Kryeministri Berisha: Takimi i Strasburgut ishte një takim qartësisht pozitiv
- Kryeministri Berisha : Ne jemi një qeveri legjitime, e dalë nga zgjedhjet më të mira në historinë e këtij vendi, nga zgjedhje të lira dhe të ndershme, të cilat kanë plotësuar standardet më kryesore të OSBE/ODIR-it. Ata që imagjinojnë se kësaj qeverie i qenkan dhënë ultimatume, atyre u ka mbetur ora në kohërat më të vështira të këtij vendi. Nuk ka pasur as edhe një ultimatum.
Kryeministri Berisha njohu sot kabinetin qeveritar rreth takimit në Strasburg me kryetarin e PS-së Edi Rama dhe përfaqësues të Parlamentit Evropian.
Kryeministri Berisha e vlerësoi këtë takim si qartësisht pozitiv. “Takimi në Strasburg, në vleresimin tim, ishte një takim qartësisht pozitiv. Miq të Shqipërisë, të cilët me preokupimin më të mirë dhe më pozitiv, me ftuan mua dhe zotin Rama për të shqyrtuar problematikën. Shkova, shkoj dhe do të shkoj pa asnjë lloj problemi. Unë kundërshtarin nuk e marr për armik. Unë nuk udhëhiqem kurrë në mendjen time nga kulti i armikut, sepse është rruga më e papranueshme në rrafshin psikologjik, por rruga më e sigurt e dështimit në rrafshin politik”, u shpreh Kryeministri Berisha.
Më tej, Kryeministri Berisha është shprehur se në mënyrë kategorike në atë takim nuk ka pasur ultimatume. “Dua t’ju garantoj një gjë: nuk ka pasur, në mënyrë kategorike dhe absolute, asnjë ultimatum. Se një vendi të lirë dhe një procesi zgjedhor të lirë e të ndershëm nuk mund të imagjinojë kush të japë ultimatume. çdo interpretim i kësaj natyre është tërësisht interpretim primitiv, thellësisht primitiv. Ne jemi një qeveri legjitime, e dalë nga zgjedhjet më të mira në historinë e këtij vendi, nga zgjedhje të lira dhe të ndershme, të cilat kanë plotësuar standardet më kryesore të OSBE/ODIR-it. Ata që imagjinojnë se kësaj qeverie i qenkan dhënë ultimatume, atyre u ka mbetur ora në kohërat më të vështira të këtij vendi. Nuk ka pasur as edhe një ultimatum. Meqenëse e kanë qarkulluar këtë gjë me kaq pasion, mund të them se, përkundrazi, janë diskutuar opsione, për të cilat, për shkak të karakterit të tryezës, pasi ishte një darkë pune, nuk kam marrë dhe nuk marrë përsipër ti bëj publike. Por, ka spikatur dhe spikat në mënyrën më të qartë vendosmëria për të respektuar Kushtetutën e këtij vendi, për të respektuar ligjet e këtij vendi, për të pasur dialog të padiskutueshëm midis forcave politike, për të studiuar të gjitha hapësirat e mundshme dhe për të arritur në një zgjidhje të ngërçit të krijuar. Por jashtë çdo lloj konteksti të një borxhi ndaj ndokujt. Këtë dua t’jua them në mënyrën më të prerë. Sigurisht, qeveria ka detyrime konstante morale ndaj opozitës dhe kjo nuk mund të mohohet. Mbi bazën e këtij sensi përgjegjësie janë bërë oferta pa asnjë lloj kompleksi. është ofruar vullneti për të marrë pjesë në komisionin hetimor, ç’ka s’ka asnjë detyrim, por sigurish ka një detyrim moral ndaj opozitës deri sa të fton dhe të tjera që dihen. Nuk ka pasur, nuk ka dhe nuk mund të ketë ultimatum. Atyre që i mbahen doktrinës së ultimatumeve mund tu them se nuk u shërben. Doktrina e ultimatumeve është një doktrinë e papajtueshme me dialogun, është doktrinë e papajtueshme me kompromisin. Duhet ta studiojnë mirë politikën dhe të shohin se kur hyjnë në fuqi ultimatume dhe në cilat rrethana aplikohen ato”, u shpreh Kryeministri.
26/05/2010