E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryeministri Berisha takohet me të rinjtë me rastin e festës së Vitit të Ri 2010

-          Kryeministri Berisha i garantoi të rinjtë se do të bëj çdo përpjekje që fjala, mendimi dhe pesha e tyre të bëhet gjithnjë më e madhe dhe më e rëndësishme në këtë vend
Sot ne mesditë, Kryeministri Berisha dha një pritje për të rinjtë e të reja, në ambientet e Livingroom, me rastin e festës së Vitit të Ri 2010.
Në fjalën përshëndetëse, Kryeministri Berisha i falënderoi ata për kontributin dhe ndihmën e jashtëzakonshme që dhanë në fushatën elektorale për zgjedhjet e 28 qershorit, duke bërë të mundur që Vitin e Ri 2010 t’a festojnë si fitimtarë.
Më tej, Kryeministri Berisha u shpreh se qeveria do të ndërmarrë reformat më të thella për shkollimin dhe punësimin e të rinjve shqiptarë, me qëllim që viti 2010 të shndërrohet në një vit përcaktues për një fytyrë të re të Shqipërisë. “Dua t’a mbyll fjalën time duke ju garantuar se do të bëj çdo përpjekje që fjala juaj, mendimi juaj, pesha juaj të bëhet gjithnjë më e madhe dhe më e rëndësishme në këtë vend”, u shpreh Kryeministri Berisha.
Më poshte vijon e plotë fjala e Kryeministrit Berisha në takimin me te rinjtë:
“Festimet e këtij viti i fillojmë me ju. Unë gjej rastin t’ju shpreh falënderimin dhe mirënjohjen time për ndihmën e jashtëzakonshme që ju dhatë me mençurinë, me përkushtimin, me vullnetarizmin tuaj në fushatën elektorale dhe bëtë të mundur që të festojmë si fitimtarë Vitin e Ri 2010 - të. Ne festojmë si fitimtarë të merituar, sepse i’a dolëm bashkërisht që të pushtojmë mendjen dhe zemrën e shqiptarëve dhe, absolutisht, pa ju kjo nuk do të mund të ndodhte. Gjithashtu, ne  i’a dolëm që, në këtë betejë shumë të përfolur për problemin e zgjedhjeve, t’iu dëshmojmë qytetarëve shqiptarë dhe mbarë botës se shqiptarët dinë të votojnë në dinjitet të plotë dhe si qytetarë të lirë.
Beteja elektorale është një betejë e vështirë, por dua t’ju garantoj se gjatë gjithë asaj periudhe asgjë nuk më ka lehtësuar dhe nuk më ka rritur me shumë optimizmin dhe besimin tek fitorja sesa përkushtimi juaj i plotë dhe optimizmi që rrezatoni ju në shkëlqimin e syve tuaj, në fytyrat tuaja. Ndaj, unë ju uroj ju dhe atyre qindra mijëra të rinjve shqiptarë, të cilët së bashku me ne formësuan një fitore historike, një fitore evropiane për shqiptarët, një Vit të Ri të bukur, me gëzim e mbarësi.
Unë ju ftoj të vazhdojmë përpjekjen tonë për Shqipërinë Evropiane, e cila, në fakt, në thelb është Shqipëria e mendjeve tuaja, e ëndrrave tuaja, është Shqipëria që ju doni më shumë.
Ne kemi arsye të mëdha që të falënderojmë me mirënjohje njëri-tjetrin. Ne kemi arsye që të jemi krenarë, sepse ne lamë pas një vit ndër më të mbarët në tërë historinë e kombit shqiptar, një vit në të cilin vendi ynë u bë anëtar i NATO-s; një vit në të cilin vendi ynë mori aprovimin e të gjitha vendeve të BE-së për të ecur në rrugën e anëtarësimit në Bashkimin Evropian; një vit në të cilin u bënë të gjitha parapërgatitjet që ju muajt që vijnë të lëvizni të lirë në mbarë Evropën pa viza; një vit në të cilin ekonomia shqiptare nuk u rrokullis në labirintet e krizës, e vërteta ndodhi që ne në të gjithë vështirësitë i’a dolëm të rrisim ndjeshëm buxhetin e 800 mijë familjeve shqiptare, në qytete dhe fshatra; një vit në të cilin ne ia dolëm të kemi në universitetet publike dhe ato private mbi 135 mijë prej jush.
Ndaj, le të angazhohemi për një vit edhe më të mirë në 2010-ën, për një vit, të cilin me punën tonë t’a bëjmë që të ecim shumë më përpara në procesin e integrimit. Ne do të ndërmarrim reformat më të thella për shkollimin dhe punësimin e të rinjve shqiptar, do të ecim me shpejtësi të madhe drejt moshës dixhitale, së bashku vitin 2010 do t’a  shndërrojmë në vitin përcaktues për një fytyrë të re të Shqipërisë, fytyrën tuaj.
Unë dua të falënderoj shumë familjet dhe prindërit tuaj, të cilët u mbështetën ju fuqishëm në betejën fitimtare elektorale. Dua t’a mbyll fjalën time duke ju garantuar se do të bëj çdo përpjekje që fjala juaj, mendimi juaj, pesha juaj të bëhet gjithnjë më e madhe dhe më e rëndësishme në këtë vend.
Gëzuar të gjithëve!”30/12/2009

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›