Kryeministri Berisha prezanton kandidatët për deputetë të rrethi të Pogradecit
Të dashur qytetare e qytetarë të Pogradecit, fermerë të rrethit të Pogradecit, përshëndetjet më të përzemërta, mirënjohjen më të thellë, respektin tim më të madh për ju, veprën tuaj dhe për tubimin madhështor, me të cilin ju hapni sot fushatën elektorale, fushatën e fitores së shkëlqyer të 23 qershorit.
Qytetare e qytetarë të Pogradecit,
jam sot para jush për të paraqitur programin tonë të ri, përpjekjen tonë të madhe për të katër vitet që vijnë, për Pogradecin e zhvilluar, për Pogradecin europian.
Në projektin tonë të ri, ne do të bëjmë gjithçka për krijimin në Pogradec e në mbarë Shqipërinë të 250 mijë vendeve të punës. Ne do të bëjmë gjithçka që në Pogradec, në Shqipëri, çdo grua, çdo burrë, çdo i ri dhe e re që ka një ide për të krijuar një biznes, për të ndërtuar një fermë, ta mbështesim, të kontribuojmë e ndihmojmë në suksesin e tyre.
Vitet që shkuan ishin vitet e një krize të paparë në Europë, por ju gratë e burrat e Pogradecit dhe Shqipërisë, me punën e mundin tuaj, me reformat që ju mbështetët, ia dolëm të ruajmë rritjen ekonomike të Shqipërisë, ia dolëm që Shqipëria të jetë nder më të paktat vende që nuk pati rritje, por ulje të papunësisë.
Ne do të krijojmë 250 mijë vende pune, sepse në këto vite, ne kemi ngritur me dy e tre herë bizneset e mesme dhe të mëdha. Ne hoqëm çdo taksë mbi kapitalin, mbi çdo makineri, mbi çdo material që bizneseve të të gjitha llojeve ju duhen për prodhim dhe kjo do të bëjë që investimet në Shqipëri të shtohen, investimet e huaja të rriten nga 4 në 6 miliardë dollarë, në katër vitet që vijnë. Projekte gjigande kanë filluar e do të fillojë në Shqipëri. Filloi ndërtimi i kaskadës së Devollit, investim rreth një miliardë euro, pritet të aprovohet e të fillojë ndërtimi i gazsjellësit TransAdriatik dhe gazifikimi i mbarë Shqipërisë, një investim më shumë se një miliardë e gjysmë dollarë.
Ne do krijojmë 250 mijë vende pune, sepse katër vitet që shkuan, ne ia dolëm të subvencionojmë 45 mijë fermerë në Pogradec e mbarë Shqipërinë. Subvencionet tona, sëbashku me investimet private në bujqësi krijuan në katër vitet e shkuara, 100 mijë vende pune. Ne do të trefishojmë grantet për bujqësinë, nga 56 milionë dollarë do të financojmë 165 milionë dollarë dhe me këto, sëbashku me investimet private, të jeni të sigurt se do të krijohen së paku 130 mijë vende pune të reja në Pogradec e mbarë Shqipërinë.
Ne do të krijojmë 250 vende pune, sepse sëbashku realizuam Pogradecin turistik, Shqipërinë turistike. Në pak vite, turistët e vizitorët në Shqipëri u rritën nga 300 mijë në 4.7 milionë. Sipas Bankës Botërore, Shqipëria renditet në një nga dhjetë vendet me rritjen më të shpejtë të turizmit në botë.
Cili do të jetë Pogradeci pas ndërtimit të autostradës Tiranë-Elbasan, pas ndërtimit të autostradës Qafë Plloçë-Qukës? Cila do jetë distanca e Pogradecit me Tiranën? Jo vetëm Korça, Elbasani, por Tirana, Shkodra e mbarë Shqipëria do të derdhen në çdo sezon e çdo kohë, drejt bukurisë mahnitëse të liqenit të Ohrit.
Ne do të krijojmë 250 mijë vende pune, sepse ne bëmë realitet shoqërinë e informacionit, bëmë realitet Shqipërinë dixhitale. Kur pak vite më parë, ne e shpallëm atë, të tjerët përqeshën, me cinizëm u tallën, por sot, Shqipëria ecën e sigurt, për t’u bëtë në katër vitet që vijnë, vend lider në rajon për shoqërinë e informacionit dhe teknologjinë e lartë. Sot, në këtë sektor janë të punësuar 13 mijë qytetarë, katër vitet që vijnë të punësuari do të dyfishohen.
Ne do të punësojmë 250 mijë qytetarë, sepse ne ia kemi dalë me besimin e madh që kemi krijuar tek biznesi të ndezim garën më të pashembullt, më të shkëlqyer të ndërtimit të hidrocentraleve. Sot, qeveria që kryesoj ka firmosur me sektorin privat shqiptar, europian e botëror, kontrata për ndërtimin e 363 hidrocentraleve në lumenjtë e burimet ujore të Shqipërisë. Vetëm në Pogradec, Korçë, Kolonjë e Bilisht po ndërtohen e do të ndërtohen 60 hidrocentrale, me një investim prej 300 milionë euro dhe me kapacitet të barabartë pothuaj me Fierzën. Kjo është Shqipëria që po ndërtojmë e zhvillojmë ne.
Me programin tonë, ne do të bëjmë gjithçka për të siguruar punë për çdo shqiptar, do të bëjmë gjithçka për të rritur rrogat e pensionet e tyre, do të bëjmë gjithçka që gratë e burrat e Pogradecit e të Shqipërisë të begatojnë gjithnjë e më shumë veten, familjet e tyre dhe Pogradeci, do të bëjmë gjithçka që të ecim në rrugën e integrimit të Pogradecit e Shqipërisë në Europë.
Cila është alternativa tjetër?
Ka dy muaj që Edi Rama bredh me autobusin mavi nëpër Shqipëri. Alternativa e tij është së pari, alternativa sharjeve, shpifjeve dhe mashtrimit. Në një vend i quan mësuesit injorantë, në një vend tjetër i quan robër e skllevër, në një tjetër i quan nxënësit dele. Në një takim, policët i quan banditë, në tjetrin, qytetarët i quan robër. Pra, nuk është fjala e sharjeve ndaj Sali Berishës, se për ato ia hedh të gjitha në kazan, le t’i bëjë gjithë ditën, nuk kam ndonjë të keqe, por fyerjet kolektive janë të papranueshme.
Shtylla e dytë e programit të tij ka nxjerrë krye në mënyrën më të shkëlqyer këto ditë: analfabetizmi total në ekonomi, në reforma dhe ligje. Vëllezër, çfarë po deklaron këto ditë? Po deklaron se do t’ia ul taksat 95 përqind të shqiptarëve dhe paratë do t’ua marr 5 përqind të shqiptarëve. I nderuar shoku i autobusit mavi, mësoje se është A-ja e çdo ekonomie të lirë, është A-ja e doktrinës së ekonomisë së lirë. Ekonomia e një vendi të lirë nuk rritet kurrë nga lart poshtë. Kjo është injorancë. Ekonominë e një vendi të lirë e rrit klasa e mesme e tij, e rrisin ata qindra mijëra gra e burra që zgjohen pa gdhirë dhe punojnë deri natën vonë për mirëqenien, për begatinë e familjeve, të fëmijëve të tyre, e rrisin ata gra e burra që ngrihen pa gdhirë për të pastruar dyqanet e tyre, për të ngritur qepenat për klientët e parë, e rrisin ata fermerë që ngrihen natën për të vaditur tokën, për të mjelë lopën a për të ushqyer kafshët, për të punuar arën dhe serën. Ata janë zotët e ekonomisë, ata rrisin ekonominë, por jo pesë përqindëshi që urrën ti, me psikologjinë e dajove të tu. Kjo nuk ndodh kurrë. Një ditë del e thua se borxhin do ta llogaris nga banka si përqindje e GDP-së, si fëmija që mëson A-në në klasë të parë, ditën tjetër thua se ekonominë do ta rrisësh nga lartë, njëlloj siç premtonte byroja politike.
Kolona e tretë e programit të tij për ju është sharjet ndaj Sali Berishës, shpifjet e trillimit. Një gjë do t’i them këtu para jush, se i bën mirë, i shërben. Në vitin 2009, unë nxora një urdhër që ndalonte kryeministrin, ministrat, të gjithë zyrtarët që të përdorin në fushatë elektorale mjetet publike që ecin me taksat tuaja. Unë mora një makinë me qira, por makina ime iu duk helikopter dhe dilte e ju thoshte shqiptarëve se Berisha po bën fushatë me helikopter. Unë i thashë se helikopteri nuk mbledh vota dhe unë jam për vota. Tani e njëjta makinë i duket si autoblindë dhe çdo ditë thotë se kryeministri ecën me blindë. Jo Edi, është e njëjta makina që po rend nga mitingu në miting, nga fushata në fushatë që ti nuk e ke më. Më e forta, kjo xhaketë dhe kur nuk kam xhaketë vesh një triko jelek, atij i duket parzmore. Po Edi, ato janë parzmore. Je i humbur siç ke qenë i humbur gjer sot. Kot e ke. Edhe me këmishë e në çdo formë ti je i mundur, je i humbur, je i pashpresë.
Qytetarët presin nga ty alternativa dhe jo xhaketën apo veturën time, presin nga ti si do t’ia zgjidhësh problemet që ata kanë, presin të çlirohesh nga komplekset, se vërtet këto vite kemi ndërtuar infrastrukturë më shumë se kurrë, por prapë kemi për të ndërtuar e finalizuar shëtitoren më të gjatë të Shqipërisë, buzë liqenit të mrekullueshëm të Ohrit. Ajo është në ndërtim dhe brenda vitit do ta përfundojmë. Pogradeci do autostradën Qafë Plloçë-Qukës, fshatrat e Mokrës, fshatrat e Pogradecit duan që të gjitha rrugë moderne, shkolla moderne, kanalizime, shërbime të njëjta me të qytetit. Qytetarët duan të ecin drejt Europës si qytetarë europianë. Mos harro se trashëgimia e këtyre grave e burrave është europiane. Këtu është gjeniu i lirikës shqiptare, Poradeci, gjeniu i tregimit shqiptar Mitrush Kuteli, janë gjenitë e arteve pamore. Qytetarët presin të ecin drejt Europës dhe jo bllokimet e tua të njëpasnjëshme.
Ndaj ju ftoj më 23 qershor të votojmë për punësimin, të votojmë 44 për mirëqenie dhe rritjen e rrogave, të votojmë 44 për ndërtimin në Pogradec të infrastrukturës më moderne, të votojmë 44 për integrimin e e Shqipërisë në Bashkimin Europian, të votojmë 44 për të bërë gjithçka, për të liberalizuar vizat me vendin e madh të lirisë, Shtetet e Bashkuara, të votojnë 44, Partinë Demokratike, për të ardhmen tonë. Rrofshi ju! Rroftë Pogradeci!Rroftë Shqipëria!
02/06/2013