E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha takim me kryetarin e Klubit te Biznesit francezo-shqiptar

Forcimi i lidhjeve mes biznesit francez dhe atij shqiptar ishte tema e bisedës në takimin e zhvilluar sot mes kryeministrit Berisha, kryetarit të Klubit të Biznesit francezo-shqiptar, z. Julien Roche dhe drejtorit Ekzekutiv të Bankës Societe General në Shqipëri, z.Hubert de Saint Jean.
Gjatë këtij takimi kryeministrit Berisha u njoh me projektet e Klubit të Biznesit francezo-shqiptar të sapo krijuar në Francë, të mbështetur edhe nga Ministria e Ekonomisë franceze, bankat dhe sistemi financiar francez. Ky Klub është guri i themelit të Dhomës së ardhshme të Tregtisë francezo-shqiptare.
Gjithashtu, z.Julien Roche dhe z. Hubert de Saint Jean i prezantuan Kryeministrit programin e kësaj organizate, duke theksuar se krijimi i saj është produkt i interesit të madh të biznesit francez ndaj Shqipërisë dhe, sidomos, i biznesit të madh francez, ndërkombëtar. Në këtë organizatë janë anëtarësuar shumë biznese që po fillojnë studime dhe projekte investimi në Shqipëri, si një vend me potenciale të mëdha zhvillimi dhe stabilitet ekonomik e klimë shumë të favorshme biznesi, në këtë kohë të vështirë krize ekonomike botërore.
Ata e ftuan kryeministrin Berisha në ceremoninë e hapjes të kësaj organizate ekonomike, e cila do të forcojë lidhjen e biznesit francez me biznesin shqiptar dhe do të orientojë e mbështesë një sërë projektesh investimi franceze në Shqipëri.
Nga ana e tij kreu i ekzekutivit shqiptar garantoi mbështetjen pa rezerva të qeverisë së tij, për të drejtuar me sukses projektet franceze në fusha shumë të rëndësishme dhe strategjike, edhe për qeverinë shqiptare.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›