E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryeministri merr pjesë në takimin e grupit parlamentar të PD-së

Sot në mesditë, Kryeministri Berisha mori pjesë në takimin javor të grupit parlamentar të Partisë Demokratike. Në fjalën e tij, Kryeministri u shpreh:

"Jemi në parafushatë elektorale dhe dëshiroj t'ju informoj se javën e ardhshme do të mblidhen forumet e partisë për të miratuar qendrimin e Partisë Demokratike. Mendoj se koalicioni i forcave qeverisëse është i domosdoshëm. Ky koalicion duhet të ndërtohet në mënyrë të tillë që të mos ketë të humbur nga koalicioni. Partia Demokratike ka një sens dhe një praktikë të shkëlqyer koalicioni. Që nga themelimi i saj e deri më sot, ajo vjen si parti kryesore, por edhe si parti koalicioni. Javën e ardhshme do të jenë forumet e partisë që do të përcaktojnë grupin negociator, të ftojnë tryezën e forcave politike të koalicionit qeverisës.

Koalicioni është i domosdoshëm dhe për faktin se arritjet e vitit të parë të qeverisjes janë frut i përbashkët i funksionimit të këtij koalicioni në qeveri, parlament dhe qeverisjen në tërësi. Koalicion të përsosur, sikundër gjëra të përsosura, nuk ka asnjëherë. Mendoj se ky ka qenë koalicioni më dinamik, më efiçent që vendi ka patur ndonjëherë. Ai nuk u bazua në stërzmadhime për të shtuar karrige, përkundrazi partitë u shtuan në koalicion, karriget u zvogluan, çka përbën një kriter shumë të ndershëm të krijimit të tij. Gjykoj se në të gjitha arritjet e këtij viti - dhe këto janë arritje realisht madhore në disa fusha - është kontributi i të gjitha partive politike të koalicionit.

Sot, nisem për në Strasburg dhe shkoj me shumë kënaqësi. Shqipëria e bandave, e Aldo Bareve, e klanit të zemunit, e Kullës, Lul Berishës, Kuqos dhe "vrasësve të shumëfishtë" të tjerë është krejt tjetër nga Shqipëria e qytetarëve të sigurtë në jetën e tyre të përditshme, në pronën e tyre, ku të fortët janë vendosur para ligjit dhe ku askush nuk pret dot më gjoba. Është e thjeshtë ta zvoglosh këtë arritje madhore dhe ta paraqesësh këtë si një gjë pa interes për qytetarët. Natyrisht kur vishesh me Dolce&Gabana apo Versace, duke vjedhur paratë e tyre, nuk mund të mendosh aspak për problemet madhore që u krijon krimi qytetarëve. Kur ndërton pasurinë në bashkëpunim me klanet e drogës, kur fle sëbashku me krimin, kur përdor "vrasës të shumëfishtë" për të grabitur kutitë e votimit, atëherë krimi bëhet luksi i jetës tënde dhe për të tjerët nuk ke përse të mendosh, përkundrazi ndjen vetëm dhimbje dhe keqardhje. Kur ish kryetari thotë se na duhet ndjeshmëria e nënave, motrave dhe bashkëshorteve, harrohen lotët e derdhura të nënave, motrave, bashkëshorteve, për njerëzit që i ekzekutuan në hanxharët e krimit dhe të tjerët që i rrëmbeu droga. Atëherë për kë e ka ai këtë ndjeshmëri, për një anëtar, një votë? Por ne do të merremi me fushatën dhe jo me të, sepse ky nuk është problemi yni.

Në axhendën tonë është lufta me tolerancë zero kundër krimit organizuar, përballja me qetësinë më të madhe dhe përpjekja e pandërprerë për të vendosur para ligjit dhe për të këputur me forcën e ligjit të gjitha lidhjet e krimit me politikën. Askush të mos mendojë se duke u bërë zëdhënës i tij do të mund të krijojë imunitet apo të përdorë politikën për imunitet ndaj lidhjeve që ka. Askush të mos mendojë se do të mund të bllokojë vullnetin e hekurt të kësaj shumice për të proceduar me vendosmëri të madhe ndaj çdo pengese dhe çdo shtylle të kapur nga krimi në segmentet e këtij shteti cilido qoftë ai.

Ne shkojmë tek shqiptarët të bindur në vlerësimin e tyre serioz të reformave që ndërmorëm gjatë këtij viti. Ne shkojmë të sigurtë se viti në vazhdim do të jetën edhe më pozitv dhe do të sjellë për ta risi të mëdha pozitive. Natyrisht risi për kombin është edhe bërja e kryeqytetit me kryetar bashkie, siç e meriton kryeqyteti dhe qytetet e tjera. Por, siç po shihet, disa prej tyre nuk kanë ndërmend të kandidojnë. Ish kryetari u thotë, natën, se nuk do të kandidojë kurrë, ndërsa ditën rreh gjoksin se do të kandidojë.

Ne garantojmë garë të ndershme. Detyra jonë është garë elektorale e ndershme, zgjedhje të ndershme."

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›