E Diel, 1 Nëntor 2026

Plotësimi i detyrimeve ndaj NATO-s, Komisioni i Çështjeve Ligjore, Administratës Publike dhe të Drejtat e Njeriut miraton dy marrëveshje të rëndësishme

Pas shqyrtimit në Komisionin e Punëve të Jashtme, dy marrëveshjet që lidhen me plotësimin e detyrimeve të Shqipërisë si vend anëtar i NATO, përkatësisht projektligji Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në marrëveshjen e NATO-s Për komunikimin e informacionit teknik për qëllime të mbrojtjes si dhe projektligji Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në marrëveshjen për mbrojtjen e ndërsjelltë të teknologjive sekrete në fushën e mbrojtjes dhe për të cilat është bërë aplikimi i patentës, kaluan sot për shqyrtim në Komisionin e Çështjeve Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut. Dy marrëveshjet u prezantuan nga përfaqësues të Ministrisë së Mbrojtjes, të cilët vlerësuan se aderimi i Shqipërisë në këto dy marrëveshje do të mundësojë përmbushjen e detyrimeve të Shqipërisë përballë shteteve shteteve të tjera anëtare të NATO, si dhe përfitimin e përdorimit të informacioneve teknike të rezervuara në fushën e mbrojtjes.

Marrëveshja Për komunikimin e informacionit teknik për qëllime të mbrojtjes, ka për qëllim fuqizimin e aftësive mbrojtëse individuale ose kolektive të Palëve të Traktatit të Atlantikut të Veriut sipas programeve kombëtare, dy palëshe apo shumëpalëshe, apo në vënien në jetë të projekteve kërkimore, projekteve të zhvillimit, prodhimit apo projekteve logjistike të NATO.
Ndërsa marrëveshja Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në marrëveshjen për mbrojtjen e ndërsjelltë të teknologjive sekrete në fushën e mbrojtjes dhe për të cilat është bërë aplikimi i patentës miratohet duke patur parasysh se kufizimet territoriale që rrjedhin nga ndalimi mund të shkaktojnë dëm ndaj aplikantëve për patenta e si rrjedhim mund të prekin në mënyrë të dëmshme bashkëpunimin ekonomik ndërmjet vendeve anëtare të NATO. Pas shqyrtimit, anëtarët e Komisionit të Ligjeve miratuan dy marrëveshjet ndërsa vlerësuan rëndësinë e tyre përsa i përket plotësimit të detyrimeve në kuadër të anëtarësimit në NATO.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›