Kryeministri Berisha pret Koordinatorin Special të Paktit të Stabilitetit, z. Erhard Busek
Kryeministri Sali Berisha priti të mërkurën paradite Koordinatorin Special të Paktit të Stabilitetit, z. Erhard Busek. Fillimisht, Kryeministri i prezantoi z.Busek arritjet e qeverisë në luftën kundër krimit të organizuar, në veçanti shkatërrimin e disa prej organizatave kryesore të krimit të organizuar në Shqipëri dhe arrestimin e krerëve të tyre. Në këtë kontekst, Kryeministri theksoi se këto arritje janë bërë të mundura edhe në sajë të një bashkëpunimi të shkëlqyer me vendet e tjera të rajonit. Z. Berisha u ndal edhe në dukurinë e "kapjes së shtetit", i cili ka qenë një nga faktorët që ka penguar luftën kundër krimit të organizuar në vitet e fundit. Sidoqoftë, u shpreh kryeministri, qeveria është e palëkundur në luftën e saj me zero tolerancë kundër krimit.
Më tej, kryeministri i prezantoi z. Busek arritjet në luftën kundër trafiqeve, ndër të cilat përmendi edhe miratimin e moratoriumit për skafet dhe mjetet e shpejta lundruese. Po ashtu, z. Berisha përmendi rezultatet konkrete në luftën kundër korrupsionit, abuzimeve në administratë, përmirësimin e klimës për bizneset përmes uljes së taksave për biznesin e vogël dhe lehtësimin e procedurave, etj.
Z. Busek përgëzoi Kryeministrin për këto arritje dhe shprehu përkrahjen e plotë të Paktit të Stabilitetit për qeverinë shqiptare, në përpjekjet e saj reformuese dhe për të integruar vendin në Bashkimin Europian. Në takim u diskutuan edhe çështje të tjera të rëndësishme për rajonin e Europës juglindore.