Kryeministri Berisha takohet me perfaqsues të biznesit
Sot paradite, kryeministri Sali Berisha mori pjesë në një takim të organizuar me përfaqësues të biznesit. Në këtë takim kryeministri informoi mbi masat e fundit të ndërrmarra nga qeveria në sektorin energjitik, me qëllim lehtësimin tarifave të energjisë per biznesin në tërësi.
Në fjalën e tij kryeministri Berisha, ndër të tjera u shpreh:
"Ky takim ka si qëllim paraqitjen e linjave kryesore të platformës së qeverisë për zgjidhjen përfundimtare të njërit prej problemeve më madhore me të cilin përballet vendi, problemin e energjisë. Qeveria ka vendosur të ndërrmarrë nisma në disa drejtime siç janë:
Të ulë çmimin e energjisë elektrike për biznesin, duke ju çliruar nga gjoba e rëndë dhe e pamerituar e vendosur ndaj jush nga qeveritë e mëparshme dhe koorporata energjitike. Me çmimet absurde me të cilat u është shitur ju energjia, de fakto ju keni subvencionuar humbjet dhe vjedhjet e koorporatës. Ky fakt nuk mund të tolerohet më. Do të parashtrojmë sot një paketë propozimesh për tarifa të reja, të cilat shënojnë një rënie prej afërsisht 33 % të çmimit të energjisë për ju. Ulja e çmimit të energjisë nga nga 120 në 80 lekë për kilovat, për biznesin që furnizohet me tension të ulët, përbën realisht një vlerë financiare prej 80 % të taksës që paguhet realisht. Për një pjesë të bizneseve që janë konsumatorë të mëdhenj energjie, kjo ulje kap vlerën financiare të dyfishit të taksave që paguajnë.
Përfundimisht qeveria i ka propozuar entit rregullator të energjisë të vendosë tarifat që vijojnë: 8 lekë për biznesin që furnizohet nga tensioni i ulët, 7 lekë për bizneset që furnizohen nga tensioni i mesëm dhe 6 lekë për bizneset që furnizohen nga tensioni i lartë. Ju nuk mund të paguani një faturë të pamerituar. Kjo lëvizje bëhet edhe më e rëndësishme në kuadrin e nënshkrimit të marrëveshjes së stabilizim-asociimit dhe të nënshkrimit të marrëveshjes së zonës së lirë (CEFTA), marrëveshje këto që kërkojnë kushte përafërsisht të barabarta në garën ë konkurencës. Qeveria do të rrisë rrogat, pensionet dhe asistencën sociale dhe do të kompesojë çdo qindarkë të rritjes së çmimit të energjisë për konsumatorët familjarë. Kjo do të bëhet për 190 mijë familje qe janë më të varfërat, për të gjithë punonjësit buxhetorë, që kanë një rrogë më të ulët se 150 mijë lekë (të vjetra) dhe për të gjithë pensionistët kryefamiljarë. Ky është vetëm një hap i bërë në drejtim të reformimit të sistemit energjitik, i cili shënon një impakt tejet pozitiv për funksionim e sektorit privat dhe për punësimin e shqiptarëve. Qeveria është plotësisht e vendosur të lehtësojë çdo barrierë që del ndaj biznesit, duke bërë përpjekje të mëdha për të garantuar hapësirat e veprimtarisë së tij si dhe për ta garantuar ligjërisht këtë veprimtari. Qëllimi themelor i qeverisë është që të krijohen mundësi më të mëdha punësimi. Në një kohë kur çmimet e energjisë po shënojnë rritje të ndjeshme, ne bëjmë një ulje prej 33 % të këtyre çmimeve për bizneset. Kjo do të shoqërohet me nje ulje të konsiderueshme të kostos së prodhimit dhe në tërësi do të jetë një nxitje reale për punësim nga sipërmarrjet tuaja.
Qeveria ështe e vendosur të punojë në drejtim të balancës energjitike. Shqipëria ka një disbalancim të madh energjitik. Parametrat e energjisë në Jug janë kërcënuese për bizneset dhe familjet, për faktin se mbi 90 % e energjisë prodhohet në veriun e vendit, ndaj dhe qeveria ka vendosur të ndërtojë Tecin në Vlorë si dhe një TEC dy herë më të fuqishëm në Korçë, po ashtu dhe një projekt tjetër i cili po ecën me shpejtësi. Qeveria është e hapur për rikthimin e Tecit të Fierit me teknologji të re, ashtu sikurse Elbasani duhet të krijojë sa më shpejt të jetë e mundur, një burim të madh energjitik. Ne duhet të garantojmë një balancë energjitike si gjeografike ashtu edhe burimore. Nuk mund të mbetemi në mëshirë të thatësirës dhe të shirave, por duhet me shpejtësi të zgjerojmë dhe instalojmë kapacitetet e termoprodhimit.
Në funksion të plotësimit të nevojave energjitike, qeveria do të investojë për parqet energjitike. Këto parqe do të jenë dy: Porto Romano dhe Pishporo. Vlora nuk mund të jetë park energjitik. Vlora do të jetë park industrial dhe TEC-i si një domosdoshmëri jetike për të përballuar nevojat në rritje të zonës bregdetare në tërësi. Krahas prodhimit me termocentrale do të inkurajohet ndërtimi i hidrocentraleve te reja dhe dhe kjo është një nga ceshtjet e trajtuara në mënyrën më intensive në institucionet ndërkombëtare. Ka patur disa kundërshtira për procedurat nga ana e këtyre institucioneve që kanë patur si qëllim vetëm transparencën e procedurës.
Do të ngrihet agjencia kombëtare e koncesioneve, në të cilën do të përshpejtohen të gjitha projektet ekzistuese dhe projektet e reja. Ekziston një mirëkuptimin i plotë, nga ana e qeverisë, për biznesmenët dhe investitorët të cilët kanë hartuar projekte dhe kanë vendosur të investojnë në hidrocentrale të përmasave të vogla dhe të mesme në zona të ndryshme të vendit, por kërkohet gjithashtu mirëkutimi i tyre se asgje nuk ka ardhur nga neglizhenca e qeverisë, por përkundrazi qeveria ka patur angazhimin e plotë që këto investime të fillojnë sa më parë.
Drejtimi i tretë i qeverisë do të jetë privatizimi. Ka patur dy propozime në lidhje me këtë çështje. Njëra të mirëmenaxhohet dhe pastatj të privatizohet, tjetra të privatizohet për ta mirëmenaxhuar. E dyta funksionon. Qeveria mendon se nuk ka alternativë më të mirë për mirëmenaxhimin e pasurive që përfaqsojnë korporatat, përvec privatizimit të tyre me shpejtësi, prandaj dhe qeveria është e vendosur të procedojë me ekspërtët ndërkombëtarë duke ngritur një grup pune për privatizimin e koorporatave, Krahas privatizimit qeveria është thellësisht e angazhuar për të përmirësuar në mënyrë të ndjeshme transmetimin. Linja Elbasan- Tiranë-Podgoricë është në ndërtim e sipër, fondet janë të siguruara dhe po punohet me intensitet për të siguruar fondet edhe për dy linja të tjera të mëdha, Vau i Dejës-Prishtinë dhe Elbasan-Shkup. Duke ecur në këto drejtime qeveria synon që Shqipëria të shndërrohet jo vetëm në një vend të vetëmjaftueshëm për energji, por edhe në një eksportues rajonal të energjisë. Interes i madh është treguar për ndërtimin e termocentraleve me gaz likid. Një konsorcium ndërkombëtar ka vendosur të ndërtojë një të tillë prej 1200 mega/Vat në Seman, Fier. Konsorciume të tjera kanë treguar interes të madh për të ndërtuar termocentrale të tjera me qëllim eksporti. Ky është vetëm një prej hapave që shpall qeveria sot. Biznesi është fokusi i qeverisë. Qeveria kërkon të mbështetë suksesin e biznesit , duke zbatuar ligjet e vendit, si kushti më vendimtar për lirinë e tregut.