E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Sali Berisha përshëndet konferencën për ujitjen, kullimin dhe mbrojtjen e tokës nga erozioni

I nderuar ministri Gjana,
Të nderuar zonja dhe zotërinj,

Më lejoni së pari t'ju falenderoj për ftesën për të marrë pjesë në këtë takim diskutimi për një ndër problemet madhore të mjedisit dhe bujqësisë shqiptare, i lidhur ngushtësisht me mirëqënien e asaj pjese të popullsisë që jeton në zonat rulale dhe të ardhmes së vendit, ujitjes, kullimit dhe mbrojtjes së tokës nga erozioni, nga ky kancer që po shkatërron çdo ditë tokën në Shqipëri.

Ky problem lidhet me jetesën dhe mbijetesën aktuale të fermerëve shqiptarë. Sot, fshati shqiptar është realisht në një gjendje të papranueshme. Një përqindje e madhe e fermerëve jetojnë larg të gjitha minimumeve, të zhytur në mjerim dhe varfëri të tejskajshme. Sistemet e vaditjes dhe mirëmbajtjes së tokës u rrënuan, sistemet dhe menaxhimi i ri mbeten ende të pakonsoliduar.

Qeveria është e vendosur të bëjë të gjitha përpjekjet për një kthesë rrënjësore në ujitjen, kullimin dhe mbrojtjen e tokës nga erozioni. Sot, toka është objekt i një agresiviteti të lartë, në radhë të parë njerëzor, i nxjerrjes së lumenjve nga shtretërit për shkak të shfrytëzimit jashtë çdo kriteri të materialeve të ndërtimit, i ndërtimeve mbi kolektorë dhe favorizimit të përmbytjes së saj. Toka pakësohet me shpejtësi çdo ditë, prandaj është e rëndësishme të përqendrohemi me potencialin tonë atje ku është emergjenca. Ministri Gjana ka marrë porosi të projektohet me shpejtësi ndërtimi dhe rindërtimi i të gjitha argjinaturave. Ne e konsiderojmë këtë një emergjencë kombëtare dhe duhet t'i japim zgjidhje të shpejtë.

Ne jemi të vendosur të mbrojmë tokën nga betonimi. Ligji i legalizimeve është një ligj themelor për vendin, sepse i jep përgjigje një dukurie, e cila shtrihet në 230 mijë troje, për të mos lejuar më dhe për të vendosur konfiskimin e plotë në çdo ndërtim pa leje, që do të mund të ndërmerret nga kushdo, për t'i dhënë fund betonimit të tokës jashtë të gjitha kritereve.

Qeveria ka bërë përpjekje për të luftuar me eficiencë korrupsionin në këtë sektor. Ne do vazhdojmë të bëjmë çdo përpjekje që taksat, paratë publike të shqiptarëve të përdoren me transparencë të plotë në interes të fermerëve, të zhvillimit të qendrueshëm dhe mbrojtjes së mjedisit.

Prandaj, dhe një herë dëshiroj t'ju shpreh suksese dhe t'ju siguroj për mbështetjen maksimale për nismat e Ministrisë së Bujqësisë për të ndërtuar programe veprimi ndërministrore, të domosdoshme për të realizuar ujitjen, kullimin, mbrojtjen e tokës nga erozioni, kushte këto vendimtare për një zhvillim të qendrueshëm rural, për të nxjerrë familjet fermere nga varfëria dhe për ta bërë Shqipërinë një vend të zhvilluar. Faleminderit.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›