Kryeministri Berisha takohet me drejtues vendorë dhe banorë të fshatit Shën Vasil, të Himarës
Pas inspektimit të segmentit rrugor Qeparo - Sarandë, Kryeministri Berisha u ndal në një takim me drejtues të pushtetit vendorë dhe banorë të fshatit Shën Vasil, në Himarë.
Kryeministri theksoi në këtë bashkëbisedim se infrastruktura e zonës së bregut po ndryshon në mënyrë të merituar.“Krahas rrugëve kryesore, janë 36 milionë euro projekte në infrastrukturë, që shtrihen nga Ksamili në Orikum, projekte të Bankës Botërore të cilat synojnë infrastrukturën e fshatrave, furnizimin me ujë të pijshëm, normalizimin e rrugëve të brendshme të tyre, projekte që synojnë rikonstruksione të të gjitha institucioneve fetare, etj. Qeveria, gjithashtu, ka vendosur të vendosë edhe fonde të tjera shtesë, në mënyrë që të bëjmë edhe trajtimin e ujërave të zeza, përveç kanalizimeve, projekte për vendosjen e impianteve për pastrimin e ujit, etj”, theksoi Kryeministri.
Nga ana e tyre, përfaqësuesit vendorë u shprehën se popullsi e bregdetit i është shumë mirënjohëse qeverisë për këto investime.
Kryeministri nxiti gjithashtu firmat ndërtuese që të përshpejtojnë me afatet e përfundimit të rrugëve. “Brenda 4 viteve qeverisjeje, Shqipëria do të ketë një rrjet rrugor tërësisht të ri dhe ky është një realitet”, tha Kryeministri.