E Diel, 1 Nëntor 2026

Në vijim të vizitës në Berat, Kryeministri Berisha zhvilloi një takim me banorë të këtij qyteti. Në fjalën e tij, Kryeministri u shpreh: "Dëshiroj t'ju përshëndes përzemër

Në vijim të vizitës në Berat, Kryeministri Berisha zhvilloi një takim me banorë të këtij qyteti. Në fjalën e tij, Kryeministri u shpreh:

"Dëshiroj t'ju përshëndes përzemërsisht dhe t'ju shpreh mirënjohjen më të thellë për mbështetjen që ju, qytetarë të Beratit, u dhatë forcave demokratike në zgjedhjet e korrikut të 2005-ës, për mbështetjen që i dhatë ndryshimit të Beratit dhe ndryshimit të Shqipërisë.

Unë vij këtu për të paraqitur para jush ftesën, thirrjen, të vazhdojmë së bashku me koalicionin e fitores, koalicionin më të gjerë që Shqipëria ka njohur në historinë e saj, koalicionin më të fuqishëm, më të suksesshëm. Të vazhdojmë së bashku, të votoni për Sali Hoxhën, sepse unë ju premtoj se qeveria e koalicionit do të firmosë, do të financojë, do të mbështesë të gjitha projektet e zotit Sali Hoxha për Beratin dhe qytetarët e tij. Votoni për Sali Hoxhën, sepse së bashku, do të inagurojmë unazën e Beratit, do të inagurojmë parkun industrial të Beratit, do të inagurojmë modernizimin e shkollave të Beratit, të shërbimeve për qytetarët e Beratit.

Berati është dhe do të mbetet në epiqendër të investimeve të qeverisë së koalicionit. Jam këtu për t'u zotuar se do të rikonstruktohet e gjithë rruga Berat - Lushnje, do të rikonstruktohet rruga Poshnje - Fier, në mënyrë që Berati dhe Vlora të afrohen më shumë njëri me tjetrin, do të rikonstruktohen dhe ndërtohen qindra kilometra rrugë të tjera të zonës fushore dhe zonës turistike të Beratit. Ne nisim këtë vit projektin e madh të 6 mijë kilometra rrugë rurale dhe dytësore, në të cilat zona fushore e Beratit dhe zona tursitike do të jenë përparësi.

Ju ftoj të vazhdojmë së bashku, sepse në 3 korrik ju votuat një kontratë, ku neni i parë i të cilës premtonte shtypjen me zero tolerancë kundër krimit të organizuar, luftën me tolerancë zero kundër korrupsionit. Vij këtu tek ju, pasi kemi përmbushur luftën kundër krimit të organizuar me tolerancë zero. Ju jeni dëshmitar se ku janë sot aldo baret e Lushnjes, nehat kullat e Tiranës, kuqot e Beratit. Ata kanë dhe do të kenë vetëm një fat ligjin, ligjin dhe vetëm ligjin.

Të vazhdojmë së bashku se, në rast se kemi vendosur para drejtësisë vrasësit serialë, trafikantët, shefat e tyre janë akoma në ofiqe politike. Sepse Kuqon e mbronte kuqoja në krye të prokurorisë dhe deputeti i tij, se Aldo Baren e mbronte aldoja në krye të prokurorisë dhe në KLD. Por ne, jemi burra dhe gra që, me vullnet të hekurt, do t'i japim vendin e merituar krimit të organizuar kudo që të ndodhet, në zyrat e shtetit, apo në hotele luksoze, malet e Alpeve, apo edhe në papafingot e Ankarasë. Ata kanë vetëm një fund, ligjin dhe vetëm ligjin.

Ne u zotuam para jush se do të mbrojmë paratë tuaja nga grabitësit e tyre, do t'i shpëtojmë ato nga zyrtarët e babëzitur, nga kontrabandistët. Unë vij këtu, për t'ju informuar se, në një vit, ne ia dolëm të shpëtojmë jo me 100 apo 200, por me plot 600 milionë euro taksat tuaja, të cilat i shndërruam në një të mirë të prekshme, për mbi 510 mijë pensionistë, nga të cilët 400 mijë nuk marrin sot pension nën 100 mijë lekë në qytet dhe 50 mijë lekë në fshat.

Ne i shndërruam ato në mirësi për 35 mijë arsimtarë shqiptarë që marrin sot 23 përqind më shumë se një vit më parë.

Ne i shndërruam ato në mirësi të 108 mijë nëpunësve zyrtarë që marrin mesatarisht 20 përqind më shumë se sa merrnin më parë.

Ne i shndërruam ato në të mira për rininë shqiptarë dhe dyfishuam numrin e studentëve në universitetet tona.

Ne i shndërruam ato në rrugë dhe ju them me kënaqësi të veçantë se, 3 muajt e fundit të vitit që shkoi dhe në 3 muajt e parë të këtij viti, në Shqipëri ne kontratuam punëra publike në rrugë, më shumë se në 80 vite të marra së bashku.

Këtë vit ne inagurojmë tunelin më të gjatë të Ballkanit, tunelin e rrugës Durrës - Morinë - Prishtinë. Këtë vit ne inagurojmë autostradën me katër korsi Fier-Vlorë. Muajt e parë të vitit inagurohet autostrada Korçë - Qafë Plloç, gjithashtu, do të përfundojë studimi i boshtit qendror të jugut dhe ju e dini që unë jam mbështetës i palëkundur i tij.

Por, këtë luftë kundër krimit të organizuar, kundër korrupsionit, e kanë ndier mbarë qytetarët shqiptarë, sepse ata vet, në Luksenburg, bashkë me mua, kanë firmosur marrëveshjen e Stabilizim Asociimit me Bashkimin Europian, që afron Beratin dhe Shqipërinë me Bashkimin Europian. Kjo përpjekje është ndier për mbarë shqiptarët, të cilët e shohin anëtarësimin e Shqipërisë në NATO si të ardhmen më të sigurt të fëmijëve të tyre dhe të vendit të tyre. Në Samitin e Rigës, Shqipëria ishte një nga 3 vendet që u citua se mund të marrë ftesën si kandidat për anëtarësimin në NATO në samitin e ardhshëm të zgjerimit të Aleancës.

Kjo luftë bëri të mundur nënshkrimin e marrëveshjes së Sfidës së Mijëvjeçarit dhe po punohet me projekte të mëdha që t'i mundësojnë qeverisë të shpëtojë, jo 600 milionë por 1 miliardë euro, të taksave tuaja nga shpërdorimi dhe abuzimi.

Të vazhdojmë së bashku, sepse ne jemi të vendosur të ndryshojmë jetën tuaj. Theksova se nga kjo luftë ne shpëtuam, në një vit, 600 milionë euro, por dua t'ju informoj se nuk kanë qenë vetëm këto efektet. Komuniteti ndërkombëtar ka trefishuar kredinë për Shqipërinë dhe qeverinë shqiptare, vetëm dhe vetëm për shkak të suksesit të luftës kundër korrupsionit.

Ne bëmë përpjekje serioze që prodhimet shqiptare të shiten në tregun shqiptar. Pati ankesa nga trëgtarët, sepse i gjenin më lirë në tregun e huaj. Kjo është e vërtetë, por prodhimet tona janë bio, kanë vlerë të dyfishtë, në krahasim me të gjitha importet që hyjnë në Shqipëri. Ndaj, i garantoj prodhuesit e Beratit se ne do të mbrojmë prodhimet e tyre.

Qytetarë të Beratit !

Në 18 shkurt, këtu në Berat, përballet përpjekja juaj për ndershmërinë, respekti juaj për njëri-tjetrin, mbështetja juaj për luftën kundër korrupsionit. Këtu përballet njeriu që e do Beratin, që ju do ju, fëmijët tuaj, njeriu i cili do ta ndryshojë këtë qytet në funksion të qytetarëve, me edvinistin Nasufi. Tani më lejoni të shtroj një pyetje. Shoku Fadil, ke ndërtuar një vilë si kështjellë, edhe Edvini tjetër e ka bërë muzeun në Pezë si kështjellë. Nuk mund të them se kanë përfunduar në mure, dyer dritare, dhe kolltuqe, taksat e qytetarëve të Beratit, por druaj se shumica e tyre po. Por, për këtë le ta hetojë këshilli bashkiak dhe institucionet e tjera. Një gjë po të them, shoku Fadil, se nuk ke ndërtuar 5 apartamente për të strehuar qytetarët e Beratit, por ke ndërtuar një vilë sa për 5 apo 10 familje. Ke ndërtuar një kështjellë sikur të ishe pashai i Beratit. Fadil, të ka skaduar mandati. Kaq mund t'i themi atij.

Unë u ndala vetëm në kështjellën e tij këtu, pa cituar prona të tjera që ky edvinist ka arritur të krijojë, absolutisht vetëm e vetëm duke përvetësuar taksat e qytetarëve të Beratit dhe detyrën e vet. Prandaj, mos votoni për një qeveritar me mandat të skaduar. Votoni Sali Hoxhën, keni votuar për veten tuaj, keni votuar për Beratin, qytetin e krenarisë kombëtare.

Para dy netësh u gjenda në Edinburg. Do të darkonim në një kështjellë me dinjitarë nga më të lartët e Europës dhe botës. Po diskutohej për lashtësinë e Kështjellës, njëra pjesë ishte e viteve 800 dhe pjesa tjetër e viteve 1300. Pasi i dëgjova, u thashë se duhet të vinin në Shqipëri, të vizitoni Beratin 2500 vjeçar. Zoti i bekoftë qytetarët e Beratit".

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›