Kryeministri Berisha takohet me Ambasadorin Frank G. Wisner
Kryeministri Sali Berisha u takua të mërkurën pasdite me Ambasadorin Frank G. Wisner, Përfaqësues i Posaçëm i Sekretares së Shtetit të SHBA-ve në Bisedimet e Statusit të Kosovës Pas takimit Kryeministri Berisha dhe Ambasadori Wisner komentuan takimin e tyre për gazetarët.
Kryeministri Berisha: Me ambasadorin Frank Wisner diskutuam gjerësisht për zhvillimet në rajon. I shpreha Ambasadorit Wisner falenderimin dhe mirënjohjen time për Presidentin Bush dhe qeverinë amerikane, për ndihmën shumë të madhe dhe të çmuar që i kanë dhënë dhe i japin Shqipërisë, ndihmë që ka patur një rëndësi të jashtëzakonshme në përpjekjet e shqiptarëve për të ndërtuar shtetin ligjor dhe demokracinë. E njoha z. Wisner me përpjekjet e qeverisë shqiptare për rivendosjen e shtetit ligjor, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Përshëndeta emërimin e ambasadorit Wisner, nga Presidenti Bush, si Përfaqësues i qeverisë së Shteteve të Bashkuara në ekipin e Presidentit Ahtisari. E sigurova se qeveria shqiptare mbështet fuqimisht përpjekjet e Presidentit Ahtisari dhe të ekipit të tij në përcaktimin e Statusit të Kosovës dhe zgjidhjen e problemit të saj. Gjithashtu, e sigurova Ambasadorin Wisner se për qeverinë shqiptare ka rëndësi të jashtëzakonshme respektimi i lirisë dhe të drejtave të minoriteteve në Kosovë, si kusht për paqen dhe stabilitetin, decentralizimi si proces themelor për një shtet demokratik, dialogu me Serbinë dhe me të gjitha vendet e rajonit, si një kusht tjetër shumë i rëndësishëm për të shndërruar Kosovën në një faktor paqeje dhe stabiliteti.
Shpreha mbështetjen time të plotë për KryeministrinÇeku, për përkushtimin dhe vendosmërinë e tij për të respektuar këto parime dhe këto kërkesa shumë të rëndësishme. Theksova se respektimi i minoriteteve, decentralizimi, rikthimi i serbëve që duan në Kosovë, dialogu ndërfetar dhe garantimi i të gjitha institucioneve fetare në Kosovë, janë të domosdoshme për një vend demokratik. Edhe një herë dua të përshëndes Ambasadorin Frank Wisner dhe ta siguroj se qeveria shqiptare do të mbështesë plotësisht qeverinë e Shteteve të Bashkuara dhe e konsideron angazhimin e tyre, të një rëndësie jetike si në të kaluarën, sot dhe në të ardhmen, për paqen dhe stabilitetin në rajonin tonë.
Z. Frank Wisner: Zoti Kryeministër, shumë faleminderit. Ju prekët të gjitha pikat më të rëndësishme. Ishte një privilegj i veçantë dhe nder për mua që u takova me kryeministrin sot dhe ndava me të përceptimin e SHBA-ve në lidhje me negociatat që po zhvillohen mbi të ardhmen dhe vendosjen e statusit përfundimtar të Kosovës. Patëm një takim shumë të mirë me kryeministrin. Ju siguroj se në mendjen e amerikanëve, Shqipëria është një partnere shumë e rëndësishme për arritjen e paqes. Kemi nevojë për këshillën, ndihmën dhe mbështetjen tuaj sepse arritja e statusit përfundimtar të Kosovës do të jetë puna e të gjithëve në rajon dhe Shqipëria ka një rol me rëndësi jetike në këtë çështje.
Z. kryeministër, vizita ime ka filluar në Bruksel, ka vazhduar në Beograd, Prishtinë dhe tani ndodhem këtu, në Tiranë. Unë dëshiroj të besoj se negociatat po ecin dhe tani puna është të sigurojmë atë që z. Ahtisari duhet të bëjë, marrëveshje për decentralizimin, për të drejtat fetare dhe ato të minoriteteve. Unë jam optimist dhe besoj se do t'i çojmë gjërat përpara. Ishte kënaqësi të qëndroja në Kosovë, ku u takova me liderët e rinj, Presidentin Sejdiu dhe KryeministrinÇeku. Pata mundësinë të njihem me punën ne të cilën ata janë të angazhuar. Sigurisht ata kanë një punë të madhe për të zgjatur dorën e pajtimit dhe për të ofruar një qeverisje normale për të gjithë qytetarët e Kosovës. Mendoj se qeveria e re ka filluar shumë mirë dhe në mënyrë solide. Shtetetet e Bashkuara i urojnë më të mirat kryeministritÇeku.
Z. Kryeministër, e konsideroj një nder që më pritet sot dhe dëshiroj të shpreh angazhimin për bashkëpunim të vazhdueshëm dhe këshillim me qeverinë tuaj, ndërsa ecim në rrugën e rëndësishme që kemi përpara gjatë vitit 2006, një vit që shpresoj se do të sjellë arritjen e Statusit përfundimtar të Kosovës dhe një faqe të re paqeje, stabiliteti dhe përparimi për rajonin.