E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha priti sot Sekretarin e Shtetit në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Indisë H.S Puri

Kryeministri Berisha priti sot Sekretarin e Shtetit në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Indisë H.S Puri

Pasi shprehu falënderimet për mikpritjen, zoti Puri shprehu kënaqësinë e veçante, që pritej nga Kryeministri Berisha dhe se kishte nderin t’i përcillte mesazhin e Kryeministrit të Indisë Manmohan Singh me kërkesën që Shqipëria si vend anëtar në Bordin e Guvernatorëve të Agjencisë Ndërkombëtare te Energjisë Atomike (IAEA) të përkrahe nismën e qeverisë indiane për vendosjen e bashkëpunimit mes Indisë dhe IAEA-s, si dhe nënshkrimin mes tyre të marrëveshjes së masave të sigurisë, që do të bëjnë të mundur hapjen e një pjese të centraleve bërthamore të Indisë për t’u inspektuar nga IAEA.  

Kryeministri Berisha e siguroi zotin Puri se qeveria shqiptare do të përkrahë këtë hap të rëndësishme të Indisë dhe e siguroi atë se qeveria shqiptare beson tek energjia nukleare si burim energjie më i pastër për mjedisin dhe të ardhmen e njerëzimit dhe si mënyrë efikase për t’iu përgjigjur ndryshimeve klimaterike.

Më tej, Kryeministri Berisha theksoi se mes dy vendeve ekzistojnë lidhje të rëndësishme historike si figura e Nënë Terezës. Zoti Puri vlerësoi gjithashtu tolerancën e shkëlqyer fetare në Shqipëri.

Duke falënderuar Kryeministrin Berisha për përkrahjen, zoti Puri e siguroi Kryeministrin për gatishmërinë e qeverisë indiane për të forcuar bashkëpunimin dypalësh në fusha me interes të përbashkët, sidomos në atë ekonomike.

Zoti Puri vlerësoi klimën më të favorshme, qe ka krijuar qeveria për investimet në Shqipëri, një fakt tashmë i njohur në arenën ndërkombëtare.  Kryeministri Berisha e siguroi se investitorët indianë do të kenë përkrahjen dhe mbështetjen e qeverisë shqiptare.  

Dy personalitetet diskutuan edhe për rëndësinë e intensifikimit të kontakteve në nivele të larta politike dhe shprehën gatishmërinë për kompletimin e të gjithë kuadrit ligjor për rritjen e shkëmbimeve ekonomiko-tregtare mes dy vendeve. Ne veçanti u theksua nevoja për forcimin e bashkëpunimit mes dy vendeve, veçanërisht në fushën ekonomike, në atë të energjisë hidrike, minerare, turizmit, dhe në fushën e  teknologjisë së informacionit.

Kryeministri Berisha dhe Sekretari i Shtetit Puri diskutuan edhe për zhvillimet në rajon dhe çështjen e Kosovës. Kryeministri Berisha theksoi se njohja e pavarësisë së Kosovës është e vetmja rrugë për paqe dhe stabilitet të qëndrueshëm në Kosovë dhe në rajon.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›