Kryeministri Berisha takim me deputete te Bundestagut
Kryeministri, Sali Berisha ka takuar një grup deputetësh të Bundestag-ut gjerman, anëtarë të grupit të miqësisë Gjermani-Shqipëri, të kryesuar nga kryetari i këtij grupi, zoti Peter Weiss. Kreu i qeverisë theksoi disa nga arritjet e rëndësishme në të gjitha fushat, duke u ndalur veçanërisht në fushën e shëndetësisë, të arsimit, arritjet në luftën kundër krimit dhe korrupsionit. Po ashtu ai nënvizoi realizimin e standardeve për qeverisje të mirë, por edhe në realizimin e projekteve të rëndësishme infrastrukturore, ndërtimin e mbi 8 mijë kilometra rrugë apo projekte të tjera që kanë bërë të mundur që ekonomia shqiptare, pavarësisht krizës që po përjeton Europa, të realizojë një rritje rreth 4 herë më të lartë se mesatarja e rajonit. Nga ana tjetër, qeveria shqiptare, theksoi Kryeministri, vijon të mbështesë politikat sociale, duke e rritur faturën sociale në buxhetin e shtetit në 9 përqind të GDP-së, çka ka bërë të mundur që Shqipëria të realizojë edhe rritje të rrogave e pensioneve, duke e renditur atë në grupin e vendeve me të ardhura të mesme të larta.
Nga ana e tij, zoti Weiss ka shprehur vlerësimin, edhe në emër të kolegëve të tij, për progresin e jashtëzakonshëm që Shqipëria ka bërë gjatë këtyre viteve. Në veçanti, deputetët gjermanë vlerësuan zhvillimin e konsiderueshëm të ekonomisë së vendit, por edhe nismat ligjore që janë miratuar, të cilat i korrespondojnë standardeve europiane.