Kryeministri Berisha pret përfaqësues të projektit të madh të gazit TAP AG
Kryeministri Berisha priti sot në takim një grup përfaqësuesish të projektit të madh të gazsjellësit Trans-Adriatik (TAP AG), që kalon edhe në Shqipëri, të kryesuar nga drejtori i projekti Kjetil Tungland.
Zoti Tungland e informoi Kryeministrin mbi zhvillimet e fundit për këtë projekt shumë të rëndësishëm gazi, duke theksuar veçanërisht suksesin e negociatave dhe rezultatet e arritura me vendet pjesëmarrëse në këtë projekt, Norvegjinë, Zvicrën, Italinë, Turqinë, Greqinë, Gjermaninë, Azerbajxhanin. Ai përmendi si shumë të rëndësishëm faktin që grupeve të përfshira në këtë projekt, Statkraft, EGL, iu shtua edhe një partner i tretë shumë i rëndësishëm, kompania gjermane E.ON Ruhrgas dhe se ishin në negociata edhe me partnerë grekë. Kompleksiteti i këtij projekti dhe shtimi i partnerëve ndërkombëtarë, tha zoti Tungland, rrit sigurinë dhe garancinë e suksesit të projektit. Partneri gjerman i shtoi këtij grupi Know-how dhe aftësitë teknike dhe menaxhuese që përfaqëson kompania gjermane.
Drejtori i projektit, zoti Tungland tha se Memorandumi i Mirëkuptimit, i sapo nënshkruar me Shqipërinë, i shtohet marrëveshjeve që po bëhen me të gjitha vendet, ku kalon projekti. Ai theksoi se shpejtësia, me të cilën po ecet, është një shenjë e rëndësishme dhe e dukshme e faktit që ky projekt i furnizimit me gaz është bërë shumë konkurrues dhe prioritar në tregun europian. Zoti Tungland falënderoi Kryeministrin Berisha për kontributin e qeverisë shqiptare në prezantimin e këtij projekti në Europë dhe për lobimin për suksesin e tij.
Kryeministri Berisha falënderoi zotin Tungland për informacionin dhe i siguroi ata që mbështetja e qeverisë shqiptare, si vend i përfshirë në këtë projekt dhe përfitues prej tij, do të ishte e vazhdueshme dhe e garantuar. Shqipëria, tha Kryeministri, do të vazhdojë të mbështesë fuqimisht këtë projekt dhe të marrë pjesë në diskutimet dhe marrëveshjet dypalëshe me vendet fqinjë apo shumëpalëshe. Kryeministri Berisha i sugjeroi gjithashtu, grupit që në këtë projekt të përfshiheshin nëpërmjet degëzimeve, edhe vendet e rajonit si Kroacia, Bosnja-Hercegovina, Mali i Zi, Maqedonia, etj..
Zoti Tungland e falënderoi Kryeministrin Berisha për sugjerimin dhe mbështetjen e dhënë deri tani dhe e siguroi se do të punonin për zgjerimin e përfshirjes së vendeve në projekt.
26/05/2010