Sot paradite, Kryeministri Berisha përshëndeti konferencën "Kohezioni social, barazia gjinore dhe shanset e barabarta". Në këtë konferencë u prezantua strategjia kombëtare dhe plani i vepr
Sot paradite, Kryeministri Berisha përshëndeti konferencën "Kohezioni social, barazia gjinore dhe shanset e barabarta". Në këtë konferencë u prezantua strategjia kombëtare dhe plani i veprimit për barazinë gjinore. Duke e vlerësuar këtë dokument të rëndësishëm për të ecur përpara në rrugën e emancipimit të shoqërisë shqiptare dhe duke përshëndetur konferencën, Kryeministri, ndër të tjera, theksoi:
"Kam kënaqësi të veçantë të marr pjesë në këtë konferencë dhe të përgëzoj përzemërsisht organizatorët e kësaj konference si një ngjarje shumë të rëndësishme për mbarë shoqërinë tonë dhe Shqipërinë. Dua të falenderoj hartuesit e këtij dokumenti të shkëlqyer dhe t'i siguroj se qeveria do të mbështesë fuqimisht jetësimin e tij, si një kusht i domosdoshëm për të ecur përpara në rrugën e emancipimit kombëtar, që ka si kusht sinekuanom barazinë reale të burrit dhe gruas, të nënës e babait, motrës dhe vëllait. Në këtë kontekst, unë shoh në këtë strategji jo vetëm një program serioz për të zvogëluar hendekun dhe korrigjuar padrejtësitë, por edhe një program real serioz për të shpalosur atë potencial të madh intelektual dhe krijues, atë forcë të jashtëzakonshme, e cila mbartet në gjysmën e shoqërisë sonë, tek gratë dhe vajzat shqiptare.
Vërtet Shqipëria ka një rrugë të gjatë për të bërë, por ka dhe arritjet e saj në këtë fushë. Duke konsoliduar arritjet, si në fushën e arsimimit dhe fusha të tjera, ne duhet të zgjerojmë rolin tuaj, të krijojmë hapësirën që ju meritoni, të cilën ju mund ta mbushni me dinjitet, në mënyrë që misioni juaj i madh të kryhet sa më mirë. Nuk mund të mos jem i lënduar kur shoh shkallën e papërshtatshme të pjesëmarrjes suaj në politikë, por edhe më i lënduar ndjehem kur shoh shkaqet e vërteta të kësaj shkalle, shkaqe të cilat nuk e nderojnë shoqërinë tonë dhe bien ndesh me të ardhmen e këtij vendi.
Në këtë periudhë, gratë dhe vajzat shqiptare janë përballur dhe ende vazhdojnë të përballen me probleme madhore, ndër më të hidhurat mbetet trafikimi i tyre, një nga plagët më madhore të shoqërisë shqiptare të pas viteve '90. Ndaj dhe qeveria është e vendosur të bëjë çdo përpjekje, të adaptojë luftën me tolerancë zero ndaj këtij krimi, që shndërron vajzat dhe motrat tona në skllave. Rezultatet janë evidente, por dua t'i bëj thirrje çdo nëne, çdo vajze shqiptare të bashkojmë përpjekjet tona në mënyrë që asnjë vajze e grua e re shqiptare të mos mund të bjerë viktimë e trafikantëve, e skllavëruesve të saj. Ne do t'i japim përgjigje të shkëlqyer fenomenit të trafikimit vetëm atëherë kur këtë ta bëjmë çështje të çdo familjeje dhe komuniteti shqiptar, të të gjitha vajzave dhe grave shqiptare. Ne kemi ngritur kudo komitetet rajonale antitrafik. Është jetike dhe vendimtare të angazhohemi në këtë beteje për të mbrojtur vajzat e motrat tona nga ky viktimizim tmerrësisht i pamerituar.
Në familjen shqiptare është tashmë jo e rrallë dhuna familjare. Qeveria e ka trajtuar dhe mbështetur plotësisht nismën dhe ligjin për të penalizuar dhunën në familje. Kundër saj duhet të ngrihet një opinion më i fuqishëm. Ne duhet t'i trajtojmë me çiltërsi dhe vendosmëri fenomenet negative dhe jo t'i injorojmë e t'i fshehim ato. Ne duhet të krijojmë një opinion të përgjithshëm që, krahas veprimit të ligjit, është e domosdoshme që aktet e dhunës të marrin ndëshkimin merituar.
Familja shqiptare përballet me vështirësi të mëdha. Janë të shumta nënat që rrisin fëmijët pa baballarët e tyre, sepse në pjesën më të madhe të rasteve ata janë në emigracion. Nuk mund të them se është në nivelin e duhur kujdesi i shtetit dhe qeverisë për to, por ne po përpiqemi të krijojmë një rrjet mikrokreditimi në mënyrë të veçantë për gratë kryefamiljare për të lehtësuar dhe t'i mundësuar të përballojnë me dinjitet jetën e të rrisin fëmijët e tyre më me lehtësi.
Duke ju siguruar se qeveria është vendosur të mbështesë fuqimisht këtë strategji dhe se do të bëjmë çdo përpjekje që të shënojmë çdo ditë hapa të mëtejshëm drejt barazisë reale gjinore, mbetem thellësisht i vetëdijshëm se kombi pa shpalosjen e plotë të potencialit tuaj të jashtëzakonshëm nuk do të mund të kapë horizontet që synon, nuk do të mund të mbrojë vlerat që çelnikosin një shoqëri të qytetëruar, nuk do të mund të realizojë të ardhmen që meriton. Edhe një herë ju uroj suksese në këtë konferencë dhe ju siguroj për mbështetjen e plotë të qeverisë."