Kryeministri Berisha përshëndet 6 vjetorin e krijimit të Shoqatës së Investitorëve të Huaj në Shqipëri
Sot pasdite, kryeministri Sali Berisha përshëndeti 6 vjetorin e krijimit të Shoqatës së Investitorëve të Huaj në Shqipëri. Në këtë ceremoni ishin të pranishëm anëtarë të qeverisë, investitorë të huaj dhe përfaqësues të institucioneve financiare ndërkombëtare në Shqipëri.
Duke përgëzuar anëtarët e kësaj shoqate, kryeministri Berisha vlerësoi se 6 vjetori i Shoqatës së Investitorëve të Huaj shënon një ngjarje të rëndësishme për ekonominë dhe Shqipërinë. "Mesazhi që ju sollët është inkurajues për qeverinë shqiptare. Ne ju jemi mirënjohës që vendosët ëndrrat, paratë dhe projektet tuaja në këtë vend. Ne do të bëjmë çdo përpjepje për të merituar besimin tuaj, do të bëjmë çdo përpjekje për të mbrojtur investimet tuaja dhe do të marrim çdo vendim që zgjeron kapacitetet investuese në Shqipëri", theksoi kryeministri.
Kryeministri theksoi se synimi i qeverisë shqiptare është shndërrimi i Shqipërisë në vendin më tërheqës për investimet e huaja në rajon. Për arritjen e këtij synimi, u shpreh kryeministri, gjatë këtyre muajve është punuar shumë për paketën e re fiskale, po liberalizojmë licencat, është ulur në mënyrë të ndjeshme çmimi i energjisë elektrike për biznesin, si dhe po luftohet me tolerancë zero krimi i organizuar dhe korrupsioni.
Duke siguruar se këto janë vetëm hapat e parë në këtë drejtim, kryeministri Berisha theksoi se ekonomia shqiptare në sajë të zgjerimit të hapësirave të tregut të lirë po përparon.