E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha përshëndet takimin e Ministerialit të Mbrojtjes të Evropës Juglindore

Sot paradite, Kryeministri Berisha përshëndeti takimin e Ministerialit të Mbrojtjes të Evropës Juglindore (SEDM), që po zhvillohet në Tiranë.

Në fjalën e tij, Kryeministri u shpreh:

"Është një nder dhe një kënaqësi e veçantë për mua të përshëndes sot këtë audiencë të nderuar dhe t'ju uroj secilit prej jush mirëseardhjen në Shqipëri.

Prania juaj, zoti Sekretar i Mbrojtjes, është dëshmi e qartë e mbështetjes dhe angazhimit që Qeveria e SHBA dhe Presidenti Bush i japin përpjekjeve tona për paqe, demokraci dhe integrim.

Kanë kaluar tashmë 10 vjet nga marsi i vitit 1996, kur ne së bashku lancuam këtu në Tiranë procesin e SEDM-it. Ky proces qe përgjigja jonë e përbashkët ndaj sfidave të reja të sigurisë më të cilat rajoni ynë u përball pas rënies së perdes së hekurt, duke filluar nga luftërat, spastrimet etnike dhe eksodet masive të popullsisë shkaktuar nga regjime diktatoriale e nacionaliste dhe duke vazhduar me rrezikun nga arsenalet e mbetura nga lufta e ftohtë, armët e shkatërrimit në masë dhe terrorizmi ndërkombëtar. Dhjetë vjet më pas, ky rajon ka ndryshuar më shumë se çdo rajon tjetër, nga mosha e konflikteve dhe armiqësive ka hyrë në moshën e bashkëpunimit dhe integrimit rajonal dhe Euro-Atlantik. Por sërish, 10 vjet më vonë çështje ende të pazgjidhura, mungesa e realizmit, si dhe terrorizmi ndërkombëtar e bëjnë të brishtë sigurinë e tij.

Përballimi me sukses i këtyre sfidave e bën të domosdoshëm bashkëpunimin e vendeve tona, në veçanti, përmes bashkërendimit të politikave të mbrojtjes dhe sigurisë, shkëmbimit të informacionit dhe eksperiencave, përafrimit të strategjive dhe prioriteteve, si dhe përmes aksionit të përbashkët me struktura shumëkombëshe rajonale. Ne jemi te bindur se vetëm me një përkushtim te tillë, por edhe me një bashkëpunim te ngushte me SHBA, NATO-n dhe vendet e saj anëtare do të mund te triumfojmë mbi kërcënimet e sotme globale.

Pas një bilanci dhjetë vjeçar, procesi i SEDM-it mbetet një nga nismat më të suksesshme të vendeve të rajonit. SEDM-i ka zhvilluar bashkëpunimin e vendeve tona në fushën e mbrojtjes, atë të sigurisë nëpërmjet promovimit të marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, promovimit të bashkëpunimit përmes përpjekjeve të përbashkëta, si dhe forcimit të kapaciteteve të mbrojtjes së vendeve pjesëmarrëse.

Bazuar në interesat dhe vlerat tona të përbashkëta euro-atlantike, ne po punojmë ngushtësisht së bashku për të plotësuar detyrimin tonë në luftën globale kundër terrorizmit ndërkombëtar, shprehur kjo edhe me dislokimin e Shtabit të SEEBRIG-ut në Afganistan. Nga ana tjetër, eksperienca e fituar përmes këtij procesi është një ndihmë e madhe në përpjekjet tona për modernizimin e forcave të armatosura si dhe integrimin në NATO. Për këtë arsye, Shqipëria ka qenë dhe mbetet promotore e fuqishme për thellimin dhe intensifikimin e nismave të përbashkëta në kuadër të SEDM-it.

Zonja dhe zotërinj,

Shqipëria ka mbyllur tashmë fazën e saj të tranzicionit dhe ka hyre në një fazë të re në marrëdhëniet e saj me komunitetin euro-atlantik dhe vendet e rajonit. Në sajë të realizimit me sukses të reformave të thella përsa i përket konsolidimit të demokracisë, shtetit ligjor dhe ekonomisë së tregut, luftës me zero tolerancë kundër krimit të organizuar si dhe reformave të tjera të thella, Shqipëria ka nënshkruar Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit me Bashkimin Europian.

Rezultatet e arritura në kuadër të MAP-it përsa i përket reformave politike, ekonomike, reformave për modernizimin dhe profesionalizimin e sektorit të mbrojtjes e kanë bërë perspektivën e anëtarësimit në NATO tashmë të prekshme. Ne jemi plotësisht të vendosur të bëjmë çdo përpjekje, të ndërmarrim çdo reforme dhe të paguajmë çdo çmim për të merituar ftesën për në NATO në Samitin e parë zgjerues të Aleancës, si të ardhmen më të sigurt për shqiptarët dhe Shqipërinë.

Faleminderit për vemendjen."

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›