E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha priti ambasadorin rus në Tiranë Aleksandër Prishepov me rastin e përfundimit të mandatit

Kryeministri Berisha priti sot në takim ambasadorin e jashtëzakonshëm dhe fuqiplotë të Federatës Ruse në Tiranë Aleksandër Prishepov, me rastin e përfundimit të mandatit të tij.
Pasi i uroi përzemërsisht mirëseardhjen, Kryeministri Berisha vlerësoi zhvillimet pozitive në marrëdhëniet mes dy vendeve gjatë periudhës 4-vjeçare të mandatit të ambasadorit Prishepov, si dhe progresin real që këto marrëdhënie kanë njohur, në veçanti përsa i përket zgjerimit të bashkëpunimit ekonomik apo atij në fushën e arsimit, kulturës etj. Në këtë kontekst Kryeministri Berisha vlerësoi kontributin e ambasadorit Prishepov për forcimin dhe zgjerimin e lidhjeve të miqësisë ndërmjet të dy vendeve e popujve.
Ambasadori Prishepov, e falënderoi përzemërsisht për pritjen e ngrohtë dhe miqësore, duke shprehur vlerësimin dhe mirënjohjen e tij, për bashkëpunimin me Kryeministrin Berisha dhe qeverinë e tij gjatë këtyre viteve, si edhe për klimën e ngrohtë dhe marrëdhëniet e hapura dhe shumë të sinqerta që Kryeministri Berisha, i kishte rezervuar ambasadorit Prishepov gjatë gjithë periudhës së mandatit të tij në Tiranë.
Ambasadori u shpreh shumë i lumtur që kishte shërbyer në Shqipëri gjatë këtyre viteve, ku  kishte gjetur kushte shumë të mira bashkëpunimi. Ambasadori Prishepov vlerësoi ndryshimet e jashtëzakonshme dhe përparimin e pakrahasueshëm që ka arritur Shqipëria gjatë këtyre viteve. “Largohem me përshtypjet më të mira dhe do të vazhdoj të kontribuoj edhe në të ardhmen për forcimin e ndjenjave të miqësisë mes dy popujve dhe promovimin e Shqipërisë kudo që të ndodhem” - përfundoi Ambasadori Prishepov.
Në fund të takimit të dy personalitetet rikonfirmuan vendosmërinë e të dy vendeve për të forcuar marrëdhëniet dhe lidhjet miqësore midis të dy popujve. Me këtë rast, Kryeministri Berisha shtroi një drekë për nder të ambasadorit Prishepov,  në të cilën morën pjesë edhe përfaqësues të tjerë të trupit diplomatik të akredituar në Tiranë.26/01/2010

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›