E Diel, 1 Nëntor 2026

Pasditen e sotme, Kryeministri Berisha pas kthimit të tij nga Berati zhvilloi një vizitë në qytetin e Kavajës, ku u takua me banorë të këtij qyteti dhe prezantoi kandidatin për kryetar bashki

Pasditen e sotme, Kryeministri Berisha pas kthimit të tij nga Berati zhvilloi një vizitë në qytetin e Kavajës, ku u takua me banorë të këtij qyteti dhe prezantoi kandidatin për kryetar bashkie, zotin Refik Rrugia.

Në fillim të fjalës së tij përshëndetëse, Kryeministri iu drejtua banorëve duke u shprehur atyre mirënjohjen dhe falenderuar nga zemra:

"Të dashur qytetarë të Kavajes! Më lejoni tju falenderoj ju, burrave dhe grave të këtij qyteti që e mbajtët të pashuar flakën e zemrës, shpirtin e punëtorit. Unë dua tu siguroj se qëndresa juaj, ndershëmëria juaj, përkushtimi juaj, janë një burim parësor energjie, entuziazmi dhe frymëzimi, për mua në detyrën time të përditshme."

Në fjalën e tij, Kryeministri Berisha u shpreh se do të mbështesë me të gjitha forcat kryetarin e ardhshëm të bashkisë, në realizimin e të gjitha projekteve për qytetin e Kavajës. Këto projekte, tha Kryeministri, do të jenë të shumta dhe do të përfshijnë Pallatin e Kulturës së qytetit, ndërtimin e rrugëve dytësore rurale, si dhe projektin për spitalin e Kavajës. Duke u ndalur në ndërtimin e rrugëve dytësore, Kryeministri u zotua se nga ky projekt do të përfitojnë të gjitha komunat e qytetit.

Kryeministri Berisha u shpreh se në një vit qeverisje u arritën suksese të dukshme në luftën kunder krimit të organizuar, trafiqeve dhe korrupsionit, duke i rikthyer qytetarëve shqiptarë paratë e rrëmbyera nga aferat korruptive.

"Qytetarë dhe qytetare të Kavajës, mund tu them me çiltërsi se çdo votë e juaja, do të kthehet në mirësi për ju. Ne ia dolëm që brenda një viti të kapim dhe të vendosim përpara ligjit të gjithë kapobandat e Shqipërisë, anëtarët e bandave të tyre.

Nga kjo betejë ne ai dolëm të shpëtojmë nga abuzimi i qeveritarëve dhe zyrtarëve, jo më pak se 100 milion euro. Në zyrën e kryeministrit shpenzimet operative u zvogëluan me 52 perqind. Ne ia dolëm që të shpëtojmë qindra e qindra milionë euro. Në total ne e mbyllëm vitin 2006 duke i çuar paratë truaja në 600 milion euro. Dhe të gjitha këto ne i kthyem në mirësi për çdo qytetar shqiptar.

Ne ia dolëm që nga këto para të përfitojnë pensionistët shqiptarë të cilët, në qytet nuk marrin më pak se 100 mijë lekë të vjetra në qytet dhe jo më pak se 50 mijë letë të vjetra në fshat. Janë 12 mijë infermierë që marrin 25 perqind më shumë se 1 vit më parë. Janë gjithashtu 108 mijë punonjës që marrin 38 perqind më shumë se sa një vit më parë.

Me paratë që ne morëm hapëm dyert e universiteteve. Të gjithë ata të rinj që mbarojnë shkollat e mesme i gjejnë dyert e universiteteve të hapura, mes një procesi serioz dhe të ndershëm."

Më tej, kryeministri u ndal në lehtësirat që përfitoi biznesi nga përgjysmimi i taksës për biznesin e vogël, ulja e përqindjes së sigurimeve shoqërore dhe uljen e çmimit të energjisë elektrike, të cilat bënë që, vitin e shkuar, Shqipëria të zerë vendin e parë për uljen e taksave në përqindje.

"Paratë që ne morëm ua dhamë të biznesmenëve, sepse ata janë gjeneratori i mirëqënies së një kombi dhe të nje vendi. Ndaj dhe ne përgjysmuam taksën e biznesit të vogël, ulëm me 31 perqind sigurimet shoqërore dhe kështu Shqipëria vitin që shkoi ka zenë vendin e parë për uljen e takasave në përqindje."

Gjithashtu, Kryeministri u zotua se do të shtohen bursat për fëmijët shqiptarë dhe do të rritet numri i të rinjve që vazhdojnë shkollën e mesme. "Ne do të bëjmë që fëmijëtë shqiptarë të shkollohen të gjithë dhe të shkollohen në shkolla moderne. Numri i të rinjve që vazhdojnë shkollën e mesme nga 37 perqind është rritur në 60 perqind, por asnjëherë nuk do të kënaqemi pa kapur të paktën 80 perqind, atëherë mund të themi se kemi detyrën ndaj fëmijëve tanë, se kemi arritur nivelin arsimor që meritojmë sikundër do të shtrijmë internetin në të gjitha shkollat, do ta zgjerojmë atë, sepse ky është ushqim për trurin , për fëmijët tanë , për të ardhmen e tyre, për të ardhmen tonë dhe të Shqipërisë."

Në përfundim të fjalës së tij Kryeminitri theksoi se "aspirata jonë është integrimi në Evropë dhe brenda një kohe të shkurtër ne ia dolëm të firmosim marrëveshjen e stabilizim asociimit sepse bota i beson Shqipërisë dhe qeverisë së saj.

Këto zgjedhje kanë përballë dy rryma, rrymen e ndryshimit të madh, rryma që zhvillon qytarin dhe mirëqenien e tij dhe rryma e kleptokracisë e cila ka krijuar qeveritarët zengjinë, jo nga djersa e tyre, por nga privatizimi i taksave të qytetarëve.

Sot Tirana, Kavaja dhe mbarë Shqipëria janë të vendosur, janë të zotuar, të zhvillojnë zgjedhjet më të lira më të ndershme, më serioze se kurre ndonjehere "

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›