E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryeministri Berisha pret shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Bundeswehr-it gjerman, gjeneralin Wolfgang Schneiderhan

Kryeministri Berisha u takua, të martën, me shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Bundeswehr-it gjerman Wolfgang Schneiderhan. Kryeministri i uroi mirëseardhjen, duke theksuar se ishte shumë i lumtur të priste gjeneralin Schneiderhan. Z.Berisha u shpreh se qeveria shqiptare është shumë mirënjohëse për ndihmën dhe përkrahjen që Gjermania dhe Forcat e saj të Armatosura kanë dhënë në përpjekjet e Shqipërisë për reformimin e Forcave të saj të Armatosura, trajnimin, pajisjen dhe modernizimin e tyre, misionet e forcave shqiptare në Bosnje dhe integrimin e vendit në NATO. Z. Berisha theksoi se kjo traditë e mirë e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes duhet të forcohet dhe të thellohet më tej.

Gjenerali Schneiderhan u shpreh se ishte shumë i lumtur të takonte kryeministrin Berisha dhe t'i shprehë atij vendosmërinë e Gjermanisë për të thelluar bashkëpunimin e shkëlqyer, i cili bazohet në qëllimet e përbashkëta për paqe, stabilitet e siguri në rajon, si dhe në vlerat e përbashkëta që ndajnë dy popujt tanë. Gjenerali Schneiderhan e vlerësoi bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes shumë të rëndësishëm. Në këtë kontekst, gjenerali Schneiderhan vlerësoi progresin e madh që ushtria shqiptare ka bërë në këto vite dhe shprehu vendosmërinë e palës gjermane për të intensifikuar ndihmën dhe hapat konkretë kundrejt Forcave tona të Armatosura në procesin e tyre të reformimit për përgatitjen për anëtarësim në NATO.

Kryeministri Berisha i prezantoi gjeneralit Schneiderhan arritjet e Forcave të Armatosura Shqiptare në fushën e reformave, si përgatjen për batalionin e reagimit të shpejtë, shkurtimin e shpenzimeve me heqjen e avionëve MIG dhe zëvendësimin e tyre me helikopterë Eurocopter, masat për realizimin e synimit për arritjen e 2% të GDP-së në vitin 2008, bashkëpunimin e shkëlqyer në kuadër të Kartës së Adriatikut dhe të partneritetit me NATO-n. Z. Berisha theksoi se qeveria shqiptare është e vendosur të marrë çdo masë për të përmbushur kriteret për të merituar ftesën në samitin e 2008-s dhe kërkoi përkrahjen e Gjermanisë për anëtarësim në NATO. Më tej, z.Berisha tha se do të jetë shumë i lumtur të mirëpresë ministrin e Mbrojtjes së Gjermanisë, z. Jung, i cili pritet të vizitojë Tiranën.

Gjenerali Schneiderhan shprehu edhe një herë gadishmërinë për të ndihmuar FA përsa i përket trajnimit, modernizimit dhe mirëmbajtjes së pajisjeve për t'u përgatitur për anëtarësim dhe u shpreh z. Jung pret me kënaqësi vizitën në Tiranë.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›