E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha takohet me përfaqësues të Observatorit të Transporteve të Evropës Juglindore

Kryeministri Berisha  priti sot në një takim delegacionin e Observatorit të Transportit të Evropës Juglindore të kryesuar nga zoti Zoltan Kazatsay, Nëndrejtor i Përgjithshëm i Drejtorisë së Transportit dhe Energjisë  i Komisionit Evropian.

Gjatë takimit, Kryeministri Berisha e njohu zotin Kazatsay me prioritetet e qeverisë shqiptare në fushën e transportit rrugor, portal dhe hekurudhor. Kryeministri theksoi se një prioritet i rëndësishëm  për Shqipërinë dhe rajonin është realizimi i Korridorit 8, nga i cili do të përfitojnë jo vetëm vendet e rajonit Maqedonia, Bullgaria dhe Shqipëria por edhe Italia. Kryeministri theksoi gjithashtu rëndësinë e aksit hekurudhor që do të lidhë Shqipërinë, Maqedoninë dhe Bullgarinë.

Duke u ndalur në infrastrukturën portale, Kryeministri vuri theksin në rëndësinë e  veçantë të kësaj infrastrukture, jo vetëm për vendin tonë por edhe për rajonin. Në këtë kontekst, Kryeministri vlerësoi ngritjen e një grupi ekspertësh ndërkombëtarë për realizimin e një studimi fizibiliteti për portet kryesore dhe mundësinë e realizimit të porteve të reja në bregdetin tonë.

Ndër të tjera, Kryeministri u shpreh që do të vlerësonte mbështetjen e komisionit në fuqizimin e modernizimin e rrjetit të rrugëve rurale si pjesë e qenësishme e rrjetit infrastrukturor të vendit tonë.

Nga ana e tyre, përfaqësuesit e Komisionit Evropian vlerësuan prioritetet e qeverisë  shqiptare në këto drejtime dhe shprehën bindjen që këto prioritete do të gjejnë hapësirat e duhura të mbështetjes financiare të partnerëve ndërkombëtarë.

Gjithashtu Zoti Kazatsay, i shprehu kryeministrit Berisha përgëzimet për punën e shkëlqyer dhe profesionale gjatë presidencës shqiptare të Observatorit të Transportit të Evropës Juglindore, duke theksuar se ky fakt ka kontribuar dukshëm në shkëmbimet rajonale.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›