E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryeministri Sali Berisha përshëndet përfundimin e punimeve të Forumit të Crans Montanës

Sot në mesditë, Kryeministri Sali Berisha ishte i pranishëm në seancën e mbylljes së Forumit të Nivelit të Lartë të Crans Montanës, në Tiranë, me temë: "Shqipëria në kryqëzimin e perëndimit dhe lindjes- hapësira për investime". Forumi kishte si qëllim promovimin e imazhit ndërkombëtar të Shqipërisë. Gjatë tre ditëve të punimeve të tij, u diskutua për zhvillimet ekonomike dhe stabilitetin makroekonomik në Shqipëri, kuadrin ligjor, investimet e huaja, privatizimet strategjike dhe hapjen e tregut. Seanca e mbylljes u përshëndet nga Kryeministri Berisha dhe ish Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Evropës, Walter Schwimmer. Të pranishëm në këtë aktivitet ishin përfaqësues të lartë të qeverisë shqiptare dhe qeverive rajonale, të institucioneve ndërkombëtare dhe përfaqësues të biznesit shqiptarë dhe të huaj.

Në fjalën e tij, Kryeministri Berisha, theksoi ndër të tjera:

Dëshiroj t'ju shpreh mirënjohjen për organizimin dhe suksesin e forumit të Crans Montanës në Tiranë, dëshmi e një përpjekjeje serioze të shqiptarëve për ndryshim. Dua të garantoj përfaqësuesit e biznesit shqiptar dhe atij ndërkombëtar se ky forum shënon një moment të rëndësishëm për qeverinë, për qendrimin e plotë të saj në mbështetje të biznesit.

Gjatë këtyre muajve, qeveria i është përkushtuar rikthimit të shtetit ligjor në Shqipëri, respektimit, zbatimit dhe sundimit të ligjit. Ne jemi të bindur se nuk ka dhe nuk mund të ketë liri reale për qytetarët shqiptarë pa funksionimin e shtetit ligjor dhe ndër liritë më e ndjeshme ndaj mungesës së ligjit është liria e tregut. Ndaj unë zotohem se do të bëjmë përpjekje të vazhdueshme për konsolidimin e shtetit ligjor, në mënyrë që investimet, kontratat dhe gjithë veprimtaria juaj të ketë mbrojtjen e plotë ligjore, që ju meritoni.

Gjatë këtyre muajve, ne jemi përqendruar fuqimisht në luftën kundër krimit të organizuar dhe ju siguroj se rezultatet janë impresionuese. Vështirë të gjendet një vend që, në një kohë kaq të shkurtër, të ketë mundur të çmontojë dhe të dërgojë para drejtësisë të gjitha klanet e mafias së vendit të tij, si Shqipëria, me një nga mafiat më të rrezikshme të Evropës, por edhe më të pasurat dhe më agresivet në lidhjet ndërkombëtare, që si objekt të parë të sulmit të saj ka patur tregun dhe biznesin.

Gjithashtu gjatë këtyre muajve kemi bërë përpjekje të mëdha në luftën kundër korrupsionit. Jemi përpjekur ta pastrojmë dhe ta bëjmë sa më të tërheqës vendin për investimet tuaja. Edhe në këtë drejtim, rezultatet janë të pamohueshme.

Dëshiroj të theksoj se në axhendën e qeverisë ka përparësi eleminimi i barrierave për biznesin. Një sërë grupesh pune, shqiptare dhe ndërkombëtare, po punojnë me intesitet për t'i ndryshuar ato sa më shpejt në favor të biznesit. Sot, në një kohë kur çmimet e energjisë rriten me shpejtësi, qeveria shqiptare do të vendosë uljen e djeshme të çmimit të saj për biznesin.

Por, në rast se këto janë disa nga faktorët lokalë, ka edhe disa faktorë të tjerë rajonalë po kaq madhorë e të favorshëm për zhvillimin e biznesit. Qielli i Ballkanit nuk ka më re konfliktualiteti, kufijt nuk janë më të papërshkueshëm, ka një hapësirë tregu të lirë nga Moldova në Belgjikë. Duke mos dashur të bëhem profet dhe as të besoj shumë në profetizëm, kam bindjen e thellë se ky rajon brenda pak vitesh do të jetë rajoni i zhvillimit ekonomik më dinamik në kontinent. Rajoni ynë është i pasur në burime natyrore dhe përbëhet nga kombe që duan të kapin me shpejtësi kohën e humbur, që ndjekin mësimet e mëdha të Evropës së pasluftës dhe duan të integrohen sa më shpejt në BE. Në rast se ky rajon do të shndërrohet në rajonin më dinamik në kontinent, ju garantoj se Shqipëria do të jetë në krye të këtij dinamizmi. Kjo është ambicia jonë.

Në këtë vend ka një element shpirtëror tepër interesant, që përbën thelbin e sindromës shqiptare: një herë ta vizitosh, kërkon të rikthesh sërish në Shqipëri.

Duke konkluduar, dëshiroj të theksoj se në Shqipëri, krahas burimeve të mëdha natyrore, fushave me interes të madh për të investuar si turizmi, infrastruktura, energjia, privatizimi i koorporatave, do të gjeni dhe një gjë shumë të çmuar, një mik të vërtetë dhe ky mik është e do të mbetet qeveria shqiptare, në mbështetje të plotë të përpjekjeve dhe projekteve tuaja për të ndërtuar në këtë vend ëndrrën tuaj.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›