Përgënjeshtrim mbi një artikull të botuar në gazeta
Sot gazeta "Zëri i Popullit" dhe disa gazeta te tjera kanë shpifur në mënyrë të ulët dhe kanë mashtruar publikun mbi deklarimin e pasurisë së Kryeministrit z. Sali Berisha, sipas të cilëve të ardhurat e kryeministrit janë shtuar me 40-56 milion lekë në një vit.
Sqarojmë se e vërteta është krejt ndryshe.
Në të gjitha deklarimet e tij, gjatë ushtrimit të të gjitha funksioneve zyrtare, Kryeministri ka deklaruar pasurinë e tij të vërtetë, duke qenë gjithmonë transparent dhe në zbatim të ligjit.
Në deklarimin për vitin 2005 Kryeministri ka deklaruar një shtesë vjetore prej 1,5 milion lekë, shumë e cila është rezultat i kursimeve vjetore familjare. Pra kjo shumë, për çdo njeri që dëshiron të thotë të vërtetën dhe vetëm atë, e jo të mashtrojë, pasqyron kursimet familjare të kryeministrit.
Çdo qytetar ose person i interesuar është i lirë të kontrollojë pasuritë e kryeministrit, deklarimet e tij të viteve 2003-2004-2005, të skanuara dhe publikuara në rubrikën "Fotografi".
Zyra e Informacionit e Kryeministrit shpreh keqardhjen e saj për mashtrimin dhe gënjeshtrën, që i serviret publikut.