E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha përshëndet vlerësimin e Organizatës së Kombeve të Bashkuara për transparencën e prokurimeve në Shqipëri

- Kryeministri Berisha u shpreh se dalja e Shqipërisë në krye të listës botërore për prokurimin elektronik është, gjithashtu, dëshmi e një vullneti të kësaj qeverie për të përmirësuar në maksimumin e mundshëm klimën për biznesin dhe shanset për biznesmenët. Kjo është dëshmi e një vullneti për të vendosur rregullat më të ndershme në prokurimet publike dhe jo klienteliste.

Kryeministri Berisha përshëndeti sot, gjatë mbledhjes së Këshillit të Ministrave, vendimin e Organizatës së Kombeve të Bashkuara për vlerësimin e administratës shqiptare me çmimin dytë, në grupimin e vendeve të Evropës dhe Amerikës së Veriut, në transparencën e prokurimeve.

Kryeministri Berisha u shpreh se ky çmim, i cili ka si motivacion përmirësimin e transparencës, përgjegjshmërisë dhe përgjigjshmërisë së shërbimeve publike, është vlerësimi më i madh që i bëhet administratës së këtij shtetit në tërë historinë e saj. “Ky çmim vjen si rezultat i vlerësimit shumë pozitiv që i është bërë procesit të prokurimeve 100 për qind elektronike në Shqipëri. Procesi i prokurimeve 100 për qind elektronike në Shqipëri, së pari, është dëshmia më e besueshme e vullnetit 100 për qind politik për një proces transparent”, tha Kryeministri.

Më tej, Kryeministri u shpreh se po punohet edhe për katalogun elektronik për blerjet e vogla. Viti i ardhshëm, - shpreh Kryeministri Berisha , - do të shënojë katalogun elektronik edhe për blerjet e vogla.

Ndër të tjera, Kryeministri Berisha u shpreh:

“Do ta konsideroja kryefjalë të kësaj mbledhje, një zhvillim jashtëzakonisht të rëndësishëm për vendin dhe për këtë administratë, akordimin nga Organizata e Kombeve të Bashkuara të çmimit të dytë për administratën shqiptare, në grupimin e vendeve të Evropës dhe Amerikës së Veriut, në transparencën e prokurimeve.

Ky çmim, i cili ka si motivacion përmirësimin e transparencës, përgjegjshmërisë dhe përgjigjshmërisë së shërbimeve publike, është vlerësimi më i madh që i bëhet administratës së këtij shtetit në tërë historinë e saj. Ky çmim vjen si rezultat i vlerësimit shumë pozitiv që i është bërë procesit 100 për qind elektronik të prokurimeve në Shqipëri. Procesi i prokurimeve 100 për qind elektronike në Shqipëri, së pari, është dëshmia më e besueshme e vullnetit 100 për qind politik për një proces transparent. Në analizën e të gjitha vendeve të planetit Shqipëria vlerësohet vendi i parë me prokurime elektronike 100 për qind. Për sa i përket të ardhurave për frymë Shqipëria duhet të kishte nja 60 apo 70 të tjera para saj në këtë fushë, sepse mundësitë për të ndërtuar sistem 100 për qind elektronik të prokurimeve janë të mundshme dhe të pranishme për shumicën dërrmuese të vendeve.

është vullnet politik, sepse ne u zotuam për duar të pastra dhe për zero tolerancë ndaj korrupsionit. Dhe natyrisht, rrugë kryesore e luftës kundër korrupsionit janë reformat. Dalja e Shqipërisë në krye të listës botërore për prokurimin elektronik është, gjithashtu, dëshmi e një vullneti të kësaj qeverie për të përmirësuar në maksimumin e mundshëm klimën për biznesin dhe shanset për biznesmenët. Kjo është dëshmi e një vullneti për të vendosur rregullat më të ndershme në prokurimet publike dhe jo klienteliste.

Shqipëria mori çmimin e dytë në zonën më të mëkëmbur të planetit, Evropën dhe Amerikën e Veriut, në tërësi për përmirësimin e transparencën, përgjegjshmërisë dhe përgjigjshmërisë në shërbimet publike, sepse prokurimet janë konsideruar një proces kryesor. Në fillim të këtij procesi, themeluesi i Transparency Internacional, gjatë një dreke pune në Bruksel, më tha se “kryetari i bashkisë së qytetit tim, realisht të një kryeqyteti, mund ta kishte bërë këtë 50 herë para Shqipërisë, por nuk e bën se nuk ka vullnetin, se nuk i leverdis”. Ndaj dhe ky çmim iu dha Shqipërisë, sepse ajo dëshmoi një vullnet të hekurt. Organizata e Kombeve të Bashkuara, në vlerësimet që bën, thekson se “ me këtë projekt, me prokurimin 100 për qind elektronik, ju keni dhënë një kontribut të madh në përmirësimin e performancës së administratës së vendit tuaj. Ky është një inspirim dhe inkurajim për të gjithë ata që punojnë në sektorin e shërbimeve publike”.

Natyrisht, përbën një arritje të madhe. Në qoftë se katër vite më parë statistikat faktojnë në mënyrën më të padiskutueshme se 70 për qind e prokurimeve ishin direkt ose të kufizuara me negocimi, sot 100 për qind e tyre janë elektronike.

Këtu është një rast i veçantë për mua të falënderoj me shumë mirënjohje të gjithë punonjësit e administratës, të gjithë autoritetet kontraktuese të vendit, që morën trajnimin me seriozitet të madh dhe pa frikë e pa ndrojtje u shkëputën nga një praktikë problematike dhe adoptuan një praktikë elektronike të prokurimit, që sot shkëlqen kudo. Një falënderim duhet tu jap të gjithë drejtuesve të autoriteteve kontraktuese, drejtuesve të Agjencisë së Prokurimeve Publike, punonjësve të ICT-së.

Një mirënjohje e veçantë i shkon qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Millenium Challenge Acount Corporation, e cila në programin e Pragut të Mijëvjeçarit, rreth 15 milionë dollarë, pranoi projektet e përzgjedhura nga ne, të cilat ishin taksa elektronike, prokurimi elektronik, dogana elektronike, one stop shop. Pra ishin procedura që rrisnin transparencën në shkallën më maksimale. Ky projekt u fillua në vitin 2008 dhe qeveria e mori atë me seriozitetin më të madh. Në rast se mbi bazën e projektit u arrit që rreth 15 për qind e prokurimeve të ishin elektronike, në vendosëm ti bënim prokurimet 100 për qind elektronike. Vendosëm buxhetin, vendosëm të gjitha mjetet dhe kjo u realizua.

Ku do të shkojmë dhe çdo bëjmë? Ne këtë e marrim thjesht si një stacion ku jemi ngjitur, sepse ne kemi shumë punë për të bërë, dhe po bëjmë. Së pari do të punohet për katalogun elektronik të blerjeve të vogla. është jashtëzakonisht e rëndësishme për të vendosur edhe atje transparencën. Agjencia ka marrë porosi të studiojë modelin, të bashkëpunojë dhe ta vendosim atë. Viti i ardhshëm do të shënojë katalogun elektronik edhe për blerjet e vogla, sepse edhe aty pasojat janë jo pak të mëdha. Lexoni novelën e Dino Buzzatit, minjtë i’a shkulën edhe trarët e shtëpisë. Kështu që edhe aty do të bëjmë transparencën duke i imponuar me ligj të gjitha institucioneve. Ata do e bëjnë, nuk ka diskutim, por të jetë e shpallur elektronikisht dhe me një proces shumë më të ndershëm.

Ky çmim fakton edhe diçka tjetër. Fakton se përcaktimi ynë për moshën dixhitale është absolutisht përcaktues për ndryshimin e këtij vendi. Ne konkurruam me këtë projekt, por ne çdo vit do të kompletojmë jo një, por disa projekte, deri sa të përfundojnë në ‘one stop shop’ për qytetarin shqiptar. Kjo do të thotë që kudo që ai banon, në Lekbibaj apo në Vithkuq, në Dukagjin apo në Frashër, të gjejë në një zyrë të gjitha shërbimet që e lidhin me këtë administratë, duke nisur nga certifikata e deri te pagesat dhe çdo gjë tjetër.

Ky është një projekt ambicioz, por edhe një projekt plotësisht i realizueshëm. Ne do të bëjmë çdo gjë për realizimin e tij. është e vërtetë që ky projekt ka koston e tij, por është e vërtetë se leverdia, lehtësia dhe transparenca e shërbimeve ia vlen shumë e shumë herë kostos dhe përpjekjeve. Ndaj dhe do ta mbyll këtë ekspoze duke ju bërë thirrje të vazhdojmë me të gjithë potencialin tonë ecjen drejt proceseve dhe procedurave dixhitale.

Nuk është se nuk kemi ecur, por kemi prapë rrugë për të bërë. Në qoftë se ne duam t’u shërbejmë qytetarëve, ky është dhe qëllimi ynë kryesor, dhe në se në duam ta shndërrojmë në realitet që vendosim në epiqendër qytetarin, si administratë, si shërbime, si takim me ne, si shërbim ndaj tij, ky është shërbimi më i madh që mund ti bëjmë atyre”.


26/05/2010

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›