tirana garantoi pavarësinë e Kosovës, dhe personalitete të tjera të mëdha.

Natyrisht, unë jam i vetëdijshëm se viti që lemë pas ka shkaktuar edhe dhimbje dhe lot tek një numër familjesh dhe qytetarë shqiptarë, që janë përballur me fatkeqësi të ndryshme apo edhe me varfërinë, papunësinë. Me gjithë zemër uroj që viti që vjen të sjellë gëzime në sytë, shpirtin dhe vatrat e tyre.

Unë jam i bindur se të gjithë ne së bashku, me vitin që sapo vjen, presim një mik të ri dhe të mirë, që sjell për ne më shumë shpresë të re, më shumë kurajo, vizion, besim, dashuri, mirëqenie, punësim dhe mbi të gjitha realizimin e projekteve tona të mëdha të këtij shekulli: Kosovën e Pavarur, ftesën për integrimin e Shqipërisë në NA. Ndaj dhe unë me gjithë zemër ju uroj Paqe, Gëzim dhe Lumturi në çdo zemër shqiptari!

Gëzuar Vitin e Ri 2008!

Një vit të bekuar dhe të mbarë për shqiptarët dhe miqtë e tyre kudo në botë!

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›