Shqipëria dhe SHBA-të gëzojnë marrëdhënie të shkëlqyera
Në ceremoninë e pranimit të letrave kredenciale nga Ambasadori i Shqipërisë në Washington, Zoti Aleksandër Sallabanda, Presidenti i SHBA-ve, George Bush, duke vlerësuar pozitivisht Shqipërinë dhe marredheniet shqiptaro-amerikane, u shpreh ndër të tjera:
"Shqipëria dhe SHBA gëzojnë marrëdhënie të shkëlqyera që bazohen në vlerat e lirisë dhe demokracisë që ne ndajmë. Ne qëndrojmë krah për krah në luftën globale kundër terrorizmit. Trupat shqiptare po shërbejnë në mënyrë të shkëlqyer përkrah trupave amerikane në Irak dhe Afganistan. Populli amerikan është krenar që e ka popullin shqiptar aleat dhe mik në luftën e përbashkët kundër forcave ekstremiste dhe në përpjekjet për paqe dhe siguri globale.
Shqipëria vazhdon të promovojë paqe dhe stabilitet më Europën Juglindore. Trupat shqiptare marrin pjesë në forcat stabilizuese në Bosnjë-Hercegovinë dhe Shqipëria ka dënuar publikisht dhunën esktremiste në Kosovë e Maqedoni. Roli rajonal i Shqipërisë, në mbështetje të paqes dhe stabilitetit, mbetet kritik ne muajt dhe vitet ne vijim. Pres të punojmë sëbashku në procesin e ofrimit të mëtejshëm të Shqipërisë dhe rajonit drejt integrimit në institucionet euroatlantike.
Në më pak se një gjeneratë Shqipëria arriti të shkëpusë zinxhirët e tiranisë komuniste dhe të hyjë në komunitetin e kombeve demokratike. Ju përshëndes ju dhe bashkatdhetarët tuaj për këtë arritje. Sidoqoftë, më shumë duhet bërë për t'i ushqyer rrënjët e demokracisë së re shqiptare. Ne shpresojmë se Qeveria dhe partitë e opozitës do të punojnë së bashku për të kompletuar procesin e reformës elektorale, para raundit të tjetër elektoral.
Integrimi i Shqipërisë në institucionet euroatlantike, që është një ëndërr e të gjithë shqiptarëve, është kërcënuar nga krimi dhe korrupsioni. Vendosja e prerë e shtetit ligjor nuk është detyrë e lehtë, por është detyrë në të cilën duhet të marrë pjesë çdo shqiptar. Populli amerikan qëndron në krah të qeverisë suaj dhe popullit shqiptar në përpjekjet tuaja për të fuqizuar demokracinë dhe shtetin ligjor, përmes institucioneve dhe sistemit ligjor. Në emër të popullit amerikan, ju përshëndes dhe ju premtoj vazhdimin e miqësisë dhe mbështetjes."