Ministri i Jashtëm suedez Carl Bildt përgëzon Kryeministrin Berisha për hapat e sigurt për të marrë ftesën në samitin e Bukureshtit

Kryeministri Berisha zhvilloi një takim me Ministrin e Jashtëm të Suedisë, zotin Carl Bildt. Kryeministri e falënderoi zotin Bildt për mbështetjen që Suedia ka dhënë dhe i jep aspiratës integruese të Shqipërisë në BE dhe në NATO, si dhe në mbështetjen e zhvillimeve ekonomike në vend nëpërmjet mjaft projekteve të rëndësishme.
Kryeministri Berisha vuri theksin në faktin se anëtarësimi i Shqipërisë në NATO është projekti më madhor për Shqipërinë dhe shqiptarët, ndaj qeveria shqiptare do të vazhdojë të jetë konsekuente në hapat e saj për realizimin e reformave në të gjitha fushat.
Ministri Bildt e përgëzoi Kryeministrin Berisha për arritjet e Shqipërisë në zbatimin e reformave dhe për hapat e sigurta të ndërmarra nga qeveria shqiptare për të marrë ftesën për anëtarësim në samitin e Bukureshtit.
Kryeministri Berisha u ndal në progresin ekonomik të Shqipërisë dhe në punën e qeverisë për të krijuar një klimë të përshtatshme për biznesin dhe investimet e huaja dhe vendase.
Ministri i Jashtëm Bildt i shprehu Kryeministrit Berisha gatishmërinë e tij për të krijuar mundësitë e investimeve nga shoqëri të mëdha suedeze.