Fjala e plotë e Kryeministrit Berisha mbajtur në 95 - vjetorin e themelimit të Policisë së Shtetit
I nderuar zoti President i Republikës së Shqipërisë , Zonja kryetare e Kuvendit, Zotërinj ministra , Zoti Drejtor i Përgjithshëm i Policisë,
Të dashur oficerë, inspektorë, komisar, kryekomisar të Policisë së Shtetit, Familjarë të dëshmorëve të rënë për jetën dhe sigurinë tone!
Eshtë një kënaqësi e vecantë t’ ju përshëndes ju sot në emër të qeverisë me shumë përzemërsi, të përshendes të gjithë inspektorët, oficerët, drejtuesit e policisë shqiptare, në këtë datë të shënuar për mbarë kombin shqiptar. Themelimi i Policisë së Shtetit 95- vjet më parë përbën një nga ngjarjet kryesore të historisë së Shtetit Shqiptar. E themeluar me misionin e saj të madh të garantimit të jetës dhe sigurisë së qytetarëve, parandalimin dhe shtypjen e krimit, policia shqiptare në të gjitha periudhat e saj, ka shprehur thelbin e sistemit në të cilin ka operuar, të formës së shtetit , në të cilin ajo ka vepruar, por sot një gjë është e sigurtë se me një përkushtim të madh , me sakrifica serioze, me vendosmëri, ju ia keni dalë të shndërroheni nga një instrument i diktaturës më të egër në Evropë, në një institucion të shtetit ligjor dhe në një faktor të ndryshimit të shumë pritur nga të gjithë shqiptarët. Unë jam dëshmitar i ditëve dhe viteve të para të rënies së perdes së hekurt në Tiranë. Ka patur edhe momente të përballjes së policisë me demostruesit, por i kam në mendjen time, apsolutisht drejtuesit e atyre viteve janë përpjekur të bëjnë më të mirën në mënyrë që konfrontimi të mos zmadhohej, në mënyrë që proceset e nisura të ecnin në rjedhën e interesit kombëtar. Ju në një proces të thellë reformash keni konsoliduar rolin tuaj të madh. E theksoj zoti ministër, në një moment kur forcat politike vendosën të ndryshojnë sistemin e numërimit të votave, ju përmbushët me dinjitet të madh, me përkushtim, me përgjegjësi, detyrën e ngarkuar nga ligji, pa të cilën vendi do të kishte pasoja shumë të rënda. Eshtë e vërtetë se tre vjet me parë Lushjna dominohej nga Aldo Bare, por breshëritë e tij shkreheshin edhe mbi ju. Tirana veriore dominohej nga serialkilleri Nehat Kulla, po kështu qytetat e tjera. Ne erdhëm në pushtet me një premtim , rendin dhe sigurinë, zero tolerancë ndaj krimit dhe këtë zotim para qytetarëve shqiptarë ne nuk e bazonim në ekspertizën tonë partiake , jo. Ne e bazonim në besimin e madh tek ju, efektivat e policisë së shtetit, në besimin tek guximi juaj, në besimin tek ndershmëria juaj, në besimin tek profesionalizmi juaj. Une mund të them se në këto dy vjet e gjysëm, nuk di ndonjë polici tjetër që te ketë çmontuar banda nga më të pasurat dhe me të fuqishmet e Europës, t’i ketë ndjekur ata nga shpellat e Alpeve në hotelet me shume yje të metropoleve të Europës, ta ketë bërë këtë në respektin më maksimal të lirive dhe të drejtave të qytetareve. Ju në keto operacione nuk ushtruat raprezalje, por profesionalizmin, trimërinë, guximin, vendosmerinë tuaj. Pra Shqiperia ndryshoi dhe ka ndryshuar.Sot ne jemi një ndër vendet me të sigurta , jo vetem në rajon por edhe me gjerë. Jeta e qytetarëve shqiptarë, veprimtaria dhe prona e tyre është e sigurtë. Shqiperia ka nënshkruar një seri marrëveshjesh , ndër të cilat më e rëndësishme është liberalizimi i vizave. Të gjitha këto janë bërë të munduara nga puna dhe vetmohimi juaj. Shqipëria gjatë këtyre periudhave të fundit ka vendosur para ligjit, dhjetëra e dhjetëra zyrtarë , të cilët në shkelje të plotë të kontratës me këtë shtet dhe këtë vend kanë marrë përsipër të kryejnë krimin e shëmtuar të korrupsionit, t’u dërgojnë fëmijëve dhe familjeve të tyre kafshatën e turpit. Dhe këtu ju keni një meritë të vecantë , ndaj është një rast per të shprehur një mirënjohje ndaj jush, një mirënjohje të thellë ndaj të gjithë atyre që themeluan policine e shtetit 95 vjet me parë dhe e riorganizuan atë më vonë. Por mirënjohja më e madhe është ndaj atyre inspektorëve, punonjësve, oficerëve të Policisë së Shtetit të cilët nuk janë sot midis nesh sepse dhanë jetën në përmbushje të detyrës së tyre në mbrojtje të ligjit, në mbrojtje të jetës, në mbrojtje të sigurisë së qytetarëve shqiptarë. Ata janë shumë, unë jam i vetëdijshëm se një kuadër lehtësues për fëmijët dhe familjet e tyre ekziston, por unë zoti ministër ju kërkoj ju që ky kuadër të zgjerohet dhe të marrë dimensione krejtësisht të tjera. Une kerkoj nga ju si ministri të keni zyra të veçanta të kujdesit për ta . Ne ju detyrohemi shumë atyre, fëmijet e tyre sot janë jetimë që të mos mbeten jetimë fëmijët tanë, bashkëshortet e tyre sot janë të veja , vetëm që bashkëshortet tona të mos mbeteshin të veja . Ndaj dhe ne kemi shumë detyrime ndaj tyre. I kemi të mëdha detyrimet për shkollimin e atyre fëmijëve , për strehimin e atyre familjeve. Dhe unë ju kërkoj që ky përvjetor, krahas një bilanci të shkëlqyer që ju bëni, të jetë dhe një detyrim madhor ndaj të gjithë këtyre familjeve dhe fëmijëve që ne nuk ua kompensojmë dot prindin e tyre , por ne mund të bëjmë çdo gjë që ata do të bënin për familjet e tyre. Ju sot keni një ligj të ri dhe këtë ligj e meritoni plotësisht. Ligji vërtet është i standarteve më të mira europiane, por ligji është frut dhe produkt i nivelit në të cilin ju arritët gjatë këtyre viteve. Unë ndjek me kënaqësi zbaimin e këtij ligji dhe dua t’ju siguroj se qeveria do t’ju mbështes plotësisht në misionin tuaj të madh. Do t’ju mbështes me pajisjet tuaj, trainimin tuaj dhe kushtet e punës tuaj. Çdo ditë ju përballeni me rreziqet e krimit, çdo minutë, çdo orë , çdo ditë do t’i dëshmoni atij zero tolerancë . E patë ju , e panë shqiptarët se si i hodhën fëmijët në det kushërinjtë e Al-Qaedës në skaf. Ndaj nuk duhet t’u dridhet dora, nuk duhet t’u shkrep syri ndaj cilitdo që merr përsipër krime të tilla të shëmtuara . Unë isha në dijeni të operacionit, se ju po e ndiqnit atë, por nga ana tjetër, e përsëris, duhet zero tolerancë. Nuk mund të kërcënojë askush jetën e policit, banditi që qëllon mbi policinë duhet të përballet me të gjitha pasojat ligjore të aktit të tij. Qeveria qëndron plotësisht me ju, ju mbështet në të gjithë veprimtarinë tuaj. Ne kërkojme prej jush që punën e mirë, të nisur në luftën kundër korrupsionit, ta shtrini në të katër anët e vendit. Edhe kjo është po aq e rëndësishme sa lufta me zero tolerancë që ju bëtë ju bandave të Lushnjës ,Tiranes, Elbasanit e me rradhë. Këtë kërkojnë nga ne qytetarët shqiptarë, këtë kërkojnë nga ne vendet me të cilat ne duhet të bashkohemi. Ndaj dhe në bashkëpunim të ngushtë me prokurorinë e shtetit, me shërbimet inteligjente të vendit, forconi çdo ditë e më shumë , luftën kundër korrupsionit dhe abuzimit. Kështu i keni bërë vendit shërbimin më të shkëlqyer. Siç kam patur besim te madh se ju jeni qindra here me trima se kriminelët e rrrezikshëm, po kaq kam besim se ju me gërshëret e ligjit do të prisni duart e zeza të zyrtarëve, të cilët i kërkojnë qytetarit gjobën për t’i njohur të drejtën që atij i takon. Ndaj të na shërbejë ky përvjetor, si një stacion i madh për të parë një horizont të ri në misionin tuaj fisknik, të rëndësishëm e të mbushur plot me sakrifica, me rreziqe, por me dinjitet të madh , me vlera te pazëvendësueshme për një shoqeri dhe një komb. Edhe njëherë gëzuar juve punonjësve të policisë, familjeve tuaja, mbarë shqiptarëve.