E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha takohet me qytetarë të Lushnjës

Kryeministri Berisha zhvilloi pasditen e sotme një takim me qytetarë të Lushnjës. Në fjalën e tij, Kryeministri u shpreh:   

“Qytetare dhe qytetarë të Lushnjës,

Së pari, dëshiroj të përulem para jush me ndjenjën e thellë të mirënjohjes dhe të respektit. Ishte mbështetja juaj katër vite më parë që bëri të mundur të mblidheshim në këtë shesh, ta shohim njëri - tjetrin drejt e në sy me ndjenjën e besimit, me ndjenjën e krenarisë dhe me ndjenjën e një optimizmi të madh.

Katër vite më parë, qytetarët e Lushnjës dhe të mbarë Shqipërisë vendosën mbi ne një besim të jashtëzakonshëm. Vendin e dominonte krimi dhe bandat, vendin e mbulonte korrupsioni dhe mjerimi, muret e krimit dhe të korrupsionit e ndanin atë çdo ditë e më shumë nga Evropa. Vendi ynë kishte një sistem arsimor që po shkonte drejt shpartallimit. Këtu në rrethin tuaj fqinj, në Peqin, dy vjet e gjysmë më parë nuk kam gjetur asnjë kilometër rrugë të asfaltuar përveç rrugës kombëtare. Katër vjet më parë, nga ky shesh unë ju premtova se ju shqiptarët kurrë më, ju dhe shqiptarët, krimi nuk do t’ju përkulë dhe se bandave dhe krimit do t’u tregohen hekurat dhe ligji. Katër vite më parë unë erdha tek ju, u zotova para jush se mësuesve të fëmijëve tanë do t’ua dyfishojmë rrogat dhe do t’i vendosim ata në piedestalin që meritojnë.

Katër vite më parë unë u zotova para jush se burrave dhe grave të thinjur të Lushnjës dhe të mbarë Shqipërisë, si dhe në të gjitha fshatrat se do t’ua dyfishonim pensionet. Katër vite më parë unë u zotova në këtë shesh se do të asfaltojmë katër mijë kilometra rrugë. Katër vite më parë deklarova para jush se do të ndërtojmë korridorin e shqiptarëve. Por, katër vite më parë ju qytetarë të Lushnjës dhe të mbarë Shqipërisë, që na besuat, e keni të qartë se ne përveç vullnetit tonë të hekurt,përveç besimit tuaj të madh nuk kishim as para dhe as projekte. Por, ku jemi ne sot? Sot ne jemi një Shqipëri tjetër dhe një Lushnje tjetër. Ne mblidhemi sot në këtë shesh me njërën prej ëndrrave më historike dhe më madhështore të realizuar. Ne të gjithë jemi sot qytetarë të NATO-s, qytetarë të Lushnjës në NATO, qytetarë të Shqipërisë në NATO.

Katër vite më parë ne kishim besimin tuaj dhe shpresën e madhe se do t’ia dilnim, por pas katër vitesh ne e shndërruam këtë besim në kërkesën e 28 prillit për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Katër vite më parë, ne u zotuam se do të shembim murin e krimit. Sot, katër vite më pas Lushnja juaj dhe Shqipëria jonë renditet ndër vendet më të sigurta në Evropë. Shqipëria ka pritur vjet 2.7 milionë turistë me dinjitetin më të madh dhe me sigurinë më të madhe. Katër vite më parë, kur vendi mbulohej i tëri nga sistemi i kleptokracisë, ne u zotuam  për duart tona të pastra. Por, nga buroi zotimi ynë? Zotimi ynë buroi nga morali juaj dhe nga besimi ynë tek morali juaj i pastër. Por, ku jemi ne sot pas katër vitesh? Ne sot, katër vite më pas, me një turravrap të vërtetë kemi lënë pas 95 vende në luftën kundër korrupsionit. Sot, pas katër vitesh kemi nxjerrë 4.2 miliardë nga kthetrat e zeza të korrupsionit dollarë në tatime, në dogana, në prokurime dhe shpenzime. Besimi juaj ishte i një rëndësie të madhe për ne. Ai bëri që Shqipëria të anëtarësohej në NATO, bëri që Shqipëria të aplikojë për anëtarësimin në Bashkimin Evropian, bëri që Shqipëria të renditet e dyta në botë për sa i përket klimës së biznesit, bëri që Shqipëria të jetë më e mira në Ballkan dhe në dhjetë vendet më të mira të botës për luftën kundër korrupsionit, bëri që qeveria juaj të shpallet kampion në luftën kundër tij. Ky besim dhe kjo mbështetje kanë qenë përcaktuese për ne dhe për vazhdimin e projektit tonë. Sot, ne  kërkojmë sërish besimin tuaj, por e kërkojmë atë pasi shpresat e përbashkëta të katër viteve më parë i kemi shndërruar në realitete të mëdha të përditshme të jetës sonë.

Qytete dhe qytetarë të Lushnjës,

Unë jam sot mes jush për të kërkuar mbështetjen dhe besimin tuaj për një marrëveshje të re dhe për një program të ri. Një program jo të thjeshtë, por të vështirë; një program jo të lehtë, por përcaktues. Ky është programi për shqiptarin evropian, për lushnjarin evropian, për Lushnjën evropiane dhe për Shqipërinë evropiane, program përcaktues për ne dhe për fëmijët tanë.

Qytete dhe qytetarë të Lushnjës,

Për ju dhe për mua, qytetari evropian do të thotë qytetar i mirëpaguar, sepse edhe në Evropë edhe me xhepat bosh nuk shkohet.

Të dashur qytetare dhe qytetarë të Lushnjës,

Unë ju jap fjalën ju se katër vitet që vijnë, jo vetëm që do të rrisim rrogat dhe pensionet tuaj, jo vetëm që do të barazohen pensionet e fshatit me ato të qytetit, por ne do të lëmë mbrapa, jo dy vende si[ i kemi lënë tani, por të paktën gjashtë vende të Bashkimit Evropian. Shqipëria evropiane, qytetari evropian do të thotë që ju, burrat dhe gratë e Lushnjës dhe të mbarë Shqipërisë, të ecni në qytetet dhe fshatrat tuaja në rrugë të mira njësoj si në Evropë. Katër vite më parë, unë kam premtuar në ketë shesh katër mijë kilometra rrugë dhe ne kemi asfaltuar 5900. Jam sot këtu, për t’u zotuar para jush se në katër vitet që vijnë nuk do të ketë rrugë të paasfaltuar në çdo qytet në këtë vend. Nuk ka qytetar evropian, nuk ka Lushnje evropiane, nuk ka Shqipëri evropiane me baltë, por do të ketë vetëm asfalt. Qytetarë evropian do të thotë, para së gjithash, që ju të gëzoni disa lehtësira dhe disa të drejta, të cilat i gëzojnë edhe qytetarët evropianë. Si mund të ketë qytetar evropian pa ujë në shtëpi? Zotimi ynë është që në katër vitet që vijnë të ketë ujë të pijshëm 24 orë në çdo familje shqiptare. Ne nuk e blejmë ujin, Zoti na ka dhënë ne pasuri të mëdha ujore dhe ne do të çojmë ujin në çdo familje shqiptare. Qytetar evropian, lushnjar evropianë dhe shqiptar evropian do të thotë që ju të keni vende pune. Katër vitet që vijnë ne do të krijojmë së paku 160 mijë vende të reja pune.

Së shpejti do të nisin nga puna 104 hidrocentrale, në të cilat do të punësohen së paku 60 mijë burra dhe gra, djem dhe vajza. Lushnja evropiane dhe lushnjarë evropianë do të thotë që fermerët tanë të mbështeten fuqishëm nga qeveria, ashtu siç mbështeten në Evropë. Unë jam këtu për t’ju dhënë fjalën ju se katër vitet që vijnë do të pesëfishojmë grantin për fermerët shqiptarë. Ne do të financojmë çdo projekt që ata do të bëjnë për fermat e tyre. Në katër vitet që vijnë, motoja jonë do të jetë; Shqipëria nën. Ne ju garantojmë se do të subvencionojmë edhe inputet, edhe naftën tuaj. Le të përcaktojmë së bashku rrugën në mënyrë që paraja të shkojë tek ju, tek lodhja juaj dhe jo tek hajdutët.

Qytete dhe qytetarë të Lushnjës,

Katër vitet që vijnë janë vendimtare për zhvillimin e këtij vendi. Kudo që kaloj unë kam një premtim solemn për zonat rurale të vendit, se fshatrat e Shqipërisë do t’i urbanizojmë njëlloj si lagjet e qyteteve. Vetëm atëherë do të ketë Shqipëri të zhvilluar.

Qytete dhe qytetarë të Lushnjës,

Sot, ne jemi afër një pragu të ri të madh, në të cilin ne do të realizojmë ëndrrat tona më të mëdha. Ne do të përgatisim Lushnjën dhe Shqipërinë për anëtarësimin e plotë në Bashkimin Evropian. Unë dua t’ju garantoj ju se kurrë nuk marr përsipër gjëra që nuk i realizojë dot dhe se kurrë nuk kam kërkuar nga njeri atë që nuk na takon. Por, ne jemi popull i mundit dhe i djersës, jemi njerëz të mendjes, jemi njerëz të punës, ne e meritojmë Evropën, Evropa është e ardhmja jonë.

Rroftë Lushnja, rroftë Shqipëria!”


30/05/2009

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›