E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha takohet me Kryetarin e Radhës së OSBE-së, z. Karel e Gucht, Ministër i Jashtëm i Mbretërisë së Belgjikës

Kryeministri Sali Berisha takoi sot kryetarin e radhës së OSBE-së, zotin Karel De Gucht, ministër i jashtëm i Mbretërisë së Belgjikës. Pas takimit, Kryeministri Berisha dhe zoti De Gucht bënë këto komente për gazetarët:

Kryeministri Berisha: "Dëshiroj të përshëndes shumë përzemërsisht zotin De Gucht për këtë vizitë në Shqipëri, si kryetar i Radhës së Këshillit të Ministrave të OSBE-së dhe si ministër i jashtëm i nje vendi që ka dëshmuar gjithmonë ndjenja miqësore, interes dhe mbështetje të madhe për Shqipërinë.

Në takim, diskutuam gjerësisht mbi rolin shumë të rëndësishëm të OSBE-së në Shqipëri, në rajon e më gjerë. Diskutuam për bashkëpunimin e ngushtë dhe vlerësimin që ka Shqipëria për praninë e OSBE-së në Tiranë, si dhe fushat ku do të përqëndrohemi në të ardhmen. Po ashtu, biseduam për marrëdhëniet dypalëshe midis Belgjikës dhe vendit tonë dhe shprehëm kënaqësinë për bashkëpunimin midis nesh, i dëshmuar ndër të tjera nga një sërë marrëveshjesh miqësore mes dy vendeve tona. Shprehëm vendosmërinë për t'i thelluar më tej këto marrëdhënie, veçanërisht në fushën ekonomike dhe në tërheqjen e investimeve belge.

E njoha ministrin me përpjekjet e qeverisë sonë për rivendosjen dhe funksionimin e shtetit ligjor në Shqipëri, me reformat e thella në luftën kundër krimit të organizuar e korrupsionit, si dhe reformën e pronësisë.

E sigurova ministrin për vendosmërinë e qeverisë për të zbatuar Marrëveshjen e Stabilizim-Asocimit, pas nënshkrimit nga Këshilli i Ministrave të BE-së.

Dëshiroj të falënderoj edhe njëherë zotin ministër për vizitën e tij dhe mbështetjen që na dha. Dua ta siguroj atë se Shqipëria dhe shqiptarët presin me shumë kënaqësi vizitën e kryeministrit Guy Verhofstadt, brenda mundësive të tij, në një kohë sa më të afërt".

Zoti De Gucht: "Faleminderit zoti kryeministër për mikpritjen. Ne diskutuam me kryeministrin shumë hapur dhe në mënyrë të sinqertë lidhur me zbatimin e reformave të ndryshme. Kryeministri më siguroi mbështetjen e tij për aktivitetin e OSBE-së dhe për rolin e saj në ndërtimin e institucioneve demokratike të vendit.

Gjithashtu, konsultuam dhe fushat në të cilat mendojmë që Prezenca e OSBE-së në Shqipëri do të përqëndrohet në të ardhmen. Folëm për bashkëpunimin në fushën ekonomike dhe theksuam se garantimi i zbatimit të ligjit është kusht i domosdoshëm për zhvillimin ekonomik, veçanërisht regjistrimi i popullsisë dhe pronave dhe garantimi i të drejtës së pronësisë.

E urova kryeministrin për firmosjen së shpejti të Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit. Mendoj se zgjerimi i mëtejshëm është një projekt shumë i rëndësishëm politik për BE-në, sikurse është i rëndësishëm për Shqipërinë dhe gjithë Ballkanin perëndimor. Besoj se vendet e Ballkanit perëndimor duhet të përgatiten plotësisht për anëtarësimin në BE dhe për këtë, Marrëveshja e Stabilizim-Asocimit është shumë e rëndësishme.

Ne folëm edhe për një sërë marëveshjesh që janë firmosur midis Shqipërisë dhe Belgjikës. Kemi për të firmosur edhe një tjetër sot. Besoj se bashkëpunimi midis nesh është shumë i rëndësishëm, si për demokracinë dhe zhvillimin e Shqipërisë, ashtu edhe për Belgjikën".

Në përgjigje të interesimit të disa gazetarëve të huaj në lidhje me datën e nënshkrimit të Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit, si dhe për përpjekjet e qeverisë në luftën kundër krimit të organizuar dhe trafiqeve, kryeministri Berisha theksoi:

"Data e nënshkrimit të Marrëveshjes është tashmë çështje teknike, pasi duhet që ajo të përkthehet në të gjitha gjuhët e vendeve anëtare të BE-së. Ne kemi marrë garancinë se ajo do të nënshkruhet brenda Presidencës austriake.

Qeveria që unë kryesoj ka nisur një luftë me "tolerancë zero" ndaj krimit të organizuar dhe trafiqeve. Në këtë drejtim janë dhënë rezultate konkrete dhe tashmë të gjithë bosët e mafias shqiptare, bosët e organizatave më të rrezikshme të krimit të organizuar shqiptar, janë duke u përballur me ligjin. Janë me dhjetra e qindra anëtarë të grupeve të krimit të organizuar, të trafiqeve të paligjshme të qenieve njerëzore, të armëve, të drogës që janë vënë para drejtësisë. Jemi plotësisht të angazhuar për të mbyllur të gjitha rrugët e trafiqeve në Shqipëri, në mënyrë që Shqipëria të shndërrohet në një vend të sigurt për të gjithë qytetarët e saj, investimet e huaja dhe fqinjët. Jemi të bindur se ligji do të sundojë".

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›