Konferencë për shtyp e kryeministrit Sali Berisha për ndryshimet në stafin e tij
Kryeministri Sali Berisha ka treguar të enjten paradite përpara gazetarëve për një ndryshim në stafin e bashkëpunëtorëve të tij. Gjithashtu kryeministri u është përgjigjur pyetjeve të gazetarëve edhe për disa çështje të tjera të rëndësishme të aktualitetit.
Kryeministri Berisha: Ju thirra sot këtu t'u njoftoj se Ermal Hasimja, një nga bashkëpunëtorët e mi të çmuar, zëvendësohet në detyrën e Drejtorit të Marrëdhënieve Publike, nga një bashkëpunëtor tjetër i imi, i çmuar, z. Neritan Sejamini. Por unë, dua, me këtë rast, t'i shpreh falënderimin tim, vlerësimin tim, Ermalit, për ndihmesën e tij të çmuar, si gjatë fushatës elektorale, ashtu edhe gjatë këtyre muajve bashkëpunimi. Ermali, me aftësitë, përkushtimin, ndershmërinë e tij, ka bërë më transparente se kurrë veprimtarinë e kryetarit të qeverisë. Ai vendos të ndjekë studimet në Paris, doktoratën, për të cilën unë nuk mund të kem gjë tjetër vetëm mbështetje. Ka vitin e fundit, në universitetin në të cilin ka studiuar dhe detyrohet të largohet që t'i përkushtohet doktoratës në Universitetin e Parisit. Edhe një herë unë dua të të falënderoj, Ermal, për kontributin e çmuar që ke dhënë gjatë kësaj periudhe.
Z. Hasimja: Në radhë të parë z. Kryeministër , shpresoj t'i meritoj të gjitja falënderimet tuaja, gjithë këto fjalë të mrekullueshme që thatë. Jam unë që duhet t'ju falënderoj njëmijë herë më tepër për gjithë besimin që më keni dhënë gjatë gjithë kësaj kohe, për të gjithë këtë përvojë jashtëzakonisht të rëndësishme për jetën time profesionale dhe sinqerisht kam patur rastin, nderin, kënaqësinë, privilegjin që të punoj me një njeri me të cilin ndaj vlerat e mia më të thella dhe më të rëndësishme morale dhe politike. Ju faleminderit shumë për gjithçka. Shpresoj se do të kemi rastin të bashkëpunojmë sërish.
Kryeministri Berisha: Ju siguroj se tek Neritani do të gjeni njeriun e mirëkuptimit, njeriu i cili do t'i përmbahet transparencës së plotë, do të zbatojë me përkushtim, porosinë e prerë që çdo veprimtari e Këshillit të Ministrave dhe e kryeministrit të dalë në rrezen e diellit. Unë kam shumë besim se Neritani do të përmbushë me shumë dinjitet këtë detyrë dhe ka besimin tim të plotë.
Z. Sejamini: Faleminderit z.Kryeministër. Në radhë të parë dëshiroj të falënderoj Ermalin dhe ekipin e tij për punën fantastike që kanë bërë gjatë këtyre muajve të qeverisjes. Gjithashtu, pres me padurim që të bashkëpunoj me të gjithë ju, për të vazhduar e për të thelluar më tej këtë fazë të re të bashkëpunimit që ka patur ekzekutivi me median dhe me publikun në përgjithësi, që mendoj se është një nivel i ri i trasparencës dhe i komunikimit të ekzekutivit me publikun. Ju faleminderit!
Pyetje: Z.Kryeministër, ka patur reagime të ndryshme në lidhje me pagat e arsimtarëve...
Kryeministri Berisha: Une mund t'u them se premtimi është tejkaluar, pasi çdo arsimtar shqiptar merr mbi parashikimin buxhetor te shteses edhe 100 mijë lekë shpërblim. Paga e 13 është përfshirë në rrogën mujore dhe është përfshirë mbi rritjen prej 20 përqind. D.m.th, rritja e premtuar është e padiskutueshme. Natyrisht Ministria e Arsimit ka bërë një politikë përshkallëzimi, për të cilën e gjykoj se ka shumë të drejtë. Natyrisht do të kenë një trajtim pak më të veçantë. Por, krahas rritjes së premtuar 20 përqind, të cilën ministria e ka përshkallëzuar në 19 deri në 23, me sa kam parë unë në shifra dhe se e gjykoj se ka të drejtë të plotë ta përshtasë me politikën e kuadrit dhe që është rritje më e madhe se të gjitha rritjet e bëra së bashku ne 8 vjet, po t'i marrësh si rritje dhe të zbresësh inflacionin. Përveç kësaj, mbi këtë rritje shtresëzohet, shkrihet në paga të tjera rroga e 13 dhe veç kësaj çdo mesues, do të ketë një shpërblim në fund të vitit prej 100 mijë lekë. Mendoj se të gjitha komentet e tjera janë thjesht ose keqkuptime, ose spekullime.
Pyetje?Ç'do të bëhet me reformën zgjedhore, cili eshte shkaku i bllokimit te saj?
Kryeministri Berisha: Shumë pyetje e rëndësishme. Nuk ka patur asnjë shkak tjetër përveçse qëndrimit të deritanishëm të opozitës, e cila tani u angazhua në komisionet parlamentare dhe unë gjykoj se ne kemi bërë propozimet tona. Të dy partitë e mëdha duhet të përgjysmojnë praninë e tyre ne komision dhe të hapin hapësira më të mëdha për partitë e vogla. Ne jemi të gatshëm të votojmë për veton e tyre dhe unë i siguroj socialistët – shpresoj që ata ta pranojnë një gjë të tillë – se nëqoftë se kemi intencione t'i zbatojmë pa veto, rekomandimet e OSBE/ODIHR-it, vetoja bëhet thjesht simbolike sepse nuk do ushtrohet, nga ne njëherë nuk do të ushtrohet. Kështu që shpresoj që java që vjen, ndoshta edhe kjo javë, të shënojë fillimin e punimeve të komisionit. Qeveria ka punuar dhe po punon, në bashkëpunim me OSBE-në, për listat. Ne jemi zotuar dhe ju siguroj se ky do jetë një proces totalisht transparent që nga emri në komunë e bashki, deri në qendër. Madje ne do të paguajmë vëzhguesit e partive politike të këtij procesi, sepse ne duam të jetë një proces tërësisht trasparent.
Pyetje: Si po ecin investimet e huaja në vend?
Kryeministri Berisha: Investimet e huaja qenë të ndaluara, ka patur një bllokim të tyre. Tani ka një zhbllokim. Janë akse kryesore rrugesh që po bëhen me investimet e huaja, janë një seri projektesh të tjera të zhbllokuara. Në fakt, mund të them se ekonomia ka një entuziazëm që nuk e ka patur ndonjëherë më parë, merrni vetem një tregues, treguesin e kredisë. Ka një rritje brenda pak muajve 70 përqind të kreditit në ekonomi. Ka një uri të madhe për oksigjen, sepse ka një entuziazëm të madh tregu, meritë e lirisë. Do ketë edhe një kuadër shumë të rëndësishëm të shpejtë, ligjor, për bizneset. Unë ju deklarova se ata që vendosën 2 herë e gjysëm cmimin e tregut si tarifë për energjinë e biznesit shqiptar, ata vendosën hanxharët mbi biznesin. Ne do të bëjmë një zbritje progresive, përmbushim detyrimin tonë për cmimin e tregut, dalim në treg me energjinë, por ama çdonjeri dhe KESH-i do detyrohet t'i përmbahet një kodi moral fitimi dhe jo të shesë me 2 herë e gjysëm çmimin e tregut.
Pyetje: A do ketë nje qendrim te qeverise shqiptare për investimet e Gaspromit në Shqipëri?
Kryeministri Berisha: Aktualisht burimi i vetëm i gazit në të gjithë rajonin është Gaspromi dhe Shqipëria e mirëpret shtrirjen e tubacionit të gazit nga ky burim aktual por edhe nga burime të tjera që mund t'i vijnë rajonit. Gazi është një mungesë e madhe për Shqipërinë.