Deklaratë e zëdhënësit të Kryeministrit, z. Dritan Mishto
Lidhur me lajmin e transmetuar nga një televizion privat se administrata shtetërore disponon programe të palicencuara të Microsoft Office, zëdhënësi i Kryeministrit, z. Dritan Mishto deklaron se: "Përpara 3 korrikut 2005 në Shqipëri dominonte pirateria e programeve kompjuterike të palicencuara. Me konstatimin e këtij fakti, Kryeministri, z.Sali Berisha, që në muajt e parë të qeverisjes, vendosi kontakte dhe nisi negociatat me gjigantin Microsoft për t'i dhënë fund kësaj piraterie. Ky proces përfundoi me firmosjen në Edinburg, më 30 janar 2007, të marrëveshjes së partneritetit strategjik midis qeverisë së Shqipërisë, e përfaqësuar nga Kryeministri, z.Sali Berisha dhe Korporatës Microsoft, përfaqësuar nga presidenti i saj Bill Gates, për modernizimin e sektorit publik shqiptar dhe përshpejtimin e zhvillimit teknologjik të vendit. Në përputhje me këtë marrëveshje, është rënë dakord licencimi i programeve ekzistuese, si dhe ofrimi nga Korporata Microsoft të programeve me çmime më të reduktuara.
Në këtë mënyrë, qeveria Berisha u shkëput përfundimisht nga pirateria, e trashëguar nga qeveritë paraardhëse, duke i dhënë fund një sistemi të papranueshëm piraterie dhe duke vendosur rregulla ligjore të tregut".