Qeveria shqiptare dhe PNUD nënshkruajnë një marrëveshje që trajton çështjet ekstralegalitetit në Shqipëri
Qeveria shqiptare dhe PNUD nënshkruan sot, në Kryeministri, marrëveshjen për "Programin për Konsolidimin e Demokracisë dhe Krijimin e një Ekonomie tregu Gjithëpërfshirëse në Shqipëri".
Ky program është pjesë zbatuese e marrëveshjes kuadër "Plani i Veprimit të Programit për Shqipërinë 2006 – 2010". Për palën shqiptare marrëveshja u nënshkrua nga Zëvëndëskryeministri, z. Ilir Rusmali dhe për PNUD-in nga Znj.Gulden Turkoz-Cosslet, Përfaqësuese e këtij institucioni në Shqipëri. Në ceremoni merrnin pjesë përfaqësues të Institutit për Liri dhe Demokraci të Perusë, përfaqësues nga Ministria e Financave, Ministria e Drejtësisë, Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, Ministria e Brendshme, si dhe nga Komisioni Shtetëror i Kthimit dhe Kompensimit të Pronave.
Në fjalën e mbajtur me këtë rast, Zv/kryeministri z.Rusmali dhe Përfaqësuesja e PNUD-it në Shqipëri, znj Cosslet, u shprehën:
Zv/kryeministri Rusmali: "Marrim pjesë sot në ceremoninë për nënshkrimin e një marrëveshjeje me PNUD-in, e cila do t'i hapë më pas rrugën nënshkrimit të një kontrate mes PNUD-it dhe Institutit për Liri dhe Demokraci të Perusë, për të trajtuar në thellësi diagnostikimin dhe gjetjen e rrugëve për eleminimin e fenomenit të ekstralegalitetit në Shqipëri. Kjo është një nga çështjet madhore të programit të qeverisë shqiptare, për të cilën ne besojmë se, në bashkëpunim të ngushtë me PNUD-in dhe me një institut ekspertize me famë botërore, si Instituti për Liri dhe Demokraci, do ta përballojmë me shumë suskses, gjatë viteve të këtij mandati qeveritar dhe më tej.
Nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje sot me PNUD-in është në vazhdën e disa marrëveshjeve që janë nënshkruar ditët e fundit dhe është kurorëzim i këtij kuadri të ri të bashkëpunimit të thelluar me PNUD-in. Kjo na jep mundësinë ta falënderojmë përzemërsisht organizatën për veprimtarinë e saj të përkushtuar dhe intensive në Shqipëri.
Znj. Cosslet: "Jemi sot këtu për të nënshkruar një projekt midis qeverisë së Shqipërisë dhe PNUD-it që trajton çështjen e ekstralegalitetit në Shqipëri. Me kërkesë të posaçme të kryeministrit dhe në vijim të një takimi në New York, shtatorin e kaluar, midis zotit Kemal Dervish dhe Kryeministrit Sali Berisha, PNUD-i ftoi ekspertin e njohur ndërkombëtar Fernando De Soto dhe Institutin për Liri dhe Demokraci, për të mbështetur Shqipërinë për këtë çështje. Ne jemi të kënaqur që sot, së bashku me anëtarë të Institutit për Liri dhe Demokraci, kemi arritur në një mendim të përbashkët për atë që duhet të bëjmë, për të mbështetur reformën e qeverisë.
Ashtu siç theksoi edhe Zëvendëskryeministri, ne do të fillojmë me studimin e diagnostikimit të problemit. Ky studim është i rëndësishëm dhe do të analizojë se sa i madh apo sa i gjerë është problemi i ekstralegalitetit në Shqipëri dhe për t'i dhënë disa rekomandime qeverisë shqiptare, për të mbështetur dhe për të çuar përpara reformën në këtë drejtim. PNUD-i mbështet me kënaqësi këtë ndërmarrje. Ne presim me kënaqësi të punojmë ngushtë me të gjithë aktorët në këtë proces, përfshi qeverinë, shoqërinë civile, me organizmat ndërkombëtare, si OSBE, Banka Botërore dhe donatorë të tjerë të cilët janë duke mbështetur këto përpjekje".