Kryeministri Berisha pret Tacan Ildem, Drejtor i Përgjithshëm për NATO-n në Ministrinë e Jashtme të Turqisë

Kryeministri Berisha priti zotin Tacan Ildem, Drejtor i Përgjithshëm për NATO-n në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Turqisë, ish ambasador në Bruksel pranë NATO-s, i cili ndodhet në Shqipëri me rastin e dekorimit nga Presidenti i Republikës me medaljen e Mirënjohjes.
Pasi i uroi përzemërsisht mirëseardhjen dhe i shprehu përgëzimet për dekorimin, Kryeministri Berisha vlerësoi kontributin që zoti Ildem ka dhënë si ambasador i Turqisë në Këshillin e Atlantikut në Atlantikut të Veriut, për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO. Kryeministri shprehu mirënjohjen më të thellë ndaj Presidentit Gyl, Kryeministrit Erdogan, qeverisë dhe kombit mik turk për mbështetjen dhe ndihmën e vazhdueshme që i kanë dhënë Shqipërisë gjatë gjithë kësaj periudhe, përfshi edhe mbështetjen për anëtarësimin në NATO. Anëtarësimi në NATO, u shpreh Kryeministri, ka qenë ngjarja më e madhe për lirinë dhe sigurinë e shqiptarëve pas shpalljes së pavarësisë.
Ambasadori Ildem e falënderoi përzemërsisht Kryeministrin Berisha për pritjen e ngrohtë e miqësore dhe e uroi për arritjen historike, liberalizimin e vizave për qytetarët shqiptarë. Ai e vlerësoi këtë si një arritje tërësisht të merituar, e cila erdhi si rezultat i arritjeve të jashtëzakonshme të reformave të thella e të gjithanshme, të ndërmarra nga qeveria shqiptare dhe në veçanti, lidershipit të Kryeministrit Berisha.
Ambasadori Ildem i përcolli Kryeministri përshëndetjet më të përzemërta të Presidentit Gyl dhe Kryeministrit Erdogan.
Ambasadori Ildem vlerësoi gjithashtu menaxhimin nga ana e qeverisë të situatës së përmbytjeve në vend. Kryeministri Berisha i shprehu falënderimet për ndihmën e Turqisë, në veçanti për angazhimin e përkushtimin e pilotëve turq në ndihmë të banorëve të zonave të përmbytura.
Në takim u vlerësuan marrëdhëniet e shkëlqyera midis dy vendeve, miqësia e ngushtë e tradicionale midis dy popujve dhe bashkëpunimi i suksesshëm në të gjitha fushat, veçanërisht në fushën ekonomike dhe shkëmbimeve tregtare, si dhe u vlerësua suksesi i investitorëve turq në Shqipëri. Turqia renditet ndër partnerët më të rëndësishëm të Shqipërisë për nga volumi i shkëmbimeve tregtare.
Në takim u ritheksua angazhimi i dy vendeve për t’i konsoliduar edhe më tej marrëdhëniet në të gjitha fushat.
15/12/2010