Kryeministri Berisha takohet dhe bashkëbisedon me fermerët e Divjakës

Në vijim të takimeve me qytetarët, Kryeministri Berisha u ndal sot në bashkinë e Divjakës, ku zhvilloi një bashkëbisedim me fermerë dhe banorë të kësaj zone, në kuadër të programit “Shqipëria, vend i zhvilluar”. Kryeministri Berisha dëgjoi mendimet, opinionet dhe sugjerimet e fermerëve lidhur me problematika të ndryshme, si dhe iu përgjigj një sërë pyetjesh dhe shqetësimesh të ngritura prej tyre, duke shprehur angazhimin maksimal që në katër vitet e ardhshme do të bëhet gjithçka për një mbështetje të gjithanshme dhe të fuqishme.
Më poshtë vijon, fjala dhe bashkëbisedimi i Kryeministrit Berisha me fermerët e Divjakës:
“Së pari, dëshiroj t’ju falënderoj nga zemra për këtë pritje të ngrohtë dhe vëllazërore; dëshiroj t’ju përshëndes përzemërsisht ju dhe të gjithë qytetarët e bashkisë së Divjakës, të gjithë fermerët, të gjithë banorët e kësaj bashkie; të përulem me shumë nderim para shpirtit tuaj punëtor. Në bashkinë tuaj, në këtë zonë, fermerët punëtorë mbjellin dhe korrin si askund tjetër në Shqipëri, në çdo kohë, në çdo stinë, në mënyrë të pandërprerë. Ndërkohë, ju e keni organizuar këtë qytet dhe e keni shndërruar në një nga qytetet më të bukura të bregdetit të gjithë Shqipërisë, duke shfrytëzuar potencialin e madhe turistik që ju keni.
Unë jam sot me një qëllim: të dëgjoj zërin tuaj, të dëgjoj mendimet tuaja, të dëgjoj propozimet tuaja, të njihem më afër me hallet dhe dertet tuaja, në mënyrë që në katër vitet që vijnë të përpiqemi tu japim përgjigjen më të shkëlqyer problemeve që ju keni. Së bashku të hartojmë dhe të ndërtojmë vizionin më të mirë për një Divjakë të zhvilluar, një Lushnjë të zhvilluar dhe një Shqipëri të zhvilluar.
Këto vite ne, me të gjithë përpjekjet tona, nuk kemi arritur të bëjmë ato që ju keni nevojë, por këto vite, ne ju kemi faktuar juve, u kemi faktuar fermerëve të mbarë Shqipërisë, se për ne problemi i tyre, i fermave të tyre, i tregut për to, janë çështja më kryesore. Pra, në rast se investimet nuk na kanë lejuar ne tu japim përgjigje dhe zgjidhje të gjitha problemeve tuaja, me investimet që kemi bërë, me projektet që kemi zbatuar, besoj se ne kemi faktuar se jemi seriozë me përpjekjen tonë për zhvillimin rural të Shqipërisë.
Unë po marr vetëm rrethin tuaj dhe Divjakën. Gjatë këtyre viteve, ne kemi ndërtuar dhe rindërtuar në këtë rreth 270 kilometra rrugë dhe përsëri ka shumë kilometra të tjerë për tu ndërtuar dhe rindërtuar. Në këto vite, ne kemi mbështetur me grante dhe kredi mbi 1000 fermerë të rrethit tuaj. Në këto vite, ne kemi bërë investime serioze në të gjithë sistemin ujitës, në të cilin investime shumë më të mëdha duhen. Në këto vite, ne kemi dyfishuar lidhjet ndërkombëtare rrugore të Shqipërisë. Lidhje këto që kanë qenë jetike për eksportet tuaja; lidhje këto, të cilat kanë bërë që ju më lehtësisht të eksportoni prodhimet tuaja. Në këto vite, ne në Lushnjë dhe në mbarë vendin kemi subvencionuar me grante 42 mijë familje fermerësh shqiptarë, është më shumë se 10 përqind e fermerëve ekzistues.
Natyrisht, nevojat janë shumë më të mëdha, por mendoj se me të gjitha këto, një gjë e kemi faktuar: përkushtimin tonë ndaj jush dhe jo injorimin tuaj. Nuk e them për politikë dhe nuk aplikohet në rastin e Divjakës, por gjatë viteve në opozitë dëgjoja shpesh qeveritarët e vendit të thoshin se ka zona që i përjashtonin nga investimet, kishin bërë hartën. Kishin zhvilluar konceptin e zonave të asgjësë. Kjo nuk është e vërtetë për Shqipërinë. Natyrisht, territori i saj nuk është Divjakë, por ju garantoj se territori i saj prodhon në të katër anët e tij. Ky është një vend plot dritë, plot diell, plot ujë. Kjo është një tokë pjellore. Ne, të udhëhequr nga ky parim, jemi përpjekur të investojmë në të katër anët e vendit. Muaj më parë unë kalova nga Peshkopia për në Kukës, po ndërtojmë rrugën. U ndala në Kala të Dodës. Një fermer, i gëzuar për rrugën, më tha se ishte kthyer nga emigracioni, po ndërtonte jetën atje. Kjo, - më tha ai, - sepse në rast se përpara më duheshin shtatë orë për të zbritur nga Kalaja e Dodës në Kukës, sot unë zbres në Kukës për gjysmë orë, për dy orë e gjysmë jam në Tiranë. Kërkesa e tij ishte që t’i ndërtonin edhe tre kilometra rrugë të fshatit. Mua më vjen keq që ende nuk ia kemi ndërtuar, por i premtoj se do të ndërtohen.
Këto vite, ne përcaktuam parimin: infrastrukturë të njëjtë me lagjet e qytetit, në të gjitha fshatrat e vendit, shkolla të reja dhe moderne ujësjellës e kanalizime, energji elektrike dhe qendra shëndetësore. Të tjerat, fermerët me punën i krijojnë me punën e tyre. Por ne duam që fëmijët, të rinjtë e tyre të rriten në kushte të njëjta me ato që kanë fëmijët në një lagje qyteti. Bazuar në këtë princip, ne kemi asfaltuar në mbarë vendin mbi 10 mijë kilometra rrugë. Dhe unë mund t’ju them se nga këto 10 mijë kilometra, rreth 8 mijë kilometra janë të Shqipërisë rurale. Ne kemi edhe disa mijëra kilometra për t’i asfaltuar dhe do t’i asfaltojmë. Do t’i asfaltojmë ato, sepse pa zhvillimin e harmonishëm, të qëndrueshëm dhe të gjithanshëm të Shqipërisë, Shqipëria nuk mund të jetë kurrë vend i zhvilluar. Kudo, njerëzit mund të ndërtojnë fermat e tyre, njerëzit punëtorë mund të ndërtojnë jetën e tyre, të paktën të dalin nga varfëria. Në Shtyllë të Korçës një fermer mbarështon, në lartësinë 1500 metër, një fermë me lopë franceze, një racë shumë e mirë. Dy muaj më parë ai më bëri një mesazh ku më thoshte: mbeta i bllokuar dhe më kërcënohet tufa e lopëve. Natyrisht, bëra çmos për ta ndihmuar. E përmenda këtë shembull për të thënë se sa i rëndësishëm është zhvillimi i harmonishëm i vendit. E them këtë për t’ju dëshmuar vendosmërinë time, të qeverisë, se katër vitet e ardhshme do të bëjmë gjithçka për një mbështetje të gjithanshme dhe të fuqishme.
Të dashur miq,
Prodhimi bujqësor dhe zhvillimi rural është i një rëndësie kapitale. Çfarë tregon kjo krizë? Kjo krizë botërore tregon se është një gabim me pasoja shumë të rënda, në qoftë se hiqet dorë nga prodhimet e mundshme që një vend mund të bëjë. Kjo krizë fakton se prodhimi dhe punësimi duhet të jenë qëllimet më kryesore të çdo qeverie, të çdo shoqërie dhe të çdo vendi. Ne i përmbahemi kësaj. Katër vitet që vijnë ne do të bëjmë gjithçka që të shumëfishojmë prodhimin tuaj. Një gjë kam kënaqësi t’ju informoj. Në gjashtë vitet e fundit eksportet bujqësore nga 66 milionë dollarë kanë arritur në 164 milionë dollarë. Por a jam i kënaqur me këtë? Jo, absolutisht, sepse kam bindje se 10 herë më shumë dhe mbi 10 herë më shumë është potenciali ynë. Kjo ka një rëndësi të jashtëzakonshme për ekonominë shqiptare. Ka rëndësi, sepse kjo balancon atë që quhet bilanc pagesash, raportet midis eksporteve dhe importeve. Deri më sot kjo balancë është e çrregulluar. Është mbuluar në një mënyrë apo një tjetër nga paratë e emigrantëve, por është në detyrën tonë të bëjmë gjithçka për të siguruar këtë balancë nëpërmjet prodhimeve tona.
Unë e bëra këtë hyrje, por, siç kam deklaruar edhe në takime të tjera, për mua deri më datë 23 qershor ju, qytetarët, jeni dhe do të jeni Kryeministri im.
Faleminderit për vëmendjen!
Pyetje: Zoti Kryeministër, ju falënderojmë për këtë bashkëbisedim me fermerët e Divjakës. Si ka qenë dhe si është sot Divjaka? Para ardhjes së demokracisë, Divjaka ishte një vend i humbur. Më konkretisht, nuk dilte dot një mjek, nuk dilte dot një jurist, nuk dilte dot një inxhinier në Divjakë, vetëm agronomë, sepse ata duhet të shkonin në Krutje dhe në Lushnjë. Me ardhjen e demokracisë, Divjaka ndryshoi, nga fshat në një qytet që konkurron në qytetet më të mira të vendit. Është merita juaj e pashmangshme, zoti Kryeministër dhe ne ju jemi mirënjohës. Duke parë infrastrukturën e Divjakës, ajo është për t’u vlerësuar dhe ne ju jemi borxhlinj. Rruga nga Pushimi i Shoferit në Divjakë ishte një vend i humbur, tani është një pikë lidhjeje e jashtëzakonshme. Jam i bindur se do të na premtoni edhe rrugën Divjakë – Çermë.
Zoti Kryeministër, kam edhe disa kërkesa, për të cilat kam besim se ju do të na premtoni zgjidhjen e tyre. Ç'mund të behet për të zgjidhur problemin e sistemeve të kullimit dhe sistemeve të vaditjes, të cilat mungojnë në zonën tonë? Me shiun e parë që bie përmbytet një hektar e gjysmë tokë, por nuk duhet harruar se nëse viti ka 12 muaj, Divjaka prodhon 13 here. Gjithashtu, kemi edhe problemin e plehrave kimike, farërave , me çmimet e të cilave po abuzohet. Kontrolli mungon, por edhe nëse kontrollohet, sërish me to abuzohet. Ju zoti Kryeministër kur i keni dhënë fjalën e keni mbajtur, ndaj dua të na jepni fjalën përsëri sot.
Kryeministri Berisha: Së pari, dua të ndalem në zhvillimin e kësaj zone. Zhvillimi, para së gjithash është vepër e juaja, e mundit, e djersës, e punës, përkushtimit tuaj si njerëz të lirë. Në këtë aspekt, unë kam nderimin tim për të gjithë ju.
Në Divjakë ne kemi investuar këto vite, kryesisht në rrugë, 900 milionë lekë në të gjithë sistemin rrugor, nga Divjaka, te Pushimi i Shoferit e në disa rrugë të tjera. Unë ju garantoj se, jo vetëm rrugën e Çermës, por çdo rrugë tjetër, do të rindërtohet dhe asfaltohet. Ky është qëllim kryesor. Unë ju garantoj se më shumë se 2/3-at e fondeve, çdo vit, janë vendosur për rrugët. Por kur e nisëm këtë sistem rrugësh, në gjithë Shqipërinë kishim 2430 km rrugë të asfaltuara. Kjo ishte e vërteta. Kur deklarova se do të asfaltojmë 6 mijë km, kundërshtarët e mi thanë se ato nuk ekzistojnë. Në fakt, Shqipëria ka 18 mijë e 300 km rrugë. Një gjeolog e ka shprehur bukur; “po ta “hekurosësh” Shqipërinë, është sa gjysma e Kanadasë”, në aspektin e relievit. Pra, në këtë kontekst, them se kemi bërë mirë që u morëm me rrugët, sepse rruga është “Alfa” për tregun, zhvillimin, nuk është thjesht nxitje prodhimi, por është shkollim, kujdes shëndetësor, pra rruga është jetike. Një fjalë thotë: ti ndërton rrugën, rruga ndërton ty.
Cili do të jetë projekti tjetër i yni i madh? Do të jetë forcimi i sistemeve të vaditjes, para së gjithash. Do të bëjmë gjithçka që, në këtë vend plot ujëra, të garantojmë vaditjen në të katër anët e tij. Ju në Divjakë keni të gjitha projektet dhe shumë shpejt do të fillojë zbatimi i tyre, ku do të garantohet ujitje për 2500 ha, të cilat sot janë ashtu siç ju thatë, pra presin pikat e shiut për t’u vaditur. Janë përcaktuar të gjitha ndërhyrjet se ku do bëhen shpimet e puset, për të garantuar ujitjen. Një projekt që është bërë së bashku me BB-në, ka nisur zbatimin e tij dhe përfshin plotësisht Divjakën.
Gjithnjë, kur them sisteme vaditjeje, gjithnjë ato do të paraprihet nga sistemet e kullimit. Ne kemi investuar jo pak në këtë drejtim, sidomos në rrethin tuaj, por sërish investime të tjera duhen, për të garantuar tërësisht kullimin. Ju e thatë bukur se këtu mbillet 13 herë në vit dhe ata hektarë që mbillen, dënohen për të mos prodhuar në periudhën që janë me ujë.
Krahas këtyre, ne kemi arritur në një përfundim tjetër, do të shumëfishojmë grantet për ju dhe kreditë e buta. Kjo ka nisur që këtë vit. Ne shkuam rreth 1 miliardë pothuajse, nëpërmjet Komisionit Evropian dhe do të shtojmë edhe në vazhdim, por do të bëjmë gjithçka për të nxitur përpunimin, do të bëjmë çdo gjë për të zbutur kreditë për agrobiznesin. Ju e keni dëgjuar, ne do të heqim çdo lloj TVSH-je për çdo lloj malli që importohet për interes të fermerëve, ose që blihet në vend për fermat, me kusht që ai të mos u dëmtojë ju. Psh. fara e grurit prodhohet gjerësisht në vend dhe nuk ke leverdi ta dëmtosh atë. Do heqim TVSH-në për të gjitha bagëtitë e racës, të gjitha materialet elitare që nevojiten për përmirësimet racore, do heqim TVSH-në për fidanët, për çdo lloj makinerie.
Ne e bëjmë këtë në mënyrë që ju të bëheni më konkurrues me fermerët e vendeve të tjera. Unë besoj se kjo është një lehtësi serioze. Unë mund t’u them se vetëm nga TVSH-ja e gjedhëve racorë, e fidanëve, në një vit, buxheti i shtetit do të ketë më pak rreth 23 milionë euro, kurse në tërësi, për heqjen e TVSH-së për importet bujqësore dhe materialet që shiten për bujqësinë, kjo ulje mund të shkojë në rreth 70 milionë euro. Por, jam i bindur se po veprojmë drejtë, sepse jo në Divjakë ndoshta, por në tërësi, në shkallë vendi, kapacitetet prodhuese janë 10 herë më të mëdha sesa këto që kemi sot. Këtu janë shfrytëzuar këto kapacitete, pasi ashtu siç ju thatë, mbillet 13 herë, por nuk është kjo situatë në të gjitha zonat e tjera. Ne jemi një vend me sipërfaqe bujqësore ndër më të voglën në Evropë, 1800 m katror për frymë. Por a kemi potenciale për të shumëfishuar këtë sipërfaqe?. Sigurisht që po, sepse tokën e kemi pjellore kudo. Para tre muajsh, ndërtuam një rrugë në Qereshnik të Beratit. Unë nuk kisha qenë ndonjëherë, por atje tokë bujqësore syri të kapte pak, të tëra ishin kodra të pjerrëta shumë, por të gjitha ishin të qëndisura në mënyrë të mrekullueshme nga ata burra e gra punëtorë. Ata ishin shumë të kënaqur që u shkoi rruga dhe kishin mbjellë mijëra e mijëra rrënjë ullinj, por kishin sipërfaqe të tjera për të mbjellë edhe mijëra të tjerë. U ndala te kjo për të thënë se potenciali ynë është shumë i madh dhe ne duhet të ecim me vendosmëri.
Ne kemi ecur në një drejtim shumë mirë, në një përpjekje botërore për pyllëzim. Në këtë drejtim, unë u them bashkëpunëtorëve të mi se duhet të pyllëzojmë me dru frutorë, me ullinj, të pyllëzojmë me arra, me gështenja, lajthi, me mollë, sepse ky është vendi ideal i drurëve frutorë. Ndaj dhe ne do të ecim me një përparësi shumë të madhe për të mbështetur fermerët.
Lidhur me problematikën e abuzimeve me çmimet për farërat e plehrat kimikë, unë e di këtë dhe për të njëjtën gjë po më informonte para disa ditësh ministri i Financave, i cili kishte qenë në Korçë dhe të njëjtin shqetësim i kishin ngritur edhe fermerët e Korçës; se tregtarët janë dorështrënguar dhe nuk ta shesin kurrë thesin saktë. Unë ju garantoj se do të ketë kontrollet më të rrepta, për të marrë përgjigjen më të merituar abuzuesit. Unë ftoj tregtarët që ta mbajnë shënim këtë, sepse është në interesin më të mirë të tyre. Lidhur me faktin që heqja e disa TVSH-ve ende nuk është konkretizuar, kjo vjen sepse në të vërtetë po vijnë sugjerime në mënyrë të vazhdueshme. Nga Lushnja mua më erdhi një sugjerim i veçantë për materialin elitar të përmirësimit racor. Pra, ne jemi duke e plotësuar këtë ligj, në mënyrë që ai të jetë më i plotë i mundshëm që mund të ekzistojë. Shumë shpejt, ai do të realizohet.
Pyetje; Zoti Kryeministër, në Divjakë lind shumë nevoja e ruajtjes së dy resurseve kryesore të kësaj zone, ruajtja e pyllit dhe bregut të tij. Këtu dua të ndalem në dëmin që po i shkaktojnë këtij bregu prurjet e luginës Shkumbin. A mendoni se do të ishte i nevojshëm një masterplan për kalimin e të gjitha inerteve të këtij lumi dhe për gjetjen e një mundësie reale që këto prurje të lumit Shkumbin, të mos shkatërrojnë dhe devijojnë vijën bregdetare aty, ashtu siç ka ndodhur dhe po ndodh në këto dy dekada? Së dyti: Në Divjakë lind nevoja e nxitjes së shkollave profesionale, veçanërisht për arsyen se Divjaka është një vend me potenciale turistike e bujqësore. Ç ’mund të bëhet më shumë në këtë drejtim?
Kryeministri Berisha: Ju falënderoj shumë për çështjet që ngritët. Për çështjen e parë, jam absolutisht dakord me ju dhe i kam në vëmendje problemet madhore të prurjeve të lumit Shkumbin. Gjykoj dhe besoj se ndërhyrja është shumë imperative. Ju garantoj se ne do të bëjmë masterplanin për një ndërhyrje përfundimtare, në mënyrë që ky lumë, një pasuri e madhe, të mos mund të shndërrohet në një rrënues për këtë zonë, që është një nga zonat më të bukura të Adriatikut. Duhet të dini edhe diçka, në derdhje të Shkumbinit, ka projekte të mëdha turistike, të cilat edhe këto, në vetvete, janë një imponim për një trajtim serioz e eficent të problemit të prurjeve dhe dëmit që i bën ky lumë plazhit të Divjakës dhe bregut në tërësi.
Lidhur me çështjen e shkollës, një nga drejtimet më kryesore që duhet të marrë arsimi ynë, është arsimi profesional, arsimi teknik. Në këto vite, ne kemi arritur që 92 për qind e nxënësve të mbarojnë shkollat 9 vjeçare, të ndjekin shkollat e mesme, 71 për qind e maturantëve të ndjekin universitetet. Këto janë të domosdoshme, sepse ne kemi pasur përqindjen e të diplomuarve me arsim të lartë në shkallë vendi e shoqërie, gjithsej 3.4 për qind, ndërkohë që ky tregues është mesatarisht te 25 për qind. Nëse duam të bëhemi një komb dhe një ekonomi e bazuar mbi dijen, ne duhet të shkollohemi.
Por, po kaq jetike është arsimi profesional, teknik. Në mënyrën më të përsëritur, kam kërkuar nga Universiteti Bujqësor i Kamzës të bëjë gjithçka për të hapur shkolla teknike të profilit bujqësor. Unë ju garantoj se persistoj shumë në atë që besoj dhe nuk do të ndalem, deri në krijimin e tyre. Ky sistem ka garantuar, edhe 80-100 vjet më parë, epërsinë absolute të bujqësisë amerikane ndaj bujqësisë evropiane, pasi ai vend i shkollonte fermerët dhe kujdesej për shkollimin e tyre në mënyrën më maksimale. Ndaj ata, edhe sot e kësaj dite, qëndrojnë në krye të prodhimit, të progresit dhe shkencës. Ne diçka kemi bërë, pasi Shkolla e Golemit funksionon, por modele të tilla duhet t’i shtrijmë në gjithë vendin. Ne do të bëjmë gjithçka për këtë gjë. Kemi përdorur një sistem inkurajimi, psh., kemi dhënë bursa për të gjithë ata që i sjellin fëmijët në shkolla profesionale. Do të vazhdojnë këto përpjekje, deri sa raporti që sot është rreth 68 me 22 nxënës, në favor të gjimnazit, të bëhet 1 me 1, siç është në vende të zhvilluara të Evropës.
Arsimit ne i kemi kushtuar një vëmendje shumë të madhe. Askund këto vite nuk kemi investuar, si degë, më shumë se të mësuesi, te shkolla. Kemi ndërtuar e rindërtuar 1300 shkolla, përfshi edhe shkollën e mesme të Divjakës dhe shkolla të tjera. Pra, vetëm një shoqëri e bazuar mbi dijen, kudo që ndodhen qytetarët e saj, do të mund të ecë me shpejtësi drejt zhvillimit.
Pyetje: Zoti Kryeministër, duke pasur vlerësimet më të mëdha për gjithçka ka bërë kjo qeveri, doja të parashtroja disa shqetësime, ose edhe sugjerime. Jam një specialist që prej disa vitesh kam hapur një aktivitet për prodhimin e kërpudhave, një aktivitet ky i veçantë për vendin, që ka shumë vështirësi në realizimin e tij. Por si unë, ka edhe të tjerë që kanë marrë nisma për prodhime të veçanta, si për luleshtrydhen, pataten e ëmbël, etj. Suksesi në këto linja mbetet së pari në mundësinë e bashkëpunimit efikas me institucionet e shkencës dhe studimeve kërkimore në këtë fushë. Pra, shprehim nevojën e ndihmës së shtetit, për të bërë një lloj reforme që i detyron ligjërisht këto institucione kërkimore e shkencore, këto universitete, të kooperojnë me fermerët, bizneset dhe aktivitetet e tyre.
Gjithashtu, kemi edhe problemet e komunikimit me hallkat e pushtetit, pasi ato duhet të jenë shumë më fleksible, në mënyrë që të jenë më pranë problematikave të fermerëve, bizneseve e aktiviteteve të tyre.
Për sa u përket taksave, absolutisht nuk mendojmë se janë të larta, madje ato janë të ulëta, por ne kemi procedura të komplikuara që kanë kosto të gjithanshme dhe që japin mundësi për abuzim. Në këtë mënyrë, taksën ne e paguajmë dyfish, pasi gjysmën e vlerës e merr abuzimi me to.
Kryeministri Berisha: Së pari, unë ju përgëzoj juve për punën që bëni. Në impiantin tuaj ka ardhur një ditë një nga bashkëpunëtoret e mia më të ngushta. Ajo e ka vizituar dhe më ka informuar, me shumë respekt dhe admirim, për punën që ju bëni. Në mënyrë të përsëritur, vite më parë edhe më vonë, jam takuar me specialistët tanë të kërpudhave, i kam nxitur dhe inkurajuar shumë ata që t’ju ndihmojnë. Unë e konsideroj një sektor si shumë të rëndësishëm, sepse, së pari, potenciali është i madh dhe, së dyti, vlera ushqyese është shumë e madhe. Unë besoj se ne mund të prodhojmë kërpudhat e cilësive më të larta dhe të bëhemi eksportues të rëndësishëm të tyre. Për fat të keq, ky sektor nuk ka ecur ashtu si do të kisha dashur. Jeni ju këtu, është një zonjë në Korçë, e cila përballet me vështirësi serioze, por përsëri ajo prodhon disa mijëra tonë. Në mos gaboj, është edhe një impiant tjetër në Manzë, por mundësitë janë shumë të mëdha. Ndaj mbetem plotësisht dakord me ju që Qendrat Kërkimore Shkencore duhet të bëjnë gjithçka për të mbështetur prodhimin. Unë kam udhëzuar ministrinë dhe Institutin që të bëjnë përpjekje shumë të mëdha për zgjerimin e prodhimit të tyre. Jam informuar nga bashkëpunëtorja ime sesi ju përpiqeni të kurseni energji dhe të përdorni metoda pothuajse origjinale të ftohjes, etj.. Këto duhet të jenë objekti i studimit të katedrave dhe grupeve shkencore. Po kështu është edhe një tjetër rritës në veri të Tiranës.
Si përfundim, ne do ta mbështesim fuqimisht këtë sektor. Urojmë që edhe fermerë të tjerë, edhe specialistë të tjerë, edhe ekspertë të tjerë të angazhohen në prodhimin e tyre. Kushtet i kemi të shkëlqyera. Sikundër, urojmë të angazhohen në prodhimin e kërmijve dhe në prodhimin e të gjitha specialiteteve që ne kemi mundësi ti prodhojmë.
Çështja e administratës është një çështje themelore. Administrata ka strukturën e saj ligjore. E tëra, është e pashpirt, funksionon si një lloj automati, por janë njerëzit që i japin asaj shpirt, zemër dhe fytyrë njerëzore. Janë punonjësit që duhet të jenë shumë më të ndjeshëm ndaj problemeve të përditshme. Por çfarë po bëjmë ne? Nuk mund ta lëmë këtë punë dhe nuk mund ta zgjidhim vetëm me thirrje. Ne po vendosim sistemet më transparente në punën e saj. Po marr taksat. Të gjitha ato që the ti janë të vërteta. E mundimshme procedura, por tre ditë më parë ky vend, me një praktikë të mundimshme të pagesës së taksës, vendosi sistemin më modern që ekziston sot mbi tokë për pagesën e taksave, pagesën me celular. Në rast se e ke ndjekur, me Android apo me disa lloje të tjera celulari, biznesmeni ka në telefon aplikacionin për të gjithë informacionin që ekziston për taksat e tij dhe për taksat në tërësi në Shqipëri.
Së dyti, ka mundësinë e pagesës në dy – tre banka, direkt nëpërmjet internetit. Ky është thjeshtimi më i madh, më absolut, që mund ti bëhet pagesës së taksave për biznesmenët dhe qytetarët.
Së treti, këtë që në bëmë me taksat, shumë shpejt do ta bëjmë me ankesën dhe kërkesën. Që nga viti 2005, unë kam bërë publik numrin tim të telefonit. Pse e kam bërë? Ç’më ka shtyrë? Dua të jem shumë i hapur me ju, më merr kohë në mënyrë të padiskutueshme, domethënë një kohë që unë jam i detyruar të jem i përqendruar edhe tek telefoni, ndërkohë që mund të rrinte në një qoshe, pa asnjë lloj vëmendje të madhe. E kam bërë atë vetëm për një arsye kryesore, të thjeshtoj në maksimum mundësinë e qytetarit për të paraqitur problemin e tij. Nuk është në Tiranë, është në Leskovik, në Theth, në Mokër, kudo që është, për t’ia thjeshtuar atij kontaktin me Kryeministrin unë kam një numër, të cilin nuk e kam ndryshuar kurrë dhe marr në të qindra mesazhe në ditë. Përveç atyre mesazheve që për fat të keq, ngaqë janë shumë, më priten ndonjëherë dhe nuk vjen i gjithë mesazhi, unë absolutisht çdo mesazhi i jap rrugë. E çoj në agjencinë përkatëse ose i jap rrugë vetë. Po tani, ku do të kalohet? Do të kalohet nga celulari im në sistemin e ankesës së përgjithshme dhe kërkesës së përgjithshme. Domethënë, qytetari do të ketë faqen zyrtare në të cilën me celular, me e-mail, me telefon do të paraqesë problemin e tij, kërkesën ose ankesën e tij. Ajo do të ndjekë rrugën me shpejtësi të madhe dhe do të arrijë në destinacionin e saj. Dhe jo vetëm do të arrijë në destinacion, por ti edhe çdo qytetar do ta shohë atë aty ku shkoi. Drejtori do të shohë ankesën, kërkesën dhe kohën e përgjigjes. Ky zhvillim do të jetë një realitet i shpejtë dhe ne do ta implementojmë këtë. Natyrisht, kemi një problem. A është administrata e familjarizuar me këtë praktikë pune? Jo, por kjo nuk do të thotë se ne do të ndryshojmë administratën. Jo, sepse po të ishte kështu, kur ne vendosëm internetin në shkolla, nuk do ta bënim këtë po të mos kishim besim te mësuesit. Dje takova një kompani të huaj, një kompani të madhe, të cilët më thanë që për një X program, në Shqipëri kishin trajnuan 8 mijë mësues. Edhe administratën do ta trajnojmë, sepse kjo përbën një transformim epokal të funksionimit të saj dhe se kjo, njëlloj si taksën që do ta paguash tani nga celulari, përbën një zhvillim jashtëzakonisht pozitiv për shoqërinë shqiptare. Ajo e bën shoqërinë shqiptare ndër më transparentet.
Kohë më parë, po flisja me një grup specialistësh bujqësie dhe u them që duhet të shtrini informatikën. Po shihnin njëri –tjetrin. Nuk e kuptova nëse ishin të bindur se unë kisha të drejtë apo jo? Por tani le të shkojnë e të shohin stallat e lopëve, lopët me çip. E programuan çipin dhe lopa nuk shkon t’i marrë ushqimin tjetrës, për arsyen e vetme se nuk i takon ai lloj ushqimi. Ajo ka përbërje tjetër. Pra kemi një hapësirë shumë të madhe.
Unë ju garantoj se do të bëjmë gjithçka për të kapur sa më shpejtë këto nivele dhe do t’i kapim.
Pyetje: Ju uroj mirëseardhjen. Në vitin 2010 disa objekte dolën në ankand për tu dhënë me qira dhe unë fitova një ndër to, për 20 vjet me qira. Kërkuam leje për rikonstruksion nga bashkia dhe ajo na e dha. Tani kemi kërkuar për privatizim, ministria na e aprovoi, ka ardhur edhe lënda për privatizim, por bashkia nuk pranon, thotë nuk është miratuar Plani Rregullues. Ne do të investojmë edhe më shumë. Kërkojmë ndihmën tuaj, me qëllim që të thithim më shumë turistë, por edhe të krijojmë sa më shumë vende pune. Unë disa herë kam marrë kredi për rrogat e punonjësve. Nuk më bën zemra t’i them punëtorit ik.
Kryeministri Berisha: Ju falënderoj dhe do të ndalem tek fjala juaj; “mua nuk më bën zemra t’i them punëtorit ik”. Këtu dua të theksoj një moment. Për mua, për ju, për çdo politikëbërës, për çdo sipërmarrës, nuk ka asgjë më jetike se punësimi i qytetarëve, punësimi në kushte tregu, sepse ai me plan të çon në katastrofë. Por punësimi me kushte tregu, pas shëndetit dhe familjes, është gjëja më kryesore për çdo individ. Thirrja ime për çdo qeveritar vendor, këshilltar, zyrtar qendror është që gjithçka të shihet në favor të punësimit. Kjo ka një rëndësi të jashtëzakonshme. Ne themi se Shqipëria, këtë e thotë edhe Komisioni Evropian, ishte vendi i vetëm që nuk pati rritje papunësie, por pati ulje të saj, sepse ne në këto vite krize patëm një rritje ekonomike katër herë të madhe sesa mesatarja e rajonit. Kjo rritje na dha ne mundësinë që të mos kemi shkatërrim, por krijim të vendeve të punës. Në qoftë se lexoni, në Maqedoni shifra e papunësisë është 32 për qind, në Serbi 23 për qind, në Kroaci 21 përqind, në Greqi 26 përqind. Këto përqindje janë zile alarmi për ne, që ne të bëjmë gjithçka për punësimin. Ne me këto lëvizje që kemi bërë me taksat, po të flasim hapur, ato janë më të kushtueshmet që kemi bërë ndonjëherë. Kjo, sepse hoqëm tatimin mbi të ardhurat personale 10 përqind për të gjithë ata që merrnin nën 300 mijë lekë, çka i intereson së paku 200 mijë punonjësve. Ata marrin një rrogë 10 përqind më të lartë. Por qëllimi ynë më madhor ka qenë që të ndikojmë te sipërmarrësit për të investuar dhe krijuar vende të reja pune. Ai që do të investojë e di që punëtorin që e merr e ka pa tatimin mbi të ardhurat personale. Ne hoqëm taksat për çdo lloj makinerie. Unë ftoj të gjithë qeveritarët vendorë ta mendojnë këtë. Ne kemi humbur me këtë mbi 100 milionë euro në buxhet, por e bëmë që sipërmarrësit të krijojnë vende pune. Atë njëzet përqind që do të paguante taksën, t’i bëhet një nxitje për investim dhe krijim vende pune. Ne do të marrim përsipër që këtyre të rinjve, për 3 vjet, tu paguajmë nga buxheti sigurimet shoqërore. Vetëm të nxisim sipërmarrësit të krijojnë vende pune. Në qoftë se ne si politikëbërës qendrorë dhe lokalë e përparësojmë kudo këtë problem, duke menduar për çdo të papunë, i cili së bashku me familjen e tij është në ankth ditë e natë, ne do të mundet shumë më shpejtë t’i japim përgjigjen më të mirë dhe më të shkëlqyer çështjes së papunësisë. Ne synojmë të mos lëmë masë pa marrë për këtë. Janë kthyer shumë emigrantë, të cilët kanë punuar në bujqësi dhe sektorë të tjerë, kanë përvetësuar teknikat më të mira. Çdo kryetar komune ka autorizimin ligjor, kemi miratuar ligjin dhe vendimet, tu ofrojë atyre toka që janë jashtë përdorimit, tu ofrojë atyre toka me të 10-at. Ju, të dashur miq, e dini që një tokë që nuk punohet shkon drejt shkatërrimit. Unë vij nga fshati dhe e di çfarë mundimi bënin për të pastruar çdo pranverë livadhet, tokat, sepse shiu i nxirrte gurët. Pra t’ua japim, sepse edhe toka zhvillohet edhe vende pune krijohen. U ndala pak më gjerë këtu, sepse më preke me atë që the për rrogën e punëtorit. Ishte jashtëzakonisht njerëzor preokupimi yt.
Rastin konkret do ta shoh me përparësi. Në qoftë se kryetari i bashkisë ka pengesa ligjore, ne do të përpiqemi t’i japim përgjigjen më të shpejtë këtyre pengesave dhe të krijojmë një ansambël të përbashkët qeveri qendrore - qeveri vendore, duke pasur qëllimin më madhor punësimin e qytetarëve.
Pyetje: Unë kam një vajzë dhe tokën ia kam dhënë asaj. I bëra të gjitha ato që më kërkuan dhe tani më thonë nuk bëhet. Së dyti, kam një fqinj që më ka hyrë në territorin e shtëpisë dhe kërkoj nga ju një ekspert për ta vlerësuar këtë, sepse ai më thotë që është regjistruar kështu tani. Së treti, jam pensionist dhe ai që jep pensionet nuk është nga Divjaka dhe ne rrime e presim në radhë kur të vijë ai.
Kryeministri Berisha: Zoti Gjini, lidhur me të drejtën tënde për t’ia dhënë tokën vajzës, nuk mund të ketë asnjë pengesë. Kjo në qoftë se toka është prona juaj. Në respekt të Kodit Civil dhe trashëgimisë, ka detyrime në rast se keni fëmijë të tjerë. Duhet që të shprehen ekspertët se cila është e drejta e tyre. Ju mund të më bëni një letër dhe unë të angazhoj specialistët që të të sqarojnë në çdo aspekt të çështjes së parë.
Për problemin e dytë, unë do të të dërgoj një specialist. Brenda një jave ai do të të takojë ty bashkë me deputetin dhe do të merren me zgjidhjen e problemit.
Për të tretin do të vendosim pensionet në bankomate. Të shkosh dhe ta marrësh pension në bankomat. Posta e Shqiptare po krijon bank-postën. Ky projekt është në përpunim e sipër dhe kërkon të instalohen bankomatët në çdo zyrë postare. Qëllim i parë dhe më kryesor që unë ia kam kërkuar këtë Postës kanë qenë pesnionistët.
Pyetje: Zoti kryeministër, ju falënderoj për qëndrimin tuaj, gjë që nuk e kam gjetur as te linja e ministrisë përkatëse, për mos-heqjen e TVSH-së për farën e grurit, për të mbrojtur prodhuesit e kësaj bime. Nëse ruhet në sistem farërash, ky prodhim mbulon mbi 60-70 për qind, deri në një prodhim të dytë. Këtu duhet pasur parasysh se nga jashtë na vjen edhe farë gruri pulash, që shitet për farë. Ky është realitet. Ju i keni vënë themelet bujqësisë moderne shqiptare të nesërme, me heqjen e TVSH-së së inputeve, të makinerive dhe traktorëve, me skemat e subvencioneve. Në vazhdim të kësaj, po ju parashtroj disa sugjerime për dy politik-bërje që nuk kanë faturë si TVSH-së, njëra ka të bëjë me marketingun e produkteve bujqësore shqiptare, brenda dhe jashtë vendit, si dhe sigurinë ushqimore. Së dyti, shqetësim është handikapi i bujqësisë së copëtuar, ku kemi 350-400 mijë fermerë, por kemi 2 milionë e më shumë parcelëza. A mund të kemi një politikë që kjo të reduktohet nga viti në vit, të shkojmë drejt fermës moderne, 15-20-30 hektarësh?
Kryeministri Berisha: Jam plotësisht dakord me ju. Duhet të bëjmë shumë më tepër për brend-et tona, për marketingun e prodhimeve tona. Unë kam bindjen se nuk ekzistojnë kund prodhime më të shijshme në Evropë sesa në Shqipërisë. Po të flasim në rrafshin biologjik, kjo nuk është një bindje e pabazuar, sepse Shqipëria ka 30 për qind të të gjithë bimësisë së Evropës, gjë e cila ka ndikim të jashtëzakonshëm në çdo gjë, është vendi me biodiversitetin më të lartë në Evropë, është vendi me klimën e mikroklimën më fantastike në shumë aspekte. Ndaj edhe ne, me prodhimet tona, kam bindjen më të thellë se do të mund të bëhemi të njohur, njësoj si me turizmin, në mbarë Evropën. Duhet të përcaktojmë rrugë, mekanizma, se si të bëhemi më prezentë në të gjitha mundësitë e marketingut të prodhimeve tona. Kemi disa vështirësi. Le të marrim një prodhim të caktuar, psh, rakinë, një prodhim shekullor i yni, pija e fortë që prodhohet me më të kushtueshmin dhe më të mirin e alkooleve, rrushin. Problemi ynë është pak te standardi. Ata që bëjnë raki nga dëllinja prodhojnë çdo shishe njëlloj, ndërsa ne që e prodhojmë nga rrushi nuk e bëjmë dot njësoj. Ky është një problem për ne. Pra, duhet të luftojmë shumë më tepër tek standardi, që të bësh marketingun e duhur. Por, kjo do të bëhet dhe duhet të punojmë fuqishëm. Po ecet në këtë drejtim, po nxitemi në mënyrën më të sigurt dhe ky është një sukses i madh. Gradualisht, me rritjen e eksporteve gjithnjë e më shumë, do të preferohemi edhe më shumë. Jam shumë dakord, marketingu duhet të jetë një drejtim kryesor i punës.
Lidhur me problemin e fermave, ju e dini se ne dolëm nga një sistem kooperativist skllavërues, që na la kujtimet më të këqija. Teksa një zotëri më parë këtu më përshkruante Divjakën si ishte dhe si është bërë, fjala e parë që i thashë ishte se e keni bërë ju. Unë jam rritur në një familje e cila nuk ka qenë e varfër, ka pasur rreth 46 ha tokë që e punon intensivisht dhe 74 ha që e punonin pjesërisht. Punonin çdo natë me hënë, edhe në dimër edhe në verë dhe, natyrisht, kishin një jetë normale. Por kjo familje, një moment u katandis keq dhe absolutisht, është një nga momentet më prekëse të jetës sime. Im atë jetonte me mua në Tiranë, sepse ashtu i erdhën problemet, por shkonte periodikisht për të vizituar vëllain e tij. Po në këtë familje, pas një vizite ku im atë ndenji 2-3 ditë atje, kur u kthye unë e pyeta se si ishin atje. Ai mu përgjigj; T’i kisha lënë të vdekur, do kisha qenë shumë më i lumtur. Unë e pyeta se përse shprehej ashtu dhe ai mu përgjigj; sepse në mënyrë absolute, nuk kishin asgjë tjetër përveç bukë e kripë, bukë e sheqer e përshesh me vaj. Ne që ishim në qytet ndoshta nuk e njihnim këtë gjendje, por kjo gjendje ishte masive në fshat.
E solla këtë shembull këtu për të theksuar se çfarë mendimi krijoi kooperativa bujqësore te shqiptarët. Por e vërteta është se sot, ato mund të jenë të një tipi tjetër. Ne kemi filluar punën në këtë drejtim, në disa zona dhe po ecim jashtëzakonisht mirë. Me ndihmën e qeverisë spanjolle, ne po krijojmë këto shoqëri që thoni ju. Mund t’u them se njëra prej tyre, në Bushat, ka eksportuar në Kosovë, në vitin 2011, 30 mijë tonë shalqi. Ndaj dhe është shumë e rëndësishme që t’i nxisim, t’i inkurajojmë këto shoqëri, sepse racionohen mjetet, rritet prodhimi, bëhet shumë më i leverdishëm parashikimi dhe rritet fitimi. Do të përpiqemi t’i nxisim gjithnjë, mbi bazën më vullnetar, mbi bazën e interesit më të mirë të çdo fermeri.
28/02/2013