Kryeministri Berisha takohet me Kryetaren e Parlamentit të Greqisë, Zonjën Anna Benaki – Psarouda

Sot pasdite, Kryeministri Berisha pati një takim me Kryetaren e Parlamentit të Greqisë, zonjën Anna Benaki – Psarouda.
Të dy palët vlerësuan miqësinë dhe nivelin e bashkëpunimit mes dy vendeve në të gjitha fushat dhe shprehën vullnetin e përbashkët për thellimin më tej të këtij bashkëpunimi.
Zonja Anna Benaki – Psarouda vlerësoi se Shqipëria ka hedhur hapa përpara në zhvillimin e saj. Përpjekjet dhe dëshira e Shqipërisë për integrim mbështetet gjerësisht nga Greqia, u shpreh ajo. Zonja Benaki theksoi se kjo vizitë do të forcojë me tej marrëdhëniet mes dy vendeve, ku një vend të rëndësishëm zë edhe bashkëpunimi mes dy parlamenteve.
Gjithashtu, Kryetarja e Parlamentit grek vlerësoi faktin që në qeverisjen aktuale ka dhe përfaqësues të minoritetit. "Ky është një ndër treguesit se Shqipëria respekton standardet ndërkombëtare për minoritetet", tha zonja Benaki.
Në këtë drejtim, Kryeministri Berisha e siguroi Kryetaren e Parlamentit grek se Qeveria shqiptare mbetet e vendosur për të forcuar dhe zhvilluar më tej të drejtat e minoritetit grek dhe të minoriteteve të tjera në Shqipëri. Qëndrimi ndaj minoriteteve është tregues i karakterit të lirë dhe emancipimit të çdo shoqërie, u shpreh Kryeministri.
Kryeministri Berisha i shprehu zonjës Anna Benaki – Psarouda mirënjohjen për parlamentin dhe popullin grek, të cilët në vitet e pasdiktaturës në Shqipëri kanë mbështetur përpjekjet e shqiptarëve për demokraci, progres dhe prosperitet. "Unë jam dëshmitar i mbështetjes që forcat demokratike greke i dhanë forcave demokratike shqiptare që në fillimin e pluralizimit politik në Shqipëri, sikurse jam dëshmitar dhe i ndihmës së pakursyer që Parlamenti dhe populli grek u kanë dhënë shqiptarëve në përpjekjet e tyre për zhvillim dhe integrim në Europë", theksoi Kryeministri Berisha.
Kryeministri vuri në dukje se Shqipëria nënshkroi në qershor të këtij viti marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit me Bashkimin Europian, e cila pritet të ratifikohet tashmë dhe nga vendet anëtare. Në këtë proces, theksoi Kryeministri, solidariteti dhe ndihma e Greqisë ka qenë shumë e çmuar dhe ratifikimi i MSA-së nga parlamenti grek do të jetë një mbështetje e madhe në përpjekjet e Shqipërisë në këtë drejtim.
Të dy palët diskutuan edhe për çështjen e emigrantëve shqiptarë në Greqi, duke ndarë të njëjtin mendim se statusi, kushtet e jeteses dhe integrimi i tyre në Greqi kanë ardhur duke u përmirësuar në mënyrë të vazhdueshme dhe kjo edhe si rezultat i ligjeve dhe akteve ligjore të nxjerra herë pas here nga Parlamenti grek për përmirësimin e kushteve të tyre.
Kryeministri Berisha u shpreh se do të bëjë çdo përpjekje që miqësia dhe bashkëpunimi mes dy vendeve të njohë horizonte të reja. Në këtë aspekt, nënvizoi Kryeministri, bashkëpunimi parlamentar është shumë i rëndësishëm.
Ndërsa zonja Anna Benaki – Psarouda, e siguroi Kryeministrin se parlamenti grek do të vazhdojë të mbështesë Shqipërinë në rrugën e saj të zhvillimit dhe integrimit europian. Ajo vlerësoi faktin që të gjitha grupet parlamentare të Parlamentit grek, pavarësisht përkatësive politike, kanë qëndrime pozitive ndaj Shqipërisë.