Kryeministri Berisha takohet me personalitete botërore në Davos
Kryeministri Berisha, i cili po merr pjesë në Forumin Ekonomik Botëror të Davosit, ishte i pranishëm dje në darkën e shtruar nga Presidenti dhe themeluesi i këtij Forumi Klaus Schwab, ku ishin të ftuar personalitete të rëndësishme të politikës botërore. Në pritjen e dhënë në fillim të saj, Kryeministri Berisha u takua me Presidentin e Zvicrës Pascal Couchepin, me Sekretarin e Përgjithshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara Ban Ki Mun, me ish Kryeministrin e Britanisë së Madhe Tony Blair, me Kryeministrin e Hungarisë Ferenc Gyurcsany, me ish Zëvendëspresidentin amerikan Al Gore dhe ish Sekretarin e Shtetit Henry Kissinger, me Presidentin e Afganistanit Hamit Karzai dhe me Princin e Kurorës së Bahrein Al Khalifa.
Në një bashkëbisedim miqësor me ish Kryeministrin e Britanisë së Madhe Tony Blair, Kryeministri e njohur me zhvillimin dhe reformat e ndërmarra në vend, në mënyrë të veçantë me përpjekjet e gjithanshme të Shqipërisë për të marrë ftesën për anëtarësim në NATO, në samitin e Bukureshtit. Kryeministri Berisha e ftoi zotin Blair, i cili është edhe anëtar i Bordit themelues të Forumit Ekonomik Botëror të Davosit, të vizitojë Shqipërinë si një mik i madh i Shqipërisë dhe shqiptarëve kudo që ndodhen. Duke e pranuar ftesën, zoti Blair u shpreh se do ta vizitojë me kënaqësi Shqipërinë.
Një tjetër takim të përzemërt Kryeministri Berisha pati me Kryeministrin hungarez Ferenc Gyurcsany, i cili shprehu mbështetjen e Hungarisë për procesin e integrimit të Shqipërisë në NATO dhe marrjen e ftesës për anëtarësim në samitin e Bukureshtit. Zoti Gyurcsany i shprehu Kryeministrit Berisha urimet për zhvillimin dhe progresin e reformave të ndërmarra në vend.
Kryeministri Berisha u takua edhe me Presidentin e Afganistanit Hamit Karzai, me të cilin gjatë qëndrimit në Davos do të zhvillojë edhe një takim dypalësh. Presidenti Karzai e falënderoi Kryeministrin për ndihmën dhe kontributin që Shqipëria po jep në stabilitetin dhe zhvillimin e Afganistanit. Kryeministri theksoi se paqja dhe stabiliteti i Afganistanit janë të rëndësishme jo vetëm për këtë vend, por edhe më gjerë. Zoti Karzai e ftoi Kryeministrin Berisha për një vizitë në Afganistan, ftesë e cila u mirëprit nga Kryeministri, i cili u shpreh se do ta vizitonte me kënaqësi këtë vend.
Ftesën e Kryeministrit Berisha për të vizituar Shqipërinë e pranuan me kënaqësi edhe Princi i Kurorës së Bahreinit Al Khalifa, ish Sekretari amerikan i Shtetit Henri Kisinger, aktualisht President i Fondacionit “Kisinger” dhe ish Zëvendëspresidenti i SHBA-ve Al Gore, të cilit Kryeministri Berisha i shprehu urimet e përzemërta për marrjen e çmimit “Nobel” për kontributin e tij në fushën e ruajtjes së mjedisit.