Kryeministri Berisha takohet me Kryeministrin e Malit të Zi Milo Gjukanoviç
Kryeministri Berisha zhvilloi sot paradite një takim në Kryeministri me Kryeministrin e Malit të Zi Milo Gjukanovic.
Kryeministrat diskutuan rreth marrëdhënieve midis dy vendeve dhe popujve tanë miq, zhvillimet politike në rajon, si dhe për fuqizimin e lidhjeve dhe bashkëpunimit në të ardhmen.
Kryeministri Berisha e përgëzoi kryeministrin malazez për pavarsinë e Malit të Zi, duke shprehur bindjen e plotë se Mali i Zi i pavarur do të jetë faktor i rëndësishëm paqeje, stabiliteti dhe bashkëpunimi në rajon. Ai e përgëzoi Zotin Gjukanovic për anëtarësimin në SEDM dhe i uroi suksese për anëtarësimin e shpejtë në të gjitha nismat e tjera rajonale.
Kryeministri Gjukanovic u shpreh se ai dhe populli malazez i janë thellësisht mirënjohës Kryeministrit Berisha, qeverisë dhe popullit shqiptar për mbështetjen e hershme dhe të plotë që ata i dhanë të drejtës demokratike të Malit të Zi për vetëvendosje. Ai theksoi se Mali i Zi do të jetë faktor demokratik stabiliteti dhe bashkëpunimi në rajon dhe më gjerë. Pavarësia e Malit të Zi, theksoi Zoti Gjukanovic, e pasuar nga zgjidhja e statusit final të Kosovës në përputhje me vullnetin e popullit kosovar, do të ndihmojnë rajonin tonë të shkëputet nga e shkuara dhe të shikojnë drejt një të ardhmeje demokratike dhe europiane. Këto zhvillime do të ndihmojnë gjithashtu edhe Serbinë të përqëndrohet në të ardhmen e saj demokratike dhe evropiane.
Kryeministrat theksuan se vendet tona kanë një miqësi tradicionale, e cila duhet të fuqizohet dhe zgjerohet në të mirë të dy popujve tanë. Krahas bashkëpunimit bilateral, një rol të rëndësishëm në këtë drejtim do të luajë bashkëpunimi në kuadrin e iniciativave dhe programeve rajonale, si dhe në kuadrin e përpjekjeve të përbashkëta për integrim evropian. Kryeministri Gjukanovic u shpreh se Mali i Zi do të jetë një fqinj i përgjegjshëm, dashamirës dhe mik i Shqipërisë dhe se qeveria malazeze punon për ruajtjen dhe zhvillimin e kësaj miqësie. Një rol të rëndësishëm për zhvillimin e miqësisë, u shpreh Kryeminstri Gjukanovic, luajnë minoritetet respektive, si ura të bashkëpunimit dhe miqësisë.
Duke u përqëndruar në bashkëpunimin dhe shkëmbimet bilaterale, të dy kryeministrat theksuan se përmirësimet e infrastrukturës së të dy vendeve në fushën e energjisë, transportit dhe infrastukturës ndërkufitare janë elementi më i rëndësishëm për fuqizmin e bashkëpunimit dhe lidhjeve midis dy vendeve tona. Në këtë kuadër, ata ranë dakord për të vazhduar dhe fuqizuar investimet dhe projektet për përmirësimin e infrastukturës rrugore në korridoret lidhëse midis të dy vendeve, përmirësimin e infrastukturës dhe komunikimit përmes liqenit të Shkodrës dhe Lumit Buna, përmirësimit të infrastrukturës portuale.
Kryeministrat ranë gjithashtu dakord të punojnë për fuqizmin e bashkëpunimit ekonomik dhe shkëmbimeve tregtare midis Shqipërisë dhe Malit të Zi. Në këtë kuadër, Kryeministri Berisha gjeti mirëkuptim të plotë nga Kryeministri Gjukanovic që qeveritë e të dy vendeve të punojnë për heqjen e barrierave tregtare dhe liberalizmin e mëtejshëm të shkëmbimeve ekonomike midis dy vendeve, proces që qeveria shqiptare e ka filluar edhe me vendet e tjera të rajonit përfshi Maqedoninë dhe Kosovën. Vendet tona, u shpreh Kryeministri Berisha, kanë vetëm përfitime nga liria e shkëmbimeve dhe lëvizjeve midis tyre.