E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryeministri Berisha takohet me Kryetarin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës Rene Van der Linden

Sot, Kryeministri Berisha u takua në Strasburg me Kryetarin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, zotin Rene Van der Linden.

Kryeministri e informoi zotin Van der Linden për reformat e ndërmarra nga qeveria, arritjet në luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe trafiqeve të paligjshme, etj. Gjithashtu, Kryeministri e njohu zotin Van der Linden me nismat konkrete në fushën ekonomike dhe krijimin e klimës lehtësuese për biznesin vendas e të huaj. Në këtë drejtim, zoti Berisha përmendi masat e marra për uljen e taksave per bizneset, për sigurimet shoqërore, për uljen e shpenzimeve administrative, si rezultata i të cilave qeveria arriti të përgatisë një buxhet suplementar dhe ta miratojë atë në mes të vitit.

Kryeministri e informoi zotin Van der Linden dhe për detajet e nismës së ndërmarrë nga qeveria "Shqipëria një euro" dhe nismës "one stop shop".

Kryeministri Berisha dhe Kryetari i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës Van der Linden u ndalën edhe në proceset për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Zoti Van der Linden theksoi se për vendet e rajonit është shumë e rëndësishme të ecet para me reformat në të gjitha fushat. Ai nënvizoi se duhet theksuar qartë perspektiva europiane për Ballkanin Perëndimor, si rruga më e mirë për stabilitetin dhe paqen në rajon.

Kryeministri Berisha u shpreh se qeveria shqiptare është e angazhuar plotësisht në realizimin e reformave për integrimin e vendit në Bashkimin Europian, duke vlerësuar se ky është një proces i pakthyeshëm, pasi e ardhmja e vendit është në Europë. Kryeministri vuri në dukje se vendet e rajonit duhet të jenë shumë serioze për arritjen e standarteve për integrim në NATO dhe BE.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›