E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha takohet me presidentin e Kosovës Fatmir Sejdiu

Sot në mesditë, Kryeministri Berisha zhvilloi një takim me presidentin e Kosovës Fatmir Sejdiu. Në përfundim të takimit, kryeministri Berisha dhe Presidenti Sejdiu, duke iu përgjigjur interesimit të mediave, u shprehën:

Kryeministri Berisha: Sapo përfunduam një takim, i cili u karakterizua nga një mirëkuptim i plotë. Vizita e presidentit Sejdiu vjen në një moment shumë të rëndësishëm për Kosovën por edhe për Shqipërinë dhe rajonin në tërësi. Kjo vizitë zhvillohet vetëm pak ditë pas një vizite shumë të suksesshmë që presidenti dhe kryeministri i Kosovës patën në Ëashington. Unë e shfrytëzova rastin për ta falenderuar edhe njëherë me shumë mirënjohje për atë pritje shumë vëllazërore që më rezervuan, por para se gjithash për përparimin e madh të gjithanshëm, që unë e quaj të jashtëzakonshëm në një hark kohor pak vjecar që kanë realizuar në Kosovë, në bashkëpunim të ngushtë me komunitetin ndërkombëtar.

Edhe njëherë dua të theksoj se është në meritën më të madhe të udhëheqjes politike dhe qytetarëve të Kosovës që kanë shkrirë në një, endrrën e pavarësisë dhe ëndërrën e integrimit. Diskuatuam gjerësisht me presidentin për të intensifikuar bashkëpunimin në të gjitha fushat, nga kultura dhe arsimi në fushën ekonomike, të luftës kundër krimit të organizuar dhe shtypjes së krimit transnacional. Diskutuam me shqetësim edhe mbi disa incidente të papëlqyeshme në fushatën zgjedhore në Maqedoni, duke u bashkuar në thirrjen tonë për të respektuar të gjitha normat dhe standartet e një fushate të qytetëuar në këtë vend mik me të cilin Shqipëria dhe Kosova kanë marrëdhënie të shkëlqyera.

Presidenti Sejdiu: Ne jemi me përshtypjet e një bashkëpunimi jashtëzakonisht të ngjeshur dhe siç tha zoti kryeministër, nga takimi në Prishtinë, ne vazhduam bisedat edhe sot në Tiranë, që janë të fokusuara në nevojën e intensifikimit të bashkëpunimit të gjithanshëm dhe ne te gjitha aspektet e mundshme. Unë falenderoj Shqipërinë dhe kryeministrin Berisha, për rolin e madh që ka patur dhe ka, në ndihmë të Kosovës, si një faktor i rëndësishëm, nxitës për procese cilësore, nëpër të cilat ecën Kosova dhe të cilat kanë nevojë të përshpejtohen, në mënyrë që të përmbyllim edhe objektivin tonë themelor në njohjen ndërkombëtare të saj si shtet i pavarur dhe sovran në 2006, duke falenderuar gjithashtu angazhimin e saj edhe në aspektin diplomatik dhe në të gjithë fushat e tjera.

Po ashtu mund të them se mundësitë e bashkëpunimit janë shumëplanëshe, duke filluar nga ajo që mund të themi për lëvizjet e vazhdueshme dhe komunikimet e ngjeshura të nevojshme dhe të natyrshme të njerëzve, përmes rrugëve që do të ndërtohen dhe do të përfundohen, si pjesë e nje projekti të rëndësishëm të filluar këto kohë me një intensitet të madh, por edhe në disa aspekte të tjera që i përmendi edhe kryeministri Berisha.

Ajo që është e rëndësishme për ne, në këto kohë, është të gjejmë hapësirat më të mira të mundshme për një bashkëpunim të natyrshëm të insitucioneve qeverisëse, të ministrive dhe të aspekteve të tjera që kanë të bëjnë edhe me pushtete të tjera, si me legjislativin, që do të jetë pjesë e bisedave në parlamentin shqiptar, që përvojat e deritanishme janë të mira dhe janë përvoja që ne na shërbejnë në procesin e integrimeve të mëvonshme, sepse Shqipëria fatmirësisht ka hyrë në një proces të mbarë dinamik, në fazën e fundit pas nënshkrimit të aktit të stabilizim asociimit, që të përparojë më shpejt në integrimet euroatlantike. Në këtë drejtim, ne kemi nevojë që rruga jonë të jetë më e shkurtër dhe kjo do të jetë e tillë, për faktin se kemi një ndihmë të drejtëpërdrejtë edhe nga Shqipëria, por edhe nga komuniteti ndërkombëtar që ndodhet në Kosovë. Mendojmë që në këtë fazë të tranzicionit, Kosova do të ketë shansin e mirë që të shpejtojë në këtë hap.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›