E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha premton se zona e Martaneshit do të shpallet Park Kombëtar

- Kryeministri Berisha premton se zona e Martaneshit do të shpallet Park Kombëtar

Sot paradite, Kryeministri Sali Berisha mori pjesë në festën e Ballem Sulltanit dhe vizitoi Teqenë e Martaneshit. Në këto festime merrnin pjesë Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, Haxhi Dede Reshat Bardhi, klerikë të tjerë bektashinj, deputetë të kësaj zone dhe besimtarë e pelegrinë të ardhur nga gjithë Shqipëria.

Kryeministri Berisha në përshëndetjen e mbajtur me këtë rast uroi të gjithë bësimtarët bektashinj për këtë ditë të shënuar dhe vlerësoi veprën e pavdekshme të bektashijve të mëdhenj shqiptar. Po ashtu, Kryeministri shprehu mbështetjen dhe vëmendjen e qeverisë për zhvillimin e Martaneshit dhe njohjen e bukurive natyrore dhe vlerave turistike të kësaj zone në mbarë botën. Ai premtoi se zona e Martaneshit do të shpallet së shpejti Park Kombëtar.

Në fillim të fjalës së tij, Kryeministri Berisha u shpreh: "Është një nder i veçantë dhe kënaqësi e madhe për mua të marr pjesë së bashku me ju në këtë pelegrinazh, në këto male dhe bjeshkë të mrekullueshme të cilat i zgjodhi Ballem Sulltani për të ndërtuar shtëpinë e tij, Teqenë e Martaneshit, tempull i besimit bektashian, tembull i besimit tek Zoti, tek liria, tek Shqipëria. Kjo është prova më e mirë për të cilën martaneshët dhe shqiptarët do të krenohen brez pas brezi. Është dëshmia se Zoti e deshi Shqipërinë".

Kryeministri Berisha theksoi se për shqiptarët e të gjitha besimeve Bektashizmi dhe Shqiptaria janë një e të pandarë. "Eshtë fakt i madh historik se figurat e mëdha të identitetit tonë kombëtar, Frashëllinjtë, ishin njëkohësisht bektashinj. Bektashizmi në Shqipëri u shndërrua, ashtu siç donin themeluesit e tij, në simbol të vëllazërisë, të mirëkuptimit, të tolerancëc, të dashurisë për Zotin, për njeriun, për vendin, për flamurin, për lirinë, për të ardhmen", vijoi ai.

Zoti Berisha vlerësoi lartë veprën e prijësve shqiptar të bektashizmit; të Baba Hysen Malit, Baba Jashar Krenës, Baba Hajdar Leskovecit, Baba Rushit Todhes, tribunit të lirisë Baba Mustafa Xhanit dhe shumë të tjerëve, përkushtimin e tyre të madh ndaj bektashizmit, ndaj lirisë dhe dinjtetit të shqiptarëve. "Në të gjitha kohërat bektashinjtë dhe udhëheqësit e tyre shpirtëror ishin një me flamurin kombëtar, me çështjen e drejtë të shqiptarëve kudo që ndodheshin", theksoi zoti Berisha.

Më tej, kryeministri Berisha shprehu mbështetjen e qeverisë për zhvillimin zonës së Martaneshit. "Kjo zonë e mrekullueshme, ky tempull i vlerave të mëdha shpirtërore për të gjithë shqiptarët, por dhe ky masiv i bukurive mahnitëse natyrore, i pasurive të pacmuara, së shpejti do të shpallet Park Kombëtar. Do punojmë së bashku që bukuritë e Martaneshit dhe gjithë kësaj zone të bëhen të njohura për turizmin nga mbarë bota", u shpreh kryeministri.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›