Kryeministri Berisha zhvillon homazhe në Ambasadën Polake në Tiranë në nderim të ish-presidentit Kazinski
- Në këtë tragjedi shqiptarët humbën miq të mëdhenj e të çmuar, më kryesori presidenti Kazinski, i cili do të vizitonte Shqipërinë dhe që, në të gjithë karrierën e tij politike ka dëshmuar vetëm ndjenjat më miqësore dhe mbështetjen më të fuqishme ndaj Shqipërisë
Kryeministri Berisha zhvilloi sot homazhe në Ambasadën Polake në Tiranë, në nderim të ish-presidentit Kazinski, i cili humbi jetën në një aksident tragjik ajror, së bashku me bashkëshorten e tij, si dhe një numër të madh drejtuesish të lartë të institucioneve shtetërore polake. Duke e cilësuar presidentin Kazinski, si një mik të madh të Shqipërisë, kryeministri Berisha i shprehu ngushëllimet e tij në emër të qeverisë shqiptare trupit diplomatik polak të akredituar në Shqipëri, duke shprehur njëkohësisht edhe konsideratën më të lartë për ish-presidentin polak, një nga promotorët e zgjerimit të Aleancës të Atlantikut të Veriut dhe Bashkimit Evropian.
Në fjalën e tij para mediave, kryeministri Berisha u shpreh:
Sot në zi nuk është vetëm kombi i madh polak, por sot në zi janë të gjithë miqtë e Polonisë në mbarë botën, kombet e lira të cilat kanë ushqyer respektin më të madh për presidentin Kazinski, si një nga personalitetet më të shquara të Polonisë së kohërave moderne, si një nga promotorët e zgjerimit të Aleancës të Atlantikut të Veriut dhe Bashkimit Evropian.
Në zi është kombi polak dhe miqtë e tij kudo në botë; janë në zi për zonjën Kazinski, por edhe për elitën e shkëlqyer parlamentare, civile dhe ushtarake që humbi jetën në aksidentin tragjik në momentin, që po shkonte për të nderuar 20 mijë bijë të Polonisë që u ekzekutuan në masakrën më të madhe të kohës. Shqiptarët ndajnë këtë dhimbje të madhe me kombin polak, me qeverinë polake. Në këtë tragjedi ata kanë humbur miq të mëdhenj dhe të çmuar, më kryesori presidenti Kazinski, i cili do të vizitonte Shqipërinë dhe që, në të gjithë karrierën e tij politike në çdo rast ka dëshmuar vetëm ndjenjat më miqësore dhe mbështetjen më të fuqishme ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve; kanë humbur miq të mëdhenj dhe të shquar në parlamentin polak, që muajt e fundit kanë vizituar Shqipërinë dhe punonin me përkushtim të madh për intensifikimin e marrëdhënieve, të cilat mund të them se në shekuj kanë qenë vetëm miqësore, midis dy kombeve dhe vendeve tona.
Ndaj dhe le të lutemi, të gjithë së bashku, që shpirti i presidentit i Kazinskit dhe bashkëshortes së tij, zyrtarëve, drejtuesve më të lartë të institucioneve shtetërore, guvernatori i bankës, zyrtarë të lartë të qeverisë, parlamentarët dhe zëvendëskryetari i Parlamentit, të gjejnë paqen e amshuar; familjet dhe kombi i tyre forcën për të përballuar këtë dhimbje dhe humbje të jashtëzakonshme.
12/04/2010