E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryeministri Berisha pret Administratorin e PNUD-it, z.Kemal Dervish

Kryeministri Sali Berisha priti të hënën Administratorin e PNUD-it, z.Kemal Dervish dhe delegacionin që e shoqëronte atë. Fillimisht kryeministri Berisha i shprehu z.Dervishi mirënjohjen për ndihmën dhe mbështetjen e PNUD-it për promovimin dhe realizimin e shumë projekteve në Shqipëri.

Kryeministri e informoi Administratorin e PNUD-it mbi ecurinë e reformave të ndërmarra nga qeveria, vecanërisht në dy aspekte kryesore, luftën kundër krimit të organizuar dhe trafiqeve, që lidhet direkt me imazhin pozitiv të vendit, si dhe luftën ndaj korrupsionit, i cili ishte kthyer në një sistem për vendin. Z. Berisha tha se në këtë drejtim janë ndërmarrë nisma ligjore konkrete, ligji për konfliktin e interesave, për nepotizmin, etj.

Z. Dervishi vlerësoi shumë arritjet e qeverisë në reformat e ndërmarra, përpjekjet e qeverisë në rivendosjen e shtetit ligjor, në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, si dhe krijimin e një mjedisi të favorshëm për biznesin. Ai theksoi gjithashtu se reformat duhet të synojnë zhvillimin ekonomik të vendit.

Administratori i PNUD-it, z. Dervishi shprehu mbështetjen e mëtejshme për Shqipërinë përmes projekteve konkrete të PNUD. Të dy bashkebiseduesit u ndalën në projektin për informatizimin e shkollave në Shqipëri, duke ndarë të njëjtin mendim se për këtë duhet të forcohet bashkëpunimi, si dhe inkurajohet edhe sektori privat ose kompanitë e njohura në këtë fushë që kanë mundësi për realizimin e plotë të projektit. Një tjetër projekt i përmendur ishte edhe ai për luftën kundër ekstralegalitetit, për të cilin kryeministri Berisha e informoi z.Dervishi se tashmë, edhe me ndihmën e ekspertit te njohur në këtë fushë z. Hernando di Soto, është hartuar edhe ligji për legalizimet.

Me mjaft rëndësi u konsiderua edhe projekti për kthimin e kuadrove të shkolluar jashtë permes nje projekti "brain gain". Kryeministri Berisha siguroi se qeveria do të bëjë të gjitha përpjekjet për të stimuluar dhe nxitur kthimin e studentëve dhe të intelektualëve të tjerë që jetojnë jashtë, për të kontribuar për vendin e tyre.

Të dy palët vlerësuan rëndësinë e bashkëpunimit edhe për projektet në ekoturizëm, duke nënvizuar se do të punohet për një master-plan për bregdetin e Jonit. Z. Dervishi mbështeti këtë projekt, duke theksuar se PNUD-i do të inkurajojë edhe investitorë të tjerë për të mbështetur projektet në këtë fushë. Në projektet e diskutuara për bashkëpunim, midis të tjerash u vlerësua edhe roli i rëndësishëm i pjesëmarrjes së gruas në procesin e vendimarrjes.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›