Kryeministri Berisha pret të dërguarin special të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së për bisedimet për Kosovën, Marti Ahtisari
Kryeministri Berisha priti të shtunën pasdite të dërguarin special të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së për bisedimet për Kosovën, Marti Ahtisari. Duke vlerësuar kontributin dhe përvojën e z.Ahtisari në zgjidhjen e krizave, kryeministri shqiptar e siguroi atë se qeveria shqiptare do të mbështesë përpjekjet e bashkësisë ndërkombëtare për përcaktimin e statusit përfundimtar të Kosovës. Z.Berisha shprehu qëndrimin e qeverisë shqiptare se statusi i Kosovës duhet të përcaktohet në përputhje me vullnetin e qytetarëve që janë shprehur në mënyrë të përsëritur për pavarësi, si dhe në bashkëpunim me Grupin e Kontaktit dhe bashkësinë ndërkombëtare, duke respektuar dhe mbrojtur të drejtat dhe liritë e serbëve dhe pakicave të tjera.
Ai shprehu edhe qëndrimin e tij për rolin pozitiv që mund të luajë procesi i decentralizimit në Kosovë. Gjithashtu ai nënvizoi edhe rëndësinë e dialogut Prishtinë-Beograd për hapjen e një kapitulli të ri në marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë.