E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryeministri Sali Berisha takohet me kryetarin e PDSH-së të Maqedonisë z. Arbën Xhaferri

Kryeministri Sali Berisha u takua, të enjten, me kryetarin e Partisë Demokratike të Maqedonisë Arbën Xhaferri. Pas takimit Kryeministri Sali Berisha dhe zoti Xhaferri bënë këto komente për shtypin.

Kryeministri Sali Berisha: Sapo përfunduam një takim shumë të ngrohtë me kryesinë e Partisë Demokratike të Maqedonisë të kryesuar nga z. Xhaferri. Në këtë takim diskutuam gjerësisht mbi zhvillimet përkatëse në Shqipëri, Maqedoni dhe në rajon në tërësi. Zoti Xhaferri paraqiti opinionin dhe mendimet e tij mbi situatën aktuale në Maqedoni, zbatimin e marrëveshjes së Ohrit, gjendjen parazgjedhore në këtë vend dhe vlerësoi marrëdhëniet midis dy vendeve tona. Unë e sigurova z. Xhaferri se vlerësoj dhe mirëkuptoj plotësisht qëndrimet kritike të opozitës si autoriteti apo pushteti moral i cdo vendi, qoftë në Shqipëri, Maqedoni dhe kudo, sikundër vlerësoj progresin e bërë në zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, në të cilën z. Xhaferri dhe partia e tij kanë merita të rëndësishme. Një problem themelor është problemi i zgjedhjeve të ardhshme në Maqedoni. Unë shfrytëzoj rastin t'u bëj një thirrje vëllazërore të gjitha forcave politike në Maqedoni, të gjithë qytetarëve maqedonas dhe qytetarëve me origjinë shqiptare në këtë republikë, që me përkushtim të madh të angazhohen për një proces zgjedhor të lirë e të ndershëm. Dua të shtoj një gjë, pasi gjërat më mirë t'i themi hapur, ky është një detyrim madhor për çdo shqiptar. Sot në Ballkan të gjithë popujt e këtij gadishulli, pavarësisht nga problemet që kanë përjetuar votojnë me dinjitet si qytetarë të lirë. Duhet të jetë përkushtimi absolut dhe total i të gjithë forcave politike shqiptare që çdo qytetar me origjinë shqiptare në Maqedoni, çdo qytetar shqiptar në Shqipëri, çdo qytetar shqiptar në Kosovë të votojë si qytetarët europianë, i lirë në vullnetin e tij. Dua të theksoj se në takimet e mia me kryeministrin Vllado Buçkovski, e kam gjetur atë thellësisht të angazhuar dhe të interesuar për një proces zgjedhor të lirë e të ndershëm në vendin e tij dhe kjo është shumë pozitive. U përket forcave politike shqiptare, që në përputhje të plotë me parimet programore që ato kanë shpallur, të zhvillojnë procesin zgjedhor. Kjo është thirrja ime. Zoti Xhaferri më ka garantuar se ai dhe partia e tij janë të vendosur të bëjnë çdo përpjekje për një proces zgjedhor të lirë e të ndershëm dhe unë e sigurova se do të përpiqem të jap çdo ndihmesë që mund të jap për këtë gjë.

Z. Xhaferri: Faleminderit. Si zakonisht, kur vij në Tiranë, kam nevojë t'i verifikoj premisat politike të partisë sonë dhe ato demokratike me kryeministrin e Shqipërisë zotin Sali Berisha, të cilin kemi bashkëpunim që në fillim të formimit të kësaj partie. Ne gjithmonë kemi patur mbështetje për synimet tona, që të artikulojmë sa më drejtë çështjen shqiptare. Patëm një takim konstruktiv dhe produktiv. Unë me këtë rast do të huazoj një frazë nga vokabolari i zotit Berisha dhe të them se PDSH-ja do të tregojë zero tolerancë ndaj abuzimeve gjatë zgjedhjeve që do të zhvillohen në fillim të muajit korrik. Ne kërkuam nga shteti shqiptar, në takimet që zhvilluam, që të mbështesin një proces të rregullt demokratik gjatë zgjedhjeve që do të zhvillohen në Maqedoni, se vetëm demokracia është mjeti që lejon që një opsion politik të legjitimohet në sistemin demokratik. Ne ndamë të njëjtat pikëpamje për këtë çeshtje, sidomos patëm pikëpamje identike për procesin që zhvillohet në Kosovë, për vlerësimet e shtetit shqiptar se pavarësia e Kosovës dhe sovraniteti i saj janë të domosdoshme. Edhe Partia Demokratike Shqiptare në Maqedoni pajtohet me keto qendrime dhe do tregoje konstruktivitet të lartë për ta përfunduar këtë proces historik, sipas realiteteve që mbretërojnë në Ballkan.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›